Lajme
A do të sjellë 2025-ta një ndryshim të madh për udhëtarët në BE?
Fundjavën e kaluar mund të zbulohej Sistemi i ri i Hyrje/Daljes në Bashkimin Evropian (EES), përcjell albinfo.ch.
Ky sistem i ri nënkupton se kur një shtetas jo i BE-së hyn në cilindo prej 29 vendeve të zonës së lëvizjes së lirë, Schengen, ai duhet ta regjistrojë emrin e plotë dhe kombësinë, t’i japë gjurmët e gishtërinjve dhe të fotografohet – sipas të gjitha gjasave në një kabinë me vetëshërbim.
Sistemi u miratua nga BE-ja në fund të vitit 2017 dhe do ta heqë vulosjen manuale të pasaportave jo të BE-së, përkatësisht do ta zëvendësojë sistemin e vjetër me një bazë të madhe elektronike të të dhënave.
Sipas Komisionit Evropian, sistemi i ri do të ndihmojë në parandalimin e migrimit të parregullt, do t’i ndihmojë shtetasit e vendeve të treta të udhëtojnë më lehtë, do t’i identifikojë përpjekjet për ta tejkaluar kohën e lejuar të qëndrimit, ose për fshehje të identitetit.
Megjithatë, ai nuk u funksionalizua – as më 10 nëntor, siç ishte planifikuar, e as në datën rezervë, më 17 nëntor.
Por, për të qenë më të saktë, datat nuk u përcaktuan kurrë me vendosmëri.
Flitej që kjo mund të ndodhte dikur edhe në tremujorin e fundit të këtij viti dhe nuk ishte hera e parë që u shty.
As në vitet 2022 dhe 2023, sistemi i ri nuk ishte gati.
Dhe, shtrohet pyetja: përse këto vonesa të vazhdueshme?
Një përgjigje është se bëhet fjalë për një ndërmarrje masive të teknologjisë informative dhe, në këtë shkallë, ajo nuk ka qenë e testuar më parë.
Kur në tetor, ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord se prezantimi në nëntor nuk është i mundur, ishin Franca, Gjermania dhe Holanda – tri shtete anëtare me shumë pika të hyrjes – që e frenuan.
Ministria e Brendshme gjermane tha atëkohë se sistemit qendror kompjuterik, që do ta mbështeste sistemin e ri, e që mbikëqyret nga agjencia e BE-së, eu-LISA, i mungon “stabiliteti dhe funksionaliteti i nevojshëm”.
Një diplomat i BE-së, i cili ka dijeni për çështjen, u shpreh edhe më ashpër, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se i gjithë sistemi është “i dobët” dhe se nuk është testuar përpara nisjes zyrtare.
Ndërsa agjencia e BE-së, eu-LISA, tha se të gjitha vendet anëtare të BE-së janë gati teknikisht, ka frikë se sistemi i ri do të krijojë kaos në qendrat kryesore të kontinentit, duke goditur kështu biznesin dhe turizmin me radhë masive kufitare.
Një nga problemet është se BE-ja donte ta lansonte sistemin kudo në të njëjtën kohë. Por, në Bruksel tani flitet për një qasje me faza, që do të thotë se rregulloret e miratuara tashmë, duhet të ndryshohen.
Kjo mund të bëhet nëse ka vullnet politik, i cili duket se ekziston, por i takon Komisionit Evropian të përcaktojë se çfarë do të thotë saktësisht qasja me faza.
Ndërkohë, shumë qendra dhe pika kufitare do të vazhdojnë të përgatiten për lansimin eventual të sistemit në vitin 2025, duke shtuar më shumë barriera automatike dhe kabina të vetëshërbimit, si dhe duke trajnuar stafin dhe rojet kufitare.
Pasi të funksionalizohet ky sistem, qytetarët jashtë BE-së i pret edhe një gjë tjetër.
Plani është që rreth gjashtë muaj më vonë, të procedohet me Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Ky do t’i mbulojë të gjithë udhëtarët e përjashtuar nga vizat me BE-në, përfshirë shtetasit e SHBA-së dhe Britanisë, por edhe ukrainasit, gjeorgjianët dhe moldavët, si dhe qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së.
Vlen të theksohet se marrja e miratimit nga ETIAS-i nuk është vizë dhe nuk garanton hyrjen.
Autorizimi, i vlefshëm për tre vjet, do të kushtojë 7 euro dhe do të duhet të plotësohet nga të gjithë personat e moshës 18 deri në 70 vjeç.
Përjashtime do të mund të bëjnë individët me viza dhe leje qëndrimi, refugjatët, mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe pasagjerët transit në aeroporte.
Për ETIAS-in, BE-ja ra dakord në vitin 2018 dhe, sikurse EES-ja, ai është pjesë e përpjekjeve për ta bërë zonën Schengen më të fuqishme dhe më të kontrolluar.
Me imigracionin sërish në krye të agjendës politike në të gjithë bllokun, ka të ngjarë që të ketë një shtytje të fortë nga disa shtete anëtare, si dhe nga vetë Komisioni Evropian, për t’i funksionalizuar të dyja sistemet në vitin 2025. /REL
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord Numri i foshnjave të lindura në kantonin Jura, në veriperëndim të Zvicrës, ka qenë në rënie... -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë -
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026 -
A keni nevojë për një certifikatë mjekësore në ditën tuaj të parë të pushimit në Zvicër?












