Kosova
Anila Shaqiraj, storie suksesi në fushën e modës, arkitekturës dhe artit
Shqiptarja e suksesshme, mes tri profesioneve në Itali
Shqiptarët kudo në botë kanë arritur suksese në fushat e tyre. Edhe Anila Shaqiraj është shqiptarja që po korr sukses në Itali. Ajo është një krijuese çantash në shtëpinë e modës Gucci, transmeton albinfo.ch.
Por, jo vetëm kaq, karriera e Shaqirajt është më shumë e shtrirë në shumë disiplina të artit dhe arkitekturës.
Ajo ka shpalosur jetën dhe karrierën e saj që nga momenti ku ajo fitoi konkursin e pikturës së organizuar nga UNESCO, konkurs ky që edhe e shpërfaqi talentin e saj, studimet në arkitekturë, përfshirjen në modë dhe hapjen e fondacionit ‘Mollakuqe’.
Një vajzë tejet kurioze mbi gjithçka e për jetën dhe definicionin e saj në tërësi, Anila Shaqiraj tregoi nëpërmjet kësaj interviste se si arriti të gjejë veten në shumë fusha duke eksploruar pikturën, arkitekturën, modën dhe edukimin përtej kufijve të zakonshëm, duke krijuar një rrugëtim të pasur në krijimtarinë e saj e duke dhënë një shembull frymëzimi për gjeneratat e reja.
Anila Shaqiraj, nga zbulimi i talentit deri tek studimet në Itali
Sado që Anila Shaqiraj e përshkruan veten si një vajzë të ndrojtur nga Shijaku, talenti i saj për artin dhe pikturën, megjithatë arriti të dalë në pah, e për këtë pati ndihmën e mësueses së saj, piktores Shpresa Beqiri, e cila vuri re këtë talent të saj, i cili më pas u përcoll edhe me çmime në konkurset ndërkombëtare të pikturës.
Pas suksesit të parë ndërkombëtar, Anila vazhdoi të ndiqte rrugën e talentit të saj, duke shprehur gjithnjë një dëshirë të fortë për mësim dhe zhvillim personal. Kjo ishtë periudha kur ajo filloi të ndjejë nevojën për një formim më të thellë dhe vendosi të ndjekë rrugën e arkitekturës. Megjithatë, për të realizuar këtë ëndërr, Anila Shaqira vendosi të studiojë jashtë Shqipërisë, duke zgjedhur Italinë për këtë qëllim.
“Nga aty kam vendosur të vij në Firencë për të studiuar arkitekturë, sepse në atë kohë në Shqipëri, universiteti nuk ishte i njohur jashtë dhe unë imagjinoja një fëmijë 18-vjeçar që kishte ëndërra. Kur fitova çmimin e pikturës isha 15-vjeç dhe nga aty pastaj fillon faza e adoleshencës kur ti mendon që do të bëhesh një person i famshëm dhe nëse dua të bëhem një person i famshëm duhet të kem një universitet që është i njohur në gjithë botën dhe kjo ishte ideja se pse unë i kërkova prindërve të mi që të studioja në Itali. Atyre në një farë mënyre ‘u ra pika’ sepse nuk mund ta imagjinonin që unë të largohesha, sepse ne ishim një familje me babanë inxhinier, nënën agronome, të dy me shkollë por ishin në rregull në Shqipëri, pra kishin punët e tyre dhe nuk mund ta imagjinonin të dërgonin fëmijën e parë në studime në Itali vetëm. Por ngaqë isha të themi një fëmijë i talentuar nuk më thonin dot jo”, deklaroi më tutje Anila Shaqiraj, duke përshkruar zhvillimet e këtij ndryshimi të madh në jetën e saj, vendim të cilin e kishte marrë ajo vetë.
Mëgjithatë, në fillimet e para në Itali, e përcollën sfida të mëdha, pasi kishte shkuar në një ‘botë’ tjetër, ku ishte pothuajse e vetme, pa asnjë të afërm pranë.
Pavarësisht kësaj, ajo ka treguar guxim dhe vendosmëri për të sfiduar vështirësitë. Rrugëtimi i Anilës për të arritur deri në Itali ka sjellë një ndryshim jo vetëm në jetën e saj, por edhe në jetën e atyre që janë prekur nga historia dhe sukseset e saj. Duke theksuar rëndësinë e talentit, kurioziteti, guximit dhe mbështetjes së miqve dhe familjes, Anila Shaqiraj ka krijuar një rrugëtim frymëzues që shërben si shembull i forcës dhe vendosmërisë në ndjekjen e ëndrrave.
Tranzicioni nga arkitektura në modë
Gjatë intervistës, Anila Shaqiraj e ritheksoi karakterin e saj përherë kurioz, tipar ky që e kishte të theksuar që e vogël. Prandaj edhe gjatë studimeve në arkitekturë, ajo tregon që nga kurioziteti, përherë është marrë edhe me studime e kurse të tjera ekstra shkollës.
Ajo tregon se tranzicioni nga arkitektura në botën e modës nisi si një periudhë lezetshme, por edhe sfiduese në jetën e saj. Duke studiuar arkitekturë në Itali, një fatkeqësi familjare e ndërpreu rrugëtimin e saj shkollor për një periudhë, por kjo ndërprerje e dha kohën dhe hapësirën për të ndryshuar perspektivën e saj.
“Gjatë studimeve në arkitekturë, pata një fatkeqësi familjare, babai im pësoi një sëmundje të rëndë që pasoi edhe në 20 vitet në vijim, unë aty pata një lloj ndërprerje të studimeve dhe kur i rimora pas një viti, kishte kaluar kohë, ndërkohë, unë kam qenë person që gjatë studimeve kam qenë e interesuar edhe në gjëra të tjera, në fushën e spiritualitetit, të artit, të psikologjisë dhe në njëfarë formë kisha gjithmonë radarët e ndezur dhe në atë periudhë pasi rifillova studimet më ishte ofruar edhe të bëja asistenten në universitet të një kursi projektimi dhe kisha qasje të disa ngjarjeve që bëheshin në universitet dhe pashë që kishin hapur disa kurse formimi mbi projektimin e çantave dhe ndërkohë unë isha akoma studente, një profesoreshë universitare më kishte përzgjedhur si asistenten e saj, pra bëja edhe asistenten ndonëse kisha mbetur pak vonë me studimet”, u shpreh Anila Shaqiraj, duke treguar se jashtë universitetit, ajo ishte e përfshirë edhe në shumë kurse dhe përgjegjësi të tjera, megjithatë ajo vendosë ta bëjë edhe kursin për projektimin e çantave.
“Kur e pashë këtë kursin, thashë: ‘Sa e bukur qenka kjo për çanta’ sepse kur merresha atë kohë me pikturë, mbaj mend që më kishin intervistuar në TVSH sepse isha ‘kinse’ e famshme, dhe në njërën nga ato intervistat mua më pyetën se ‘çka do të bëhesh kur të rritesh, stiliste?, dhe mbaj mend që u jam përgjigjur që nuk e di ndoshta edhe stiliste sepse jeta është e gjatë mund edhe të ndryshoj mendje edhe e kam pasur gjithmonë fiksim këtë pjesën e sitlistes më shumë nga ana e modës edhe kur e pashë këtë broshurën thashë interesant të bësh çanta, ta shohim njëherë se si është kjo pjesë dhe u regjistrova por ishte ekstra orarit të studimeve, e bëra dhe thjesht më pëlqeu”, tha në vijim ajo duke shtuar se edhe pjesa e arkitekturës e ndihmoi që të spikasë edhe në këtë kurse, meqë i dinte disa rregulla bazë.
Ndonëse këtë kurs e kishte bërë thjesht nga kurioziteti, ai i hapi rrugë edhe më tej në fushën dhe industrinë të cilën ajo sapo kishte hyrë. Pas përfundimit të këtij kursi, organizatori i ka propozuar asaj një punë që kërkonte pikërisht zbatimin e njohurive të cilat ajo i kishte marrë në këtë kurs, megjithatë ajo fillimisht e refuzoi.
“Pas një viti, isha në vit të fundit në universitet dhe thashë me vete tani është momenti dhe pyeta atë profesorin sepse e ndjeja që kisha nevojë për një ndryshim. Personi që e organizonte këtë kurs ishte i lidhur me shumë kompani që kërkonin persona që e kishin përfunduar këtë kurs dhe më rekomandoi në njërën nga kompanitë më të mira në anën e Toskanën që bënin multi-brands, bënin marka të njohur. Pasi më morën në intervistë, pas 20 ditësh unë e gjeta veten duke punuar në këtë kompani”, thotë Anila gjatë intervistës për KultPlus, duke treguar zanafillën e përfshirjes së saj në brendet e njohura për çanta.
Ajo nëpërmjet kësaj interviste ka folur edhe për një tjetër pasion që ajo e praktikonte atë kohë e që ishte disiplina e ‘Feng Shui’, një traditë antike kineze për arredimin e shtëpisë.
“Gjatë universitetit, ndërkohë që unë punoja edhe në këtë kompani, unë kam pasur edhe një pasion tjetër që nuk doja të heqja dorë, kisha ‘Feng Shui’. ‘Feng Shui’ është një disiplinë e vjetër antike kineze që ka të bëjë me aredimin e shtëpisë sipas harmonisë. Unë gjatë arkitekturës kisha njohur këtë disiplinë të lashtë dhe isha fiksuar pas ‘Feng Shui’ dhe kur fillova të punoja me çanta, nuk doja assesi të tija edhe disiplinën e ‘Feng Shui’ e për këtë arsye nuk doja ta merrja orarin e plotë”, tha ajo duke shtuar se i kishte vënë vetes kusht ta praktikonte edhe këtë disiplinë.
Gucci – nga frika se po hyn në një ambient të egër dhe sfidues, në një vend që i hapi dyer të mëdha
Pas shumë viteve punë në kompani që prodhonin multi-brende shumë të njohura botërisht, Anilës, një ditë i erdhi një propozim shumë i veçantë nga një profesor që e kishte njohur në një nga kurset e shumta që ajo kishte ndjekur. Ai i kishte propozuar punë në kompaninë e Guccit dhe se po kërkonin një projektuese me kualifikimet e saj, megjithatë këtë propozim ajo fillimisht e mori me skepticizëm.
“Të them të drejtën para se të hyja në këtë ambient më thanë ki kujdes se ai është një ambient i egër dhe sfidues, unë kisha punuar edhe në kompani të tjera, por për Gucci-n më thanë kujdes kur të hysh, thashë ta shohim. Mirëpo, ajo që mendoj është se ajo që bën diferencën është se si sillesh ti. Në këtë ambient nuk më ka nxjerrë dhëmbët asnjëri, sepse unë kam qenë gjithmonë një njeri që para se të merrte diçka, jepte. Kur më jepej ndonjë detyrë, unë bëja gjithmonë më shumë. Gjithmonë kam qenë person që jepte dhe ka pasur gjithmonë tapet të kuq kudo. Unë në Gucci kam hyrë në vitin 2015 dhe kam ndryshuar katër-pesë role sepse pikërisht kam qenë kurioze mbi gjithçka sepse puna më pëlqente dhe shkoja me entuziazëm në punë, por kjo është natyra ime, nuk është puna, është se si ti e sheh jetën”, shpjegon ajo fillimet e punës së saj në Gucci.
Në intervistën për KultPlus, Anila Shaqiraj shpalosi edhe me projektin e radhës në të cilin ajo po punon në kuadër të Guccit, e që ka të bëjë me restaurimin e çantave që kanë bërë bujë në historinë e Guccit, duke i sjellë në një version të ri, por duke mos ua humbur origjinalitetin.
“Unë tani merrem me një projekt shumë të bukur që quhet ‘Gucci Vault’. Gucci është një nga të vetmet kompani që ka një arkiv shumë të pasur historik me të gjitha produktet që janë bërë në histori, unë jam specifike për çantat dhe të gjitha artikujve me lëkurë përveç këpucëve. Kur unë jam propozuar para një viti e gjysmë, Gucci kishte pasur idenë për të krijuar një koleksion mbi vintage, artikuj që kanë bërë historinë, çantat e famshme që ruhen në arkiv dhe që janë përdorur edhe nga emra të njohur. Pra, zgjidhen këto lloj çantash vintage nga zyra jonë dhe mbi këto vendoset të bëhet një rinovim si nga ana e strukturës së çantës si dhe nga ana stilistike duke krijuar një çantë unike por duke ruajtur origjinalitetin dhe historinë e saj, vetëm duke shtuar disa punime specifike”, tregoi në vijim Anila Shaqiraj, duke shtuar se këto çanta më pas do të shiten për njerëz specifikë.
E-Diaspora
-
Restoranti shqiptar “Illyria Grill” rikthehet në Schafisheim AG Pronari i restorantit, Musa Komani, nga Gjakova tregon për albinfo.ch se si ka marrë guximin të...
-
Kërkohej nga Italia si trafikant droge, kapet në Durrës 41-vjeçari shqiptar
-
Daily Telegraph: 1 në 50 shqiptarë në Angli është në burg
-
Kanada
Një serial i ri amerikan me aktoren shqiptare Lyra Xhoci
-
Naim Dina u zgjodh asamblist në qytetin Renens të Kantonit Vaud
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Festivali humb para për shkak të birrës falas Organizatorët e Festivalit të Muzikës Gurten në Bernë thonë se tenderët bujarë të bareve po kërcënojnë...
-
Lozana dëshiron të prezantojë një rregullore ‘të habitshme’ të duhanit
-
‘Kapsula vetëvrasëse’ është vënë në pritje
-
Një shtytje që pasaportat zvicerane të bëhen ‘pa gjini’
-
Kungulli më i rëndë i Zvicrës peshon mbi 700 kilogramë