Lajme
A është Zvicra shumë e shtrenjtë për t’u prekur nga “overtourism”?
Një strategji e qëndrueshme që kombinon luksin, menaxhimin lokal dhe çmimet e larta e mban larg turizmin masiv.
Shpesh thuhet se Zvicra i shpëton turizmit masiv sepse është thjesht shumë e shtrenjtë. Por a është kjo e vetmja arsye? Një analizë e realizuar nga Radio Televizioni Zviceran (RTS) tregon se pas këtij perceptimi fshihet një strategji e menduar mirë, që shkon përtej barrierës së kostos, transmeton albinfo.ch.
Çmime marramendëse
Në një simulim për një fundjavë tre-ditore në korrik, u krahasuan çmimet e hoteleve (3 ose 4 yje), ushqimit, aktiviteteve dhe transportit në Zvicër dhe në disa qytete të mëdha europiane. Rezultati ishte i qartë: qytetet zvicerane janë shumë më të shtrenjta.
Në Cyrih, një fundjavë kushton rreth 1,720 franga zvicerane.
Në Lucern, 1,530 franga.
Në Locarno, 1,520 franga.
Për krahasim, Londra, e njohur për koston e lartë, kushton rreth 1,460 franga, ndërsa Vjena vetëm 989 franga dhe Barcelona 1,017 franga.
Një natë në hotel në Cyrih mund të kushtojë dyfishin e asaj në Vjenë apo Barcelonë. Edhe ushqimi në restorante mesatare në Zvicër është rreth dy herë më i shtrenjtë se në Evropën Jugore. Po ashtu, aktivitetet tipike si teleferikët apo trenat panoramikë janë shumë të kushtueshme.
Strategjia “Travel Better” më shumë sesa çmim
Megjithatë, nuk është vetëm çmimi që e mban larg turizmin masiv. Zvicra ka një strategji të mirëfilltë të quajtur “Travel Better”, që synon të ruajë ekuilibrin midis turizmit, mbrojtjes së natyrës dhe cilësisë së jetës për banorët.
Kjo strategji përpiqet të shpërndajë turistët gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë territorin. Për shembull, në vitin 2024, gati gjysma e dhomave të hoteleve në Zvicër mbetën bosh. Qëllimi nuk është të mbushen kapacitetet me çdo kusht, por të tërhiqen turistë që vlerësojnë cilësinë dhe luksin. Kjo është arsyeja pse dy të tretat e turistëve amerikanë zgjedhin hotele me 4 ose 5 yje më pak turistë, por që shpenzojnë më shumë.
Ekonomi më pak e varur nga turizmi
Një tjetër faktor që i mban larg turmat është se ekonomia zvicerane nuk varet shumë nga turizmi. Në vitin 2021, turizmi kontribuonte vetëm 2.9 për qind të PBB-së, ndërsa në Spanjë ky tregues ishte 12 për qind. Pra, ka më pak presion për të tërhequr masa të mëdha vizitorësh.
Edhe vetë zviceranët janë turistë të qëndrueshëm në vendin e tyre. Një e treta e tyre kanë bërë pushime më shumë se gjashtë herë në të njëjtin destinacion brenda Zvicrës.
Zgjidhje lokale për probleme lokale
Struktura kantonale e Zvicrës ndihmon në menaxhimin lokal të turizmit. Për shembull, fshati Iseltwald vendosi një tarifë për të bërë foto në pontonin e tij të famshëm, ndërsa Lauterbrunnen po mendon të vendosë një tarifë hyrjeje për turistët që vijnë vetëm për një ditë. Këto janë zgjidhje të drejtpërdrejta për sfida të veçanta.
Por Zvicra nuk është plotësisht e mbrojtur
Megjithë strategjitë dhe çmimet e larta, disa zona po ndjejnë presionin e turizmit masiv, veçanërisht për shkak të Instagram-it. Lauterbrunnen dhe Val Verzasca shpesh mbushen me vizitorë. Në Lucern, rreth 7 milionë turistë në vit krijojnë një “vallëzim autobusësh turistikë” që bezdis banorët.
Një sondazh i vitit 2024 tregoi se 78 për qind e zviceranëve janë krenarë për turizmin e vendit të tyre, megjithatë një e katërta ndihen të shqetësuar çdo ditë. Frika më e madhe? Pikërisht rritja e çmimeve për shkak të turizmit. Sidoqoftë, kjo mbetet ndër shqetësimet e fundit për qytetarët, pas çështjeve si shëndetësia apo banimi.
Prandaj si përfundim pyetja që shtrohet është:
A e mbron Zvicrën kostoja e lartë nga turizmi masiv?
Pjesërisht po, por në thelb është një kombinim i strategjive të qëndrueshme, ekonomisë së diversifikuar dhe menaxhimit lokal të vizitorëve që e mbajnë vendin të veçantë, një model që e shndërron barrierën financiare në një mekanizëm për të ruajtur natyrën dhe cilësinë e jetës.
E-Diaspora
-
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër uron Fitër Bajramin Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) njofton të gjithë besimtarët dhe besimtaret që jetojnë dhe veprojnë... -
Vjenë
Tragjedia në Vjenë: Mes viktimave edhe një punëtor nga Novi Pazari -
Kompania e ndërtimit fshin gjurmët pas vdekjes së tre kosovarëve -
Leipzig
Letërsia e Kosovës prezantohet në Panairin e Leipzigut -
Hapet dega e shtatë e shkollës shqipe në Lesvos
Jeta në Zvicër
-
Linja e re e trenit të natës Cyrih–Bruksel nis në shtator Nga 9 shtatori, Cyrihu do të lidhet me një linjë të re treni nate drejt Brukselit,... -
Rreziku nga erërat e forta në teleferikë: Çfarë tregoi aksidenti në Engelberg -
Gjeneva ndalon veshjet mbuluese si burka në pishinat publike -
Një në katër të rinj në Zvicër rritet me të afërm që vuajnë nga çrregullimet mendore -
Udhëtarët e huaj në tranzit do të duhet të paguajnë në të ardhmen










