Kosova

Hoti thërret protestë për përfshirjen e Kosovës në gazin amerikan

Avdullah Hoti bën thirrje për protestë: Kosova të mos mbetet jashtë projektit të gazit amerikan

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike me kërkesën që Kosova të përfshihet në projektin amerikan të gazit natyror, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor jashtë këtij projekti strategjik, përcjell albinfo.ch.

Përmes një reagimi publik, Hoti ka kritikuar Qeverinë në detyrë për vazhdimin e refuzimit të projektit, pavarësisht, siç tha ai, insistimit të vazhdueshëm të Administratës amerikane. Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për qasje anti-amerikane dhe ka kundërshtuar argumentet e dhëna nga qeveria lidhur me mosrealizimin e projektit.

Sipas Hotit, arsyetimet se projekti mund të mos jetë ekonomikisht i leverdishëm ose se bie ndesh me strategjinë energjetike të Kosovës janë të pabazuara. Ai ka theksuar se projekti i gazit amerikan nuk përjashton investimet në energjinë e ripërtërishme apo modernizimin e kapaciteteve ekzistuese, por përkundrazi i plotëson ato duke ofruar siguri më të madhe energjetike dhe diversifikim të burimeve të furnizimit.

Ish-kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu se mbështetja e vazhdueshme vetëm në qymyr mund t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës në të ardhmen, pasi vendi do të përballet me tarifa për emetimin e karbonit, të cilat sipas tij do të reflektohen në faturat e energjisë për qytetarët dhe bizneset.

Në fund të reagimit të tij, Hoti u ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të bashkohen në një protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe, siç u shpreh ai, në mbrojtje të aleancës së fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Debati për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit është rikthyer në qendër të vëmendjes javët e fundit. Përfaqësues të odave ekonomike kanë paralajmëruar se refuzimi i gazit amerikan mund të ketë pasoja për zhvillimin ekonomik dhe raportet strategjike me SHBA-në. Ndërkohë, Ambasada amerikane në Prishtinë ka ritheksuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve të sigurta dhe të diversifikuara energjetike, si dhe në tërheqjen e investimeve të reja./Albinfo.ch