Lajme

Albanologu Pichler: Brezi i ri i shqiptarëve po integrohet me sukses në Austri

Pichler flet, veç tjerash, edhe për kritikën që ai i bëri gjestit të Xhakës gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi

Robert Pichler prej vitesh njihet si mik i shqiptarëve dhe i kulturës sonë. Ka studiuar histori në Universitetin e Graz-it, ndërkohë më 2017 specializohet si pedagog për Evropën Jugore. Albanologu austriak Pichler është anëtar i kryesisë në shoqatën “International Association for Southeast European Anthropology (InASEA)” dhe kryetar i “Qendrës për Shoqëritë dhe Kulturat Ballkanike”, si dhe anëtar i shtabit akademik për projekte të ndryshme shkencore në Universitetin “Albert Ludwigs” në Freiburg, në Institutin “Georg Eckert” për studime shkencore të librave shkollorë në Braunschweig, si dhe në universitet “Humboldt” në Berlin apo “Karl Franzens” në Graz.

Në vitin 2004, së bashku me Wolfgang Petritsch ka fituar çmimin për librin politik më të mirë të vitit. Pasioni i tij është fotografia, ku bën ndërthurjen e fotografisë me elemente dokumenti dhe arti.

Albinfo.at: Cila ka qenë mbresa e parë kur keni udhëtuar në Shqipëri?

Pichler: Herën e parë kam qenë në Shqipëri me një ekskursion të Universtetit të Gracit në korrik të vitit 1989. Kemi udhëtuar me autobus, ndërkohë që kur arritëm në kufirin e Malit të Zi rrija tërë frikë, pasi mendoja se duhet të prisja flokët e mia të gjata. Flokët e gjatë ishin të ndaluara në Shqipërinë komuniste dhe mbaheshin si shenjë e dekadencës perëndimore. Për fat shpëtova! Shkodrën e arritëm kur dielli sapo po perëndonte, në atë kohë që sapo niste dhe xhiroja. Kur zbritëm nga autobusi na shihnin të gjithë, por ne nuk na lejohej të flisnim me vendasit, pra morëm drejtime të ndryshme. Atmosfera më kujtohet shumë e pazakontë, mungonin reklamat, dritat e shumta, gjithçka kishte nuancë gri, rrobat e njerëzve, kostumet e burrave. Burra kishte shumë, vetëm burra të cilët i kishin flokët e prera njësoj dhe të heshtur ecnin si pa drejtim të caktuar. Pra, kafenetë e mbushura plot si në Itali mungonin, gjithashtu dhe vendet argëtuese. Mua s‘më kujtohen fëmijë që luanin, njerëz që qeshnin, por vetëm fytyra serioze, njëkohësisht kurioze, por në distancë.

Albinfo.at: Fotot tuaja tejet impresionuese përfshijnë elemente antropologjike dhe historike. Çfarë ndodh në momentin kur kombinohen baza shkencore me aspektin emocional?

Pichler: Shkencat kulturore s´janë asnjëherë pa emocione. Duke u nisur që nga frymëzimi për një temë të caktuar, influencohemi menjëherë nga emocionet. Interesi i madh për një temë të caktuar të bën të jesh si i fiksuar me të, duke të shtyrë të kërkosh më tej, të hedhësh pyetje të reja për të përvetësuar sa më shumë dhe për të njohur këndvështrime të ndryshme. Nuk është se ekziston “objekti” diku jashtë, por ti je vetë pjesë e kërkimit, kjo është një pjesë emocionale e paevitueshme, një proces me të mirat e këqijat e tij.

Puna me fotografinë sjell dimensione të tjera tek kjo. Fotografitë duhen parë si dokumentet nëpër arkiva, ato mund të studiohen për të zbuluar apo analizuar të vërtetat që shpalosen në to. Në këtë mënyrë ne mund të shohim direkt në të kaluarën, gjë që shpesh dhe të bën dhe konfuz. Këto janë udhëtime në të kaluarën të cilat mund të ndihmojnë dhe për të stimuluar kujtesën, qoftë dhe për të biseduar rreth saj. Zakonisht fotografitë fiksojnë momente të gëzuara, por ato mund të jenë dhe shumë traumatizuese. Kjo duhet marrë gjithnjë parasysh kur punon me fotografinë. Vetë fakti që një fotografi kap një moment në vazhdimësinë kohore dhe ky moment është i pakthyeshëm, sjell emocionin i cili ne na prek. Pse na prekin dhe emocionojnë fotografi të ndryshme, shpesh dhe fuqishëm? Kjo ka të bëjë me faktin se ne kuptojmë që koha të cilën ne shohim, nuk kthehet me pas. Fotografia përfaqëson fundin e dukshëm, me të cilën konfrontojmë shpesh mendimet tona. Ka dhe fotografi të cilat as nuk i shohim dot, pasi as nuk duam të kujtojmë ato momente të kapura. Kujtimet tona janë nga ana tjetër të përbëra nga fotografitë, pra kujtesa mban sekuenca të fëmijërisë të mbetura si fotografi në kokën tonë. Shqipëria është shumë interesante në këtë aspekt, sepse gjatë komunizmit s`ka patur pothuajse fare fotografi private. Kujtesa ishte e politizuar, e vendosur nën kornizat komuniste, se çfarë duhet të shfaqej e çfarë jo. Rutina ditore nuk mund të fiksohej nëpërmjet fotografive reale, gjithçka ishte tejet e censuruar. Në vitet 90-të dhe deri në ato 2000-ta nuk punohej ende me kujtesën, gjë që ka ndryshuar shumë në kohët e fundit. Ky ndryshim ishte aq i madh sa që ne vendosëm të krijojmë projektin e viteve 90-të. Pra, tashmë shoqëria është hapur për të përpunuar kujtesën, ka filluar një etapë e re, e cila projekton si refleksion ashtu dhe kritikë. Fotografia është si objekt ashtu dhe subjekt i hulumtimit dhe shkencës, ajo shpalos estetikë, ëndrra dhe ndjenja të papërshkrueshme.

Albinfo.at: Na tregoni një ngjarje gjatë punës tuaj me komunitetin shqiptar, e cila ju ka mbetur në kujtesë?

Pichler: Do të thosha më mirë që kanë qenë mbresëlënëse dhe ka disa episode të tilla. Përveç natyrës e cila është me të vërtetë fantastike, udhëtimeve aventureske etj., kanë qenë njerëzit ata që më kanë lënë më shumë mbresa. Një kohë e veçantë për mua kanë qenë vitet 1993-94 në Mserr të Nikaj ku jam pritur nga familja Sokoli në një mënyrë të shkëlqyer. Kjo familje më ka pritur me respekt, vëmendje dhe dëshirën e madhe për të më integruar në mentalitetin e tyre. E gjitha kjo në kushte të papërfytyrueshme për perëndimin. Kjo periudhë më ka lënë shumë mbresë dhe më ka prekur pozitivisht. Atje kam mësuar shumë nga ata njerëz, të cilët ndoshta nuk kishin shkollimin si ne, por kishin një logjikë të shëndoshë edhe pse jetonin në ato kushte. Ata ishin po ashtu të etur për të njohur “botën” më tej.

Ka pasur dhe gjëra negative, të cilat më kanë zhgënjyer, si psh. viti 1997, një vit i shkatërrimit dhe i dhunës. Kam përjetuar nga afër se si ra një shtet, se si u shkatërruan shkollat e muzetë apo infrastruktura. Ishte e tmerrshme të shikoje se sa shpejt mund të hypin në fuqi forcat dhe aktorët dhunues e shkatërrues.

Albinfo.at: Ju keni thënë se keni mësuar shumë nga shqiptarët. Mund të na e konkretizoni këtë?

Pichler: Shumë e vërtetë. Unë kam mësuar shumë nga miqtë dhe të njohurit e mi shqiptarë. Kam fatin për shkak të gjuhëve që flas të jem pritur gjithnjë mirë në Shqipëri. E njëjta gjë vlen për Maqedoninë e Veriut, ku kam hulumtuar kohë të gjatë, si dhe për Kosovën. Shqiptarët kanë një konsideratë të veçantë dhe shumë respekt për njerëz që merren me gjuhën dhe kulturën e tyre. Ata janë mësuar në të shumtën e rasteve të mësojnë gjuhë të huaja, aq më tepër surprizohen kur një i huaj flet gjuhën e tyre. Kam përjetuar një mikpritje të shkëlqyer nga familje që jetonin në varfëri të madhe, por prapëseprapë tregonin besim. Kam parë dhe kuptuar se ç`do të thotë solidariteti familjar dhe mbështjetje e anasjelltë, se si këto vlera nënvizojnë krenarinë dhe japin forcë për ta marrë fatin në dorën tënde apo ndyshuar atë. Vlerësimi i madh që më është dhuruar, më ka ndryshuar për mirë dhe duke parë se çfarë problemesh elementare mund të ekzistojnë, kam fituar një besim dhe shpresë, të cilat ndoshta nuk do t‘i kisha marrë kurrë pa vizituar Shqipërinë.

Albinfo.at: Integrimi është një proces i shumanshëm, pra shumë  kompleks. Si mund të na e përshkruani këtë proces në lidhje me komunitetin shqiptar (nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut). Çfarë ka shkuar mirë në këtë drejtim dhe në cilat drejtime duhet ende shumë punë?

Pichler: Pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë në Austri, vijnë nga Ish-Jugosllavia. Shqiptarët nga Shqipëria kanë ardhur pas rënies së komunizmit. Gjithashtu vijnë shumë shqiptarë të Shqipërisë nga qytetet dhe në të shumtën e rasteve për të bërë universitetin në Austri. Ky përbën një ndryshim në krahasim më emigrantët nga Ish-Jugollavia të cilët kanë emigruar që në vitet 60-të në kuadër të periudhës të punëtoreve të përkohshëm, pra, me viza dhe leje qëndrimi pune. Këta të fundit i përkisnin klasës së punës dhe vinin nga fshatrat. Përvojat e diskriminimit dhe margjinalizimit janë rrënjosur, le të themi, thellë në bigrafitë e tyre. Në këtë kohë ato ju bashkangjitën shoqatave dhe organizatave për të mbështetur strukturat paralele të vendeve të tyre. Shumica e emigrantëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë mbajtur ldhje të forta me vendin e tyre dhe njëkohësisht patën si fillim qëllimin që ata dikur të kthehen në shtëpi. Pra, në këtë aspekt integrimi as që ishte qëllim, duke mos u punuar aspak në këtë drejtim. Gjithashtu dhe politika austriake ka bërë shumë pak, pasi gjithmonë është mbajtur në iluzionin që emigrantët e punës dikur do të ikin nga shteti. Ndërkohë, në vitet 90` kanë filluar ardhjet e familjeve të tyre duke e kthyer qendrën e jetesës në Austri. Ky fenomen ka ndryshuar krejtësisht kornizat dhe qëllimet për të ardhmen. Shumë grave dhe fëmijëve ju desh të përballen me kode kulturore, infrastrukturë dhe një gjuhë të cilat ishin krejtësisht të reja për ta. Kjo ka sjellë probleme të shumta duke marrë parasysh që integrimi është një proces tejet kompleks, pra, përballja me “Të Huajën”, lidhja e fuqishme me vendlindjen si dhe pranimi minimal nga ana e shoqërisë austriake kanë ndikuar që shqiptarët të qëndrojnë në rrethin e tyre, shpesh të mbyllur.

Nga ana tjetër, kemi dëshirën e mirë për arritje në aspektin shoqëror, këtë e fakton numri i madh i ndërmarrjeve apo firmave shqiptare në Austri. Nëpërmjet kësaj shtylle dhe asaj të shkollimit të të rinjve shqiptarë vihet re një trend shumë pozitiv i integrimit.

Albinfo.at: Paragjykimet janë fatkeqësisht kudo të pranishme. Në çfarë forme dhe çfarë niveli ndikojnë ato për keq në integrim?

Pichler: Fatkeqësisht paragjykimet apo le të themi gjykimet reflektohen në lidhje me shqiptarët në shumë shtresa të shoqërisë. Por, edhe anasjelltas ekzistojnë paragjykime të shqiptarëve kundrejt austriakëve. Ama ato kundrejt shqiptarëve janë shumë më të rënda dhe problematike, duke vështirësuar kështu mundësitë për hyrje në jetën normale si për gjetje vendbanimi apo punësimi. Një problem i madh këtu është se shumica e austriakëve kanë shumë pak besim tek shqiptarët. Asocimet që lidhen më shqiptarët kanë akcent negativ si krimi i organizuar, prostitucioni, trafiku i njerëzve apo pozicionimi i burrave në piedestal. Më tej u shtua që prej aktit terrorist në Vjenë, islamizmi radikal. Këto asocime mund të zhduken me vështirësi të madhe nga mendjet e njerëzve. Është e vërtetuar shkencërisht se steriotipet dhe *para*-gjykimet negative ndikojnë më thellë dhe më gjatë në afat kohor, sesa ato pozitive. Për fat të mirë është e vërtetuar njëkohësisht që paragjykimet kanë potencial të madh për ndryshim dhe ato mund të ndryshojnë.

Shumica e shqiptarëve mundohen të distancohen këtyre paragjykimeve duke u bërë shpesh shembull për integrim. Shumë pozitiv është fakti i lulëzimit të turizmit këto vitet e fundit. Austriakët të cilët udhëtojnë në Shqipëri janë të befasuar nga vendi dhe njerëzit, nga çiltërsia, kurioziteti apo bukuria e natyrës dhe pasuria historike. Kjo pjesë e austriakëve vlen si shumëzues i mendimit pozitiv kundrejt Shqipërisë, duke shpresuar që kjo të sjellë më shumë respekt në vend kundrejt njëri-tjetrit.

Albinfo.at: Çfarë do t’i jepnit komunitetit tonë me vete për të ardhmen?

 Pichler: Të them të drejtën, nuk dua të jap shumë këshilla, pasi kjo mund të keqkuptohet si mendjemadhësi, gjë që shkakton për momentin direkt reagime alergjike. Ama ka disa gjëra të cilat unë do t´i dëshëroja. Shumë shqiptarë deri në rrethet akademike kanë ende mendime të polarizuara. Le të themi është krijuar një pol, i cili nuk ka besim tek askush tjetër, duke hedhur poshtë dhe argumentet më të mira të mundshme. Ky fenomen ndikon për keq pasi krijon pengesa në komunikim duke e pasqyryar këtë në politikën e shtetit nga i cili ne vijmë. Unë do të dëshiroja më shumë dialog, autoreflektim kritik, si dhe gatishmëri për kompromis. Të gjitha këto do të forconin marrëdhëniet brenda rrethit, brenda shtetit, por njëkohësisht do të mundësonin një marrëdhënie më të distancuar me të ashtuquajturit “armiqtë politikë”.

Albinfo.at: Nuk mund të largohemi pa u parashtruar edhe një pyetje: Menjëherë pas ndeshjes Zvicër – Serbi, e zhvilluar në “Kampionatin Botërorë 2022” në Katar, Ju keni bërë një kritikë në lidhje me trajtimin e temës së pasqyrimit të lojtarëve shqiptarë të skuadrës zvicerane. Postimi  i juaj është komentuar jashtë mase dhe është kritikuar ashpër veçanërisht nga komuniteti shqiptar. Mund të na sqaroni se farë keni nënkuptuar konkretisht?

Pichler: Kritika ime kundrejt lojtarëve shqiptarë të Zvicrës në Kampionatin Botëror ka sjellë shumë reagime dhe ka prekur shumë shqiptarë. Një sqarim është shumë i rëndësishëm, aq dhe i nevojshëm, pasi ishte një reagim i imi shumë spontan kundrejt interpretimit festiv dhe keqpërdorimit të skenave nga mediat sociale. Në mënyrë konkrete çfarë më shqetësoi mua ishte që ky spektakël u keqpërdor për të shuar etjen e hakmarrjes dhe festimit të maskilizmit në përmasa gjigante. Pra, më shqetësoi fakti që shqiptarët e përdorën fitoren e Zvicrës si fitore të Kosovës e Shqipërisë kundër Serbisë. Shumë shqiptarë madje e kanë ndjekur lojën për të përjetuar nacionalizmin dhe ndoshta sërisht ndjenjat e Botërorit në Kalingrad kundër Serbisë në vitin 2018. Ky fakt më bëri shumë konfuz, që të jetë mëse normale që skuadra kombëtare zvicerane apo dhe vetë sporti të degradohen në instrumente të nacionalizmit. Ndërkohë, këtu nuk u festua fare për fitoren e Zvicrës, por thjesht ne ua treguam qejfin serbëve, sikur kjo të ishte gjëja më normale në botë.

Preteksti i kësaj sjellje u argumentua thjesht: “Serbët na kanë provokuar ne, atëherë t´i provokojmë dhe ne ata”. Shumica e postimeve kundra kritikës sime u bazua në idenë që unë jam kundër shqiptarëve dhe me të vërtetë, unë duhet të kisha postuar gjithashtu fotot e flamurit të serbëve mbi kabinat e lojtarëve apo momentin në të cilin Granit Xhaka u kap për fyti nga kapiteni serb. Menjëhëre u vulos personi im si i njëanshëm dhe si armik, pa pritur e pa kujtuar unë nuk isha më “miku i shqiptarëve”, por një perëndimor që vuri gishtin e tij arrogant mbi shqiptarët.

Albinfo.at: Si mendoni, ishte reagimi i juaj paksa i ngutshëm?

Pichler: Për ta sqaruar edhe një herë, unë vura gishtin tim mbi shqiptarët, vetëdijshëm, pasi unë kam qenë dhe jam shumë afër shqiptarëve, pra, nëpërmjet punës time të gjatë me ta, mendoja gjithnjë që i përkas brendësisë së tyre. Pa dyshim që kam gjykuar gabimisht se nuk kisha nevojë të jem objektiv në pozicionin tim. Dhe e përsëris, sjellja shoviniste e trainerit dhe lojtarëve serbë meritojnë po ashtu shumë kritikë dhe kjo duhet të jetë e qartë.

Për t’u rikthyer edhe një herë tek kritika ime provokative: Unë theksoj se kjo i referohet keqpërdorimit të instrumenteve për të festuar shovinizmin dhe maskilizmin. Sigurisht në sport vlen rivaliteti, por dhe aty ka disa rregulla dhe mbi të gjitha rregulla morale ku duhet të tregojmë emancipim dhe jo të festojmë vlerat e një shoqërie të vjetër ku mbizotërojnë nacionalizmi sipërfaqësor, maskilizmi dhe patriarkati. Edhe një herë, kjo vlen për të gjitha anët!!

Unë mendoj që sporti të përdoret ashtu si dhe duhet, për të lidhur, për dialog, për të festuar barazinë e gjinive, për të treguar që po bëhemi një shoqëri tolerante dhe e emancipuar, por asnjëherë për të na rikthyer pas duke përforcuar ndjenjat negative. Reagimet e ndryshme nuk më surprizuan, madje edhe jam kërcënuar, por detyra ime si shkencëtar është, të them të vërtetën dhe të jem pro emancipimit. Të kërcënosh në emër të babës nuk duhet lejuar më, pasi kjo nuk është sjellje e tolerueshme dhe madje duhet sanksionuar. Një mësim që unë kam marrë nga reagimi im emocional ishte që gjithnjë është e nevojshme të bëhesh thjesht objektiv, pra, jo emocional, kur ke të bësh me tema delikate si këto.