Shqiperia

Arti në zi, ndërron jetë aktori i mirënjohur, Mirush Kabashi

Bëhet e ditur se kolosi i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, fituesi i “Sfinksit të Artë” mes aktorëve nga e gjithë bota me interpretimin e “Apologjisë së Sokratit”, ka mbyllur sytë për të mos u zgjuar më kurrë pas mesnate, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e artistit, të cilët nëpërmjet një njoftimi shkruajnë:

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroi jetë të martën, në datë 5 dhjetor, pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do t’ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!”

Mirush Kabashi ka gdhendur dhjetëra karaktere të papërsëritshëm në ekran e teatër, një galeri personazhesh që kujtohen dhe janë pjesë e të folurës së përditshme përmes batutave të tyre. Aktivist i shumë kauzave sociale, zë i fortë i çështjes kombëtare.

Do të kujtohet gjithnjë për artin e tij dhe gjithçka dha në shërbim të tij dhe shoqërisë. Do të kujtohet edhe me shprehjen e tij: “Trupin ç’e do, shpirti ka vlerë.”. Dy vjet më parë u përball në qershor të vitit 2021 me lajmet e rreme që qarkulluan për vdekjen e tij dhe nuk ishte rasti i vetëm. Edhe këto lajme të rreme i trajtoi me elegancë, qytetari, duke e pranuar ikjen si një ngjarje jete që një ditë vjen për këdo dhe duke tërhequr vëmendjen për më shumë kujdes, verifikim të informacionit.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Artisti shqiptar me origjinë nga Gjakova la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ndër rolet e tij të larmishme, më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit te “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Po ashtu, ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Jo vetëm kaq, ai është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.

Që nga viti 2014 mban titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa më parë kishte fituar titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

 

Filmografia

* Kronikë provinciale (2009)

* Ne dhe Lenini (2008)

* Nata (1998)

* Edhe ashtu, edhe kështu (1989)