Kultura

Aktori shqiptar, pjesë e “Eastenders” në BBC

Aktori shqiptar është bërë pjesë e telenovelës më të madhe dhe më të vjetër të BBC-së, “Eastenders”, e cila ka 33 vjet që transmetohet në gjigantin mediatik britanik.

Orli Shuka, që jeton prej shumë kohësh në Londër, luan në episodet e transmetuara në tri ditët e para të janarit, ndërkohë që producentët e BBC-së i kanë ofruar vazhdimin e rolit të Robertit në episodet e ardhshme, madje me aktorin kryesor të telenovelës së famshme britanike, duke filluar xhirimet më 15 janar, transmetojnë mediat në Tiranë.

Orli Shuka, djali i aktorit të ndjerë Agim Shuka, i njohur për rolin e tij të spikatur në komedinë “Shi ne plazh”, ka një karrierë të suksesshme në kinematografinë britanike, duke luajtur në 6 filma si dhe në disa vepra teatrale, siç ishte së fundmi në teatrin e Manchesterit. Orli Shuka ka luajtur gjatë karrierës së tij edhe me aktorin me famë botërore, yllin e Hollywood-it, Brad Pitt, në filmin “War Machine”.