E-Diaspora

albinfo.ch zgjedh Leyla Ibrahimi-Salahin & Bernard Challandes, Personalitete të Vitit 2019

Leyla Ibrahimi-Salahi (Lejla Ibrahimi -Sallahu), pronare e kompanisë ajrore “Chair airlines”, dhe Bernard Challandes, trajner i Përfaqësueses së Kosovës në futboll

Ndodhemi në fund të vitit kalendarik 2019. Në çdo fund viti, është një rregull i pashkruar që të bëhen bilance, rekapitullime, përzgjedhje, rishikime të gjithë asaj që ka ndodhur në vitin që po e lëmë pas. Duke vepruar kështu, ne duam të bëjmë një ndalesë në kohë, për t`i zgjedhur ngjarjet, zhvillimet më përfaqësuese të vitit dhe sigurisht, edhe personalitetet që e kanë shënuar këtë periudhë kalendarike.

Platforma albinfo.ch Online & Print duke ndjekur këtë zakon ka bërë përzgjedhjen e saj në fushën që mbulon: është përpjekur të shënjojë se cilët nga personalitetet që lidhen me diasporën shqiptare në Zvicër e kanë shënuar vitin 2019, i kanë dhënë ngjyrë, emocion dhe shpirt këtij viti që po shkon.

Shpejt jemi ndalur te dy prej tyre: Leyla Ibrahimi-Salahi (Lejla Ibrahimi -Sallahu), pronare e kompanisë ajrore “Chair airlines”, dhe Bernard Challandes, trajner i Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Sa i përket Leyla Ibrahimi-Salahi, ajo është shembull i një gruaje afariste të suksesshme, përmasat e së cilës i kalojnë kufijtë e komunitetit shqiptar të Zvicrës. Ajo, edhe pse ende e re, ka disa vjet që ka shënuar prani serioze në botën e biznesit në Zvicër e më gjerë. Duke drejtuar prej më se dhjetë vjetësh agjencinë “Air Prishtina”, Lejla ka treguar seriozitet dhe qëndrueshmëri të admirueshme për të rritur kompaninë e saj. Ajo nuk është mjaftuar me vazhdimin e thjeshtë të biznesit që e kishte trashëguar nga babai i saj i ndjerë, Bexhet Sallahu, “pionier” ndër shqiptarët sa i përket  biznesit me fluturimet. Pas një sërë masash të modernizimit dhe avancimit të punës në Air Prishtina, Lejla Ibrahimi – Sallahu ka provuar veten së fundi edhe në “një ligë më lart”. Afërsisht një vit më parë ajo ka blerë aksionet e pjesës zvicerane të kompanisë “Germania Flug”. Dhe pak muaj më pas, kompania e re me tre aeroplanë në pronësi të veten, merr emrin “Chair Airlines”. Këto janë, disa nga shenjat që zonja Sallahu la në vitin që po shkon. Arritje të mjaftueshme për të merituar titullin “Personaliteti i Vitit 2019” nga Albinfo.ch online dhe print.

Për Bernard Challandes, me konsolidimin e ekipit të Kombëtares së Kosovës në futboll, zvicerani frankofon ka arritur diçka që nuk e kanë arritur dot shumë personalitete (jo vetëm sportive) në Kosovë dhe përgjithësisht ndër shqiptarët. Seria e sukseseve të djelmoshave të Kosovës, e nisur në vitin pararendës, u vazhdua dhe u kurorëzua gjatë vitit 2019. Dhe, fitoret (edhe ndonjë humbje “me dinjitet” aty-këtu) mbanin vulën e trajnerit temperament, Challandes. Ai ka meritën që të rinjtë dhe të tjerët në Kosovë të shohin në ekipin kombëtar të futbollit një vlerë që meriton t`i falet besimi. Si fryt i punës në të cilën Challandes shkrin shpirtin e tij sportiv, në Kosovë u farkua ndjenja për të guxuar. Për të besuar se mrekullitë janë të mundshme. Të paktën në futboll, në fushë të sportit, nëse jo edhe në politikë dhe në fushat e tjera të jetës.

Sigurisht, fakti se Challandes është zviceran dhe punon në Kosovë, është një hallkë në mesin e shumë të tjerave që e bëjnë më kuptimplote lidhjen në mes të Zvicrës dhe Kosovës, shqiptarëve. Prandaj: Chapeau!  Monsieur Challandes!