Jeta në Austri

Arsim Gjergji, shqiptari me mandatin më të lartë politik në Austri

“Pjesëmarrja në zgjedhje është shumë e rëndësishme, dhe ju bëj apel të gjithëve shqiptarëve që të angazhohen dhe të marrin pjesë në këtë proces. Zëri ynë është i rëndësishëm, dhe vetëm duke votuar mund ta bëjmë atë të dëgjohet"

Arsim Gjergji është deputet (asamblist) në parlamentin e Graz-it, që është qyteti i dytë më i madh në Austri, pas Vjenës. Në intervistë për Albinfo.at, ai flet për përvojën e tij në politikë, për (pa)kënaqësinë me angazhimin e shqiptarëve të Austrisë në jetën politike të vendit dhe për nevojën që sa më shumë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 29 shtator 2024.

Albinfo.at: Në fillim të këtij viti ju jeni zgjidhur deputet(asamblist) në  parlamentin e qytetit të Gracit. Jeni shqiptari i vetëm që keni një mandat të tillë, të lartë në politikën austriake. Çfarë thotë kjo për ju?

Gjergji: Kam bërë betimin tim në mbledhjen e parë të këtij viti, më 17 janar 2024. Ceremonia ishte organizuar me shumë kujdes nga qyteti i Grazit, dhe ishte një moment shumë i veçantë për mua. Ishte një gëzim i madh të kisha pranë shumë bashkudhëtarë dhe mbështetës, përfshirë familjarët dhe miqtë e mi. Jam krenar të jem shqiptari i parë që përfaqësoj qytetin e dytë më të madh në Austri, Graz.

Albinfo.at: Prej që jeni bërë deputet, jeni aktiv për realizimin e ideve tuaja në këtë qytet. Cili është qëllimi apo cilat janë projektet tuaja nga pozita ku ndodheni aktualisht?

Gjergji: Që nga momenti kur u bëra deputet, kam investuar shumë kohë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit, veçanërisht në zgjerimin e zonave për këmbësorët. Këto ide sapo kanë filluar të realizohen, siç është rasti i projektit ‘Neutorviertel’. Gjithashtu, po punojmë shumë në përmirësimin e shkollimit elementar për fëmijët. Qëllimi im është që çdo fëmijë të ketë një vend të sigurt dhe të garantuar në çerdhe, si dhe të sigurohet që çdo fëmijë të ketë një drekë të ngrohtë çdo ditë. Ka shumë projekte të tjera në plan, dhe jam i përkushtuar të bëj përmirësime për të gjithë qytetarët e Grazit.

Albinfo.at: Sa mund t’i ndihmojë ngritjes së imazhit të shqiptarëve në Austri të qenët deputet në njërin nga qytetet më të mëdha të Austrisë?

Gjergji: Si shumë shqiptarë, edhe unë jam maksimalisht i angazhuar për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Austri. Krahasuar me periudhën pas luftës, ka pasur përparime të mëdha, falë kontributit të jashtëzakonshëm të bashkatdhetarëve tanë në shumë fusha. Kam shumë miq të mrekullueshëm në këtë komunitet, dhe i nderoj ata për kontributin e tyre të vazhdueshëm. Të gjithëve na takon të vazhdojmë këtë rrugë dhe të punojmë së bashku për një imazh pozitiv të shqiptarëve këtu.

270_23 Hr. Gjergji Arsim am 09.11.2023

Albinfo.at: Përveç faktit se jeni pjesë aktive e politikës, ju udhëhiqni edhe dy biznese tuaja familjare në gastronomi si dhe jeni po ashtu kryetar i Këshillit të Shoqatave Shqiptare për në rajonin e Steiermark. Si ia dilni?

Gjergji: Sa i përket Këshillit të Shoqatave Shqiptare në rajonin e Steiermark, kam qenë pjesë e këtij këshilli që nga fillimi, duke përfaqësuar 14 shoqata shqiptare në Steiermark, si dhe dy nga Kärnten. Gjatë dy periudhave, Fatmir Osmani dhe Valton Halimi kanë shërbyer si kryetarë, dhe kam bashkëpunuar ngushtë me ta si arkatar dhe zv.kryetar. Të dy janë njerëz shumë të merituar dhe atdhedashës, dhe kam nderin t’i quaj miq. Jam i privilegjuar të vazhdoj punën e tyre dhe i falënderoj shumë për kontributin e tyre, si dhe të gjitha shoqatat anëtare të këshillit për bashkëpunimin e shkëlqyer.

Albinfo.at: Meqë po tregoheni modest të flisni për bizneset tuaja në Graz, atëherë të flasim pak për zgjedhjet parlamentare në Austri të cilat do të mbahen me 29 shtator. Si e shihni angazhimin e komunitetit shqiptar në politikën austriake?

Gjergji: Nuk jam aq i kënaqur me angazhimin e komunitetit shqiptar në politikën austriake. Demokracia jeton vetëm nga pjesëmarrja, dhe shumë prej nesh janë fare pak aktivë. Shpesh, nuk marrin as kohën për të dalë në zgjedhje, edhe kur kemi mundësi të mira për të përfaqësuar interesat tona. Pjesëmarrja në zgjedhje është shumë e rëndësishme, dhe ju bëj apel të gjithëve shqiptarëve që të angazhohen dhe të marrin pjesë në këtë proces. Zëri ynë është i rëndësishëm, dhe vetëm duke votuar mund ta bëjmë atë të dëgjohet”.

Albinfo.at: Pse nuk kemi ende një deputet në parlamentin austriak? Ku qëndron problemi dhe sa është e rëndësishme të kemi një deputet në parlamentin austriak?

Gjergji: Arsyeja pse ende nuk kemi një deputet në parlamentin austriak, lidhet me angazhimin e ulët të komunitetit tonë. Është shumë e rëndësishme të kemi një përfaqësues në parlamentin nacional, sepse kjo do të na japë një zë dhe do të sigurojë që interesat tona të dëgjohen. Pjesëmarrja jonë në zgjedhje dhe angazhimi në politikë janë kyçe për të arritur këtë. Duhet të punojmë së bashku për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të inkurajuar më shumë njerëz që të angazhohen në këtë proces.

Albinfo.at: Sipas jush, a “janë pjekur kushtet” që më në fund të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë  shqiptare në parlament?

Gjergji: Mendoj se kushtet për të pasur një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në Parlament janë pjekur. Jemi një komunitet i madh, dhe kemi potencialin për të arritur këtë qëllim. Megjithatë, kërkohet angazhim dhe përgjegjësi nga çdo individ në komunitet. Duhet të punojmë shumë për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të inkurajuar njerëzit të angazhohen në politikë. Vetëm kështu mund ta kemi zërin tonë të dëgjuar dhe të përfaqësohemi siç e meritojmë.

 

Albinfo.at: Pse ju nuk keni kandiduar për deputet në zgjedhjet parlamentare?

Gjergji: Arsyeja pse nuk kam kandiduar për këto zgjedhje është se, këtë vit kam marrë mandatin për qytetin e Graz-it. Pavarësisht mundësisë për t’u kandiduar në zgjedhjet nacionale dhe ato të Steierimark-ut, kam vendosur të qëndroj besnik vizioneve të mia për qytetin ku jetoj prej gati 25 vjetësh. Çdo vendim tjetër nuk do të ishte autentik dhe i besueshëm. Kam përkushtim për të vazhduar punët e filluara, dhe besoj se koha për ndryshime do të vije në momentin e duhur.

 

Albinfo.at: Çfarë roli shihni për veten tuaj si deputet në Graz në drejtim të promovimit të integrimit, diversitetit dhe mundësive të barabarta brenda komunitetit shqiptar në Graz dhe në Austri në tërësi?

Gjergji: Si deputet në Graz, shoh një rol të rëndësishëm në promovimin e integrimit, diversitetit dhe mundësive të barabarta brenda komunitetit shqiptar dhe në Austri në tërësi. Partia që përfaqësoj, SPÖ, ka si elemente thelbësore këto vlera, dhe kjo është baza e punës sime. Jam shumë i lumtur për këtë angazhim dhe do të vazhdoj të punoj pa pushim për të drejtat e barabarta për të gjithë. Kjo punë mbështetet nga qytetarët tanë, dhe besoj se së bashku mund të arrijmë ndryshime pozitive në shoqëri.”

 

Albinfo.at: Cila është agjenda e juaj për mandatin tuaj politik?

Gjergji: Agjenda ime për mandatin tim politik përfshin vazhdimin e punës në këtë drejtim, duke bindur njerëzit për vlerat që unë dhe partia ime përfaqësojmë. Do të angazhohem për të promovuar paqen, bashkëjetesën e mirë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve. E rëndësishme për mua është të krijoj një ambient ku secili ndjehet i përfshirë dhe i respektuar, dhe të punoj për zgjidhje që përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve në Graz dhe më gjerë.”

Albinfo.at: Çfarë mesazhi do t’i dërgonit brezit të ri brenda komunitetit shqiptar në Austri, veçanërisht atyre që janë të interesuar për një karrierë politike?Gjergji: Ju lutem, mos e nënvlerësoni fuqinë e zërit tuaj. Guximi është çelësi për të ndryshuar gjërat. Ndërsa rritni fëmijët tuaj dhe ndihmoni në formimin e një të ardhmeje më të mirë, kujtoni që secili nga ju ka potencialin për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Çdo hap i vogël që merrni në politikë, çdo ide që ndani, ka rëndësi. Mos u frikësoni të mendoni ndryshe, të angazhoheni dhe të veproni.

Box

Ne mundemi, nëse punojmë së bashku

Bashkohuni, inkurajoni njëri-tjetrin, dhe krijoni një rrjet mbështetjeje. Ne mundemi, ne guxojmë, dhe ne ja dalim, nëse punojmë së bashku. Bota është e hapur për ide të reja dhe për liderë të rinj. Besoni në veten tuaj dhe në aspiratat tuaja, sepse ju jeni e ardhmja e komunitetit tonë.