Kosova

Alarmi më i lartë për stuhi në Kosovë, priten breshër, erëra të fuqishme dhe reshje intensive

Kosova nën alarm për mot të ashpër

Kosova pritet të përballet sot me mot të paqëndrueshëm, ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) dhe Organizata Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX) kanë paralajmëruar për reshje intensive, stuhi, breshër dhe erëra të forta, përcjell albinfo.ch.

Sipas IHMK-së, paraditja do të karakterizohet nga mot me diell dhe vranësira të pjesshme, por nga mesdita pritet zhvillimi i vranësirave konvektive që vende-vende do të sjellin rrebeshe shiu, shkarkesa rrufesh, erëra të fuqishme dhe mundësi për breshër. Reshjet do të kenë karakter lokal dhe nuk do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit.

Ndërkohë, ESTOFEX ka lëshuar alarm të nivelit 3, nivelin më të lartë të rrezikut, për Kosovën dhe disa vende të rajonit. Sipas këtij paralajmërimi, ekziston potencial i lartë për stuhi të fuqishme të shoqëruara me breshër shumë të madh, erëra me fuqi shkatërruese dhe, në raste të izoluara, edhe tornado.

Temperaturat maksimale gjatë ditës pritet të lëvizin nga 31 deri në 33 gradë Celsius.

Paralajmërimi vjen një ditë pasi disa komuna të Kosovës u goditën nga erëra të forta dhe breshër. Dëmet më të mëdha u raportuan në Istog, ku sipas vlerësimeve fillestare të autoriteteve komunale, rreth 90 për qind e sipërfaqeve të mbjella janë dëmtuar nga moti i keq./Albinfo.ch