Autotech

“Ape” shënon 70-vjetorin

Qindra automjete shumëngjyrëshe u mblodhën në një vend për të festuar 70-vjetorin e  Ape, produktin e prodhuesit italian të skuterëve Piaggio.

Ideuar në formën e një blete dhe krahasuar me Vespa, Ape është kamion me tri rrota.  Entuziastë nga e gjithë Evropa u mblodhën në Pontedera, shtëpia e Piaggios, për t’u bashkuar në festimet për automjetet e tyre shumë të veçanta.

Prezantuar në vitin 1948, dizajni kishte për qëllim të ndihmonte italianët e pasluftës të arrinin një automjet të lirë për të ndihmuar me transportin komercial.  Përfundimisht u krijua një pjesë për të mbuluar shoferin në pjesën e përparme. Ape gjithmonë është konsideruar si simbol i mënyrës së jetesës së fshatrave italiane.

“Si fëmijë kam jetuar në fshat dhe Ape ishte mjeti për të gjithë: punëtorët, artizanët dhe fermerët”, tha Eugenio Leone.  E për disa të tjerë, ky mjet është gjithashtu mënyrë për t’u ndier të rinj përsëri.

Me përshtatjet e duhura, Ape mund të bëhet gjithashtu një “shtëpi me rrota”, siç ka dëshmuar Stefan Hirsc me të ashtuquajturin “Ape-Camper” të tij, me të cilin ai ka udhëtuar nëpër Evropë në dhjetë vjetët e fundit. Ape përdoret shpesh në Itali, veçanërisht nga fermerët dhe pronarët e tregjeve.

Përveç zhurmës mbresëlënëse, nëse doni të dukeni të veçantë në qytet, italianët thonë se nuk ka asgjë të ngjashme me Ape.