Lajme

Abazoviq mund të jetë kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan

Abazoviq sot propozon një qeveri të re të Malit të Zi

Bëhet e ditur se kryetari i Lëvizjes Qytetare për Reformën e Bashkuar (URA), Dritan Abazoviq, nesër pritet ta propozojë formimin e një qeverie të pakicës, si zgjidhje për krizën politike në Mal të Zi, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se oferta e kësaj partie për subjektet e tjera parlamentare pritet të prezantohet nesër përmes një konference për medie, ndërsa palët që pritet të përfshihen në këtë model janë mbledhur sonte për ta dhënë konceptin final.

Siç ka mësuar jozyrtarisht Portali i Radiotelevizonit Publik të Malit të Zi nga disa burime, qeveria e re do të përbëhet nga URA, SNP dhe partitë e pakicës. Kjo është diskutuar me përfaqësues të partive shqiptare dhe boshnjake. Sipas këtij propozimi, në Qeveri nuk do të kishte përfaqësues të DPS dhe DF.

Qeveria aktuale duhet të shkarkohet, në mënyrë që të zgjidhet një e re. Që të bëhet kjo, duhet një interpelancë, e cila duhet të nënshkruhet nga 27 deputetë. Grupi politik që mbron këtë model nuk ka aq shumë firma deri më tani.

Nëse Abazoviq arrin të bëhet kryeministër i Malit të Zi, ai do të bëhej i pari shqiptar që mban një post të tillë atje, krahas Edi Ramës në Shqipëri e Albin Kurtit në Kosovë.