Lajme

Anketat tregojnë se iniciativa kundër emigracionit ka gjasa të refuzohet në Zvicër

Dy sondazhe të reja sugjerojnë se shumica e votuesve do të votojnë kundër nismës “Jo 10 milionëve” në referendumin e 14 qershorit

Vetëm dy javë para referendumit të 14 qershorit, iniciativa kundër emigracionit e njohur si “Jo 10 milionëve” duket se po humbet mbështetjen e nevojshme për t’u miratuar, përcjell albinfo.ch.

Sipas një sondazhi të realizuar nga instituti GFS në emër të transmetuesit publik zviceran, 52 për qind e të anketuarve janë shprehur se me siguri ose me shumë gjasa do ta refuzojnë propozimin, ndërsa 45 për qind kanë deklaruar se do ta mbështesin atë.

Rezultate pothuajse identike ka nxjerrë edhe një sondazh tjetër i publikuar nga grupi mediatik Tamedia. Sipas tij, 52 për qind e votuesve planifikojnë të votojnë kundër iniciativës, ndërsa 47 për qind në favor të saj.

Nisma “Jo 10 milionëve” synon të vendosë kufizime më të rrepta ndaj rritjes së popullsisë dhe emigracionit në Zvicër. Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se shumica e qytetarëve mbeten skeptikë ndaj propozimit, duke e bërë refuzimin e tij rezultatin më të mundshëm në votimin e ardhshëm. /Albinfo.ch