Lajme

Turistët e huaj mund të përfitojnë më lehtë nga kthimi i TVSH-së në Zvicër

Parlamenti mbështet uljen e pragut për kthimin e TVSH-së nga 300 në 150 franga

Turistët e huaj që bëjnë blerje në Zvicër mund të përfitojnë së shpejti më lehtë nga kthimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Këshilli Kombëtar ka mbështetur një propozim që synon ta bëjë vendin më tërheqës për vizitorët që shpenzojnë gjatë qëndrimit të tyre, përcjell albinfo.ch.

Të martën, deputetët miratuan një mocion të paraqitur nga deputeti Leo Müller, i cili kërkon uljen e shumës minimale të blerjeve për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së, nga 300 franga sa është aktualisht, në 150 franga.

Sipas Müllerit, turistët e huaj luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë zvicerane. Përveç produkteve të shtrenjta si orët zvicerane, ata blejnë edhe suvenire, specialitete ushqimore vendore dhe produkte artizanale, duke kontribuar në ekonominë lokale.

Ai theksoi gjithashtu se Zvicra ka aktualisht një nga kufijtë më të lartë për përfitimin e kthimit të TVSH-së krahasuar me shumë vende të tjera, gjë që e bën më pak konkurruese për blerësit ndërkombëtarë.

Nëse ndryshimi miratohet përfundimisht, turistët do të mund të kërkojnë kthimin e TVSH-së edhe për blerje me vlerë më të ulët, një masë që pritet të nxisë konsumin dhe të forcojë sektorin e turizmit dhe tregtisë në Zvicër. /Albinfo.ch