Lajme

Aksident tragjik në Austri, humb jetën një 19-vjeçar nga Kosova

I riu nga Kosova u përplas ballë për ballë me një kamion në rrugën B129 dhe mbeti i bllokuar në automjet. Mjeku konstatoi vdekjen në vendngjarje.

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të shtunën në mëngjes në rrugën B129, në zonën Alkoven të Austrisë së Epërme (OÖ), ku një i ri 19-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën pas përplasjes me një kamion, transmeton albinfo.at.

Sipas raportimeve, aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:50. I riu, me origjinë nga Kosova, banues në Eferding, kishte pësuar lëndime të rënda pasi u përplas frontal me një kamion që drejtohej nga një 63-vjeçar nga Austria e Poshtme.

Pas përplasjes së fortë, automjeti i mërgimtarit mbeti i ndalur në mënyrë tërthore në rrugë, ndërkohë që zjarrfikësit ndërhynë menjëherë dhe e nxorën atë nga automjeti me metoda emergjente, duke ia dorëzuar ekipit mjekësor, transmeton tutje albinfo.at.

Vlen të theksohet se në vendngjarje ndodhej edhe një mjeke, e cila ishte dëshmitare e aksidentit, e cila njoftoi shërbimet emergjente dhe ofroi ndihmën e parë deri në mbërritjen e mjekut të urgjencës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, ajo nuk arriti ta shpëtojë të riun, i cili ndërroi jetë në vend për shkak të plagëve të rënda.

Ndërkohë, shoferi i kamionit, sipas policisë, nuk ka pësuar lëndime.

Rruga B129 u bllokua përkohësisht gjatë operacionit të nxjerrjes dhe pastrimit të vendit të aksidentit, ndërsa trafiku u devijua në rrugë alternative./Albinfo.at