Lajme
AlbGala 2025: Mbrëmja ku u afirmua ekselenca shqiptare në Zvicër
Një mbrëmje solemne që u mbajt në Langenthal bashkoi elitën shqiptare në Zvicër dhe vlerësoi arritjet më të spikatura të vitit.
Platforma mediale albinfo.ch organizoi mbrëmjen e saj vjetore AlbGala 2025, një nga eventet më prestigjioze të komunitetit shqiptar në Zvicër. Në një ambient elegant dhe ceremonial, u bashkuan diplomatë, politikanë, filantropë, personalitete nga biznesi, arti, kultura, shëndetësia, sporti dhe jeta shoqërore, duke krijuar një mozaik të përfaqësimit të vlerave, arritjeve dhe ndikimit të diasporës shqiptare.
Ngjarja u nderua me praninë e përfaqësive diplomatike nga të gjitha hapësirat shqiptare, figurave të jetës politike shqiptaro-zvicerane dhe një numri të madh personalitetesh publike, duke e shndërruar mbrëmjen në një takim elitar të komunitetit tonë në Zvicër.


Mbrëmja u hap me elegancën e moderimit të Berat Miftarit, ndërsa sopranoja Flaka Goranci solli një interpretim solemn dhe festiv, duke i dhënë skenës një dimension artistik që i përshtatej natyrës së një nate gala.

CEO i platformës mediale albinfo.ch, Sevdail Tahiri, mbajti një fjalë ceremoniale me ton diplomatik, duke shprehur mirënjohje për sponsorët strategjikë të mbrëmjes: BAU Investment Schweiz AG, smzh, Orllati Group, Air Prishtina, AMAG, RIA, Multinet, Noor Bau Management, Munishi AG, Green House, Halli Partner, Mahagoni, Drop In Lab, ASM Immobilien AG dhe My Laser Vision, Gani Transport, AMC dhe Think B Agency nga Prishtina me Erisa Jakupin dhe Janina Mehmeti.
Ai theksoi se përkrahja e tyre nuk është vetëm kontribut i thjesht, por një akt besimi, vizioni dhe përgjegjësie që e forcon rolin e platformës mediale albinfo.ch në jetën publike të Zvicrës dhe i jep diasporës shqiptare një pozicion të respektuar.
Tahiri nënvizoi se platforma mbështetet nga partnerë besnikë e afatgjatë në gjithë Zvicrën dhe diasporën, mbështetje e cila e ka shoqëruar albinfo-n në çdo projekt të rëndësishëm.
Ai rikujtoi se rritja e platformës – sot mbi një milion vizita mujore – është rezultat i përkushtimit të ekipeve redaksionale në Zvicër (Blerim Shabani, Bekim Dalipi, Luljeta Ademi, Rromir Imami), Kosovë (Bahri Rexha) dhe Austri (Arben Gjinaj). “Ky bashkëpunim ndërkufitar,” theksoi ai, “është forca jonë e përbashkët. albinfo.ch është një urë besimi, një platformë që i lidh shqiptarët kudo që jetojnë dhe i jep diasporës një zë profesional e të pavarur.”
Themeluesi i platformës, Dr. Bashkim Iseni, solli një reflektim mbi historikun e albinfo.ch, duke theksuar se misioni i saj ka lindur nga nevoja për një zë profesional të diasporës, i cili sot mishëron integritet, vazhdimësi dhe përgjegjësi shoqërore.
Ndarja solemne e çmimeve – Personalitetet Shqiptare të Vitit 2025
Ceremonia e ndarjes së çmimeve ishte momenti kulmor i mbrëmjes, ku u nderuan personalitete që me punën e tyre kanë shënuar vitin 2025 në komunitetin shqiptar të Zvicrës.
Lorik Cana – Ambasador i kulturës
Kapiten legjendar i Kombëtares, figurë unifikuese dhe ambasador i kulturës përmes projekteve filantropike e dokumentare. Çmimin ia dorëzoi Gzim Hasani, i cili theksoi: “Nderimi për Lorikun është nderim për të gjithë shqiptarët që përfaqësojnë vendin me dinjitet. Ne jemi një komunitet i fortë kur qëndrojmë së bashku dhe mbështesim njëri-tjetrin.”
Shkelzen Doli, violinist i Filarmonisë së Vjenës prezanton çmimin e ndarë për Elina Dunin – Personaliteti në fushën e kulturës
Artiste e kalibrit ndërkombëtar që ka sjellë identitetin muzikor shqiptar në skenat evropiane. U lidh drejtpërdrejt nga Polonia për të falënderuar komunitetin. Çmimi ishte paraparë t’i dorëzohej nga Shkëlzen Doli, violinist i Filarmonisë së Vjenës.
Merita Pinta – Personaliteti në fushën e biznesit
Sipërmarrëse që ka ngritur standarde të reja në kujdesin shëndetësor dhe punëdhënëse e mbi 100 punëtorëve, modele e lidershipit të grave në biznes. Çmimin ia dorëzoi Dr. Fatime Imeri Berisha, kryetare e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare..
Dr. Përparim Limani – Personaliteti në fushën e shëndetësisë
Kirurg i profilit të lartë, i emëruar në krye të Klinikës së Kirurgjisë Viscerale në Kantonsspital Aarau, një arritje historike për mjekësinë shqiptare. Çmimin ia dorëzoi Berat Miftari.
Musa Kamenica – Personaliteti në fushën e politikës
Kryetar i Parlamentit të Lozanës, figurë simbolike e përfaqësimit dinjitoz të diasporës shqiptare në institucionet zvicerane. Çmimin ia dorëzoi Përparim Avdili, kandidat për qytetin e Cyrihut nga FDP, i cili theksoi: “Pavarësisht dallimeve politike, ne bashkëpunojmë dhe mbështesim sukseset që nderojnë komunitetin shqiptar.”
Fehmi Mahalla – Personaliteti në fushën e sportit
Kampion i shumëfishtë ndërkombëtar dhe trajner i sportistëve elitarë në Kosovë, Shqipëri dhe Zvicër; figurë referuese e sporteve marciale. Çmimin ia dorëzoi Dr. Albin Karaqi, mjek dhe bartësi i shumë titujve ndërkombëtarë në karate.
Adrian Bajrami – Personaliteti në fushën e futbollit
Futbollist me origjinë nga Struga, aktiv në FC Luzern dhe në Kombëtaren e Zvicrës, përfaqësues i brezit të ri shqiptar. Çmimin ia dorëzoi Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri.
Mbrëmja u pasurua nga performanca e Majlinda Cikaqit dhe bendit të saj nga Prishtina, të cilët sollën elegancë, energji dhe një atmosferë festive.
Ngjarja u mbajt në Meilenstein Langenthal, nën mikpritjen vëllazërore dhe profesionale të Mentor Komanit, i cili u shpreh i nderuar për praninë e personaliteteve dhe tha: “Ndjehuni sikurse në shtëpinë tuaj.” Ai ofroi një ambient ceremonial dhe shërbim të nivelit të lartë, duke e bërë mbrëmjen të paharrueshme.
AlbGala 2025 u shndërrua në një deklaratë të identitetit, unitetit dhe suksesit të diasporës shqiptare në Zvicër. Suksesi individual u kthye në krenari kolektive dhe rrëfimi i diasporës mori formën e një vizioni të përbashkët që forcon lidhjet me njëri-tjetrin dhe me shoqërinë zvicerane.
AlbGala mbetet një ngjarje ku vlerat tona ndërthuren me profesionalizmin, ku kultura takohet me diplomacinë dhe ku diaspora shqiptare rikonfirmon çdo vit vendin e saj me dinjitet, ambicie dhe vizion.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
Foto: Genti Mersinaj
E-Diaspora
-
Nata e dytë e Tri Net Film Fest Mbrëmja ritheksoi nevojën për përgjegjësi kolektive ndaj kulturës dhe pjesëmarrjes aktive të publikut... -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit -
Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora -
Berlin
Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar -
Nju-Jork
Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes
Jeta në Zvicër
-
Norma bazë e interesit pritet të mbetet në zero për qind Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) ka të ngjarë të vazhdojë politikën e saj aktuale të normës... -
Radarët e motit po përdoren për të numëruar insektet fluturuese -
Cyrih: Skela 80 metra e lartë në një ndërtesë të lartë rrezikon të shembet -
Industria zvicerane e hoteleve drejt niveleve të reja pas verës rekorde -
EES dhe ETA: Çfarë të prisni kur udhëtoni për në dhe nga Zvicra këtë Krishtlindje


























