Kosova
Analisti amerikan flet për shkuarjen e Haradinajt në Hagë
Analisti amerikan Edward P. Joseph thotë se krimet e së kaluarës, ato të kryera nga serbët kundër shqiptarëve dhe ato të shqiptarëve kundër serbëve apo qytetarëve të tjerë, rëndojnë mbi Kosovën.
Prandaj, sipas tij, paraqitja e kryeministrit në dorëheqje Haradinaj në Hagë është një mundësi e rëndësishme për të ecur përpara, duke iu përgjigjur pyetjeve për dyshime për veprime kriminale në të kaluarën.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori i Menaxhimit të Konflikteve në Universitetin Johns Hopkins, theksoi gjithashtu se dorëheqja e Haradinajt mund të ketë një ndikim të përkohshëm në dialogun Kosovë-Serbi.
I pyetur që të komentojë rastin e dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe më pas marrjen në pyetje të tij nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë, Joseph tha se kjo është një situatë e pazakonshme.
“Natyrisht, në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj, nuk është një rast i paprecedentë. Kjo tashmë ka ndodhur njëherë në të kaluarën në vitin 2005. Nga pikëpamja ime, kjo në fakt është një mundësi e rëndësishme për zotin Haradinaj dhe për Kosovën.
Krimet e së kaluarës, ato të serbëve kundër shqiptarëve, ato të shqiptarëve kundër serbëve dhe shqiptarëve të tjerë, ose krimi i pazgjidhur që mund të jetë kryer nga serbët kundër Oliver Ivanoviqit, rëndojnë mbi Kosovën. Në fakt, kjo është një mundësi e rëndësishme për zotin Haradinaj dhe për Kosovën për të ecur përpara, duke dalë para një gjykate të hapur dhe duke iu përgjigjur hapur dhe qartë pyetjeve mbi veprimet e së kaluarës dhe dyshimet për veprime kriminale në të kaluarën”, ka thënë Joseph.
Sipas tij, dorëheqja e Haradinajt është një zhvillim i madh për politikën e brendshme në Kosovë, ndërsa thekson se Haradinaj kishte kundërshtime të thella me presidentin Thaçi mbi qasjen ndaj bisedimeve të rëndësishme me Serbinë dhe diskutimet për njohje të Kosovës nga Serbia, që është pjesë e rrugës së përgjithshme të Kosovës drejt anëtarësimit në OKB, operimit të saj si një vend normal dhe në fund anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, që është e rëndësishme për të dyja vendet.
“Pra, ky zhvillim sjell një element të ri: largimin e zotit Haradinaj për momentin nga ekuacioni. Por nga ana tjetër në njoftimin e tij të dorëheqjes, ai këmbënguli që të vazhdojë të ruhet qëndrimi i tij i fortë kundër çdo ndarjeje territoriale të Kosovës, ose krijimit të një entiteti si Republika Serbe brenda Kosovës, që me sa duket ka mbështetje brenda partisë së tij dhe në Kosovë”, ka theksuar ai, përcjell Albinfo.ch.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Cyrih: Informohuni për mënyrën dhe procedurat e votimit Konsullata e Kosovës në Cyrih njofton datën e votimit në diasporë... -
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës -
Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit
Jeta në Zvicër
-
A është ky stacioni policor më i bukur në botë? Giacometti-Halle, shembull i artit mural monumental në stacionin policor të Cyrihut... -
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit -
Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel













