Integrimi
Ambasadorët e tri shteteve i premtojnë mbështetje Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare të Zvicrës ka pasur dje aktivitetin e parë që nga zgjedhja e kryesisë së re: krerët e RRBSHZ janë pritur në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Bernë
Krerët e tri ambasadave: të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kanë pritur të hënën në Ambasadën e Kosovës në Bernë në një takim një delegacion të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Në krye të delegacionit ishte kryetarja e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Merita Pinta, e shoqëruar nga kryetari i nderit, afaristi Fehmi Fetahi, nënkryetari dhe afaristi i njohur Rexhep Berisha, si dhe anëtarët e kryesisë: Teuta Kerhani dhe Ylli Doko. Ata janë pritur nga Ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, Ambasadori i Maqedonisë, Kenan Ramadani dhe Valbona Fazliu-Rrecaj, Ministre-Këshilltare në Ambasadën e Kosovës në Bernë, raporton albinfo.ch.
Në takim ishte i pranishëm edhe këshilltari juridik i Rrjetit, Nazmi Jakurti.
Në këtë takim njohës, diplomatja Valbona Fazliu-Rrecaj, në emrin e Ambasadës së Kosovës në Bernë, pasi ka përshëndetur kryesinë e re të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, ka premtuar angazhim si përfaqësi diplomatike për të nxitur dhe mbështetur afaristët shqiptarë në Zvicër.
Po ashtu diplomatja kosovare është shprehur e gatshme që Ambasada e Kosovës në Bernë të ndërmjetësojë edhe në bashkëpunimin e Rrjetit me institucionet dhe organizatat tregtare dhe ekonomike zvicerane.
Edhe Ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, ka uruar zonjën Merita Pinta për zgjedhjen e saj në krye të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Diplomati nga Shqipëria ka rikonfirmuar mbështetjen për Rrjetin, që sipas tij, është i domosdoshëm në Zvicër.
“Rrjeti i Bizneseve Shqiptare për të pasur sukses duhet të funksionojë sikur që e keni nisur edhe ju, në bazë të një demokracie të brendshme, zgjedhjeve të rregullta dhe transparencës. Peshën e Rrjetit e vendos anëtarësia dhe objektivat tuaja”, tha diplomati Gjoni, duke kërkuar që marrëdhëniet me Rrjetin të jenë institucionale, me Ambasadën e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Gjonit, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare mund të jetë model për shkak të ndikimit moral dhe financiar për të bashkuar edhe organizatat e tjera shqiptare në tërë shtetin helvetik që të flasin me një zë.
Edhe homologu shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kenan Ramadani, ka mbështetur aktivitetin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare. Diplomati nga Maqedonia ka ofruar bashkëpunimin me odat ekonomike të Maqedonisë.
“Ne do të angazhohemi që t’i evitojmë antagonizmat për të mirën kolektive të komunitetit shqiptar në Zvicër”, ka thënë, veç tjerash, z. Ramadani.
Kryetarja e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Merita Pinta, është zotuar para diplomatëve të tri shteteve për partneritet të fuqishëm, po edhe për rrjetëzimin e bizneseve shqiptare që do të ketë ndikim edhe në vendin pritës, po edhe në vendet e origjinës në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Kryetari i Nderit i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare, Fehmi Fetahi, është shprehur se kryesia e re tregon për një imazh të ri të rrjetit, përtej interesave të ngushta. “Rrjeti është jopolitik e as nuk do të ketë ndarje regjionale. Gjuha e vetme do të jetë komunikimi në biznes”, tha Fetahi, duke premtuar një kthesë në riorganizimin e bizneseve shqiptare në Zvicër, që kanë potencial të jashtëzakonshëm në Zvicër.
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër për herë të parë prej themelimit të tij, në vitin 2013, udhëhiqet nga një grua.
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër është themeluar në vitin 2013, si organizatë e parë e pavarur jopolitike dhe joprofitabile, si urë lidhës e bizneseve të diasporës me vendlindjen.
Tashmë funksionojnë mbi 20 rrjete biznesesh të shqiptarëve në tërë botën.
E-Diaspora
-
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë Hektor Krasniqi mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën: të linte pas futbollin austriak dhe... -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau
Jeta në Zvicër
-
Ferma më e lartë e erës në Evropë ndodhet në Zvicër Në 2,465 metra lartësi: Ferma e erës Gries, rekord evropian... -
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar















