Tematike
Asamblisti Reis Luzhnica flet në Parlamentin e Cyrihut kundër pritjes së Vuçiqit
"Cyrihu nuk ofron vend për autokratë, as për mohuesit e krimeve të luftës. Të mos lejojmë që vlerat që ne mbrojmë të cenohen nga shfaqje të tilla"
Ardhja e presidentit serb Vuçiq në Cyrih, gjegjësisht pritja që i është bërë nga kryeredaktori i revistës “Weltwoche”, Roger Köppel, ka shërbyer si shkas për asamblistin me rrënjë shqiptare në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut, Reis Luzhnica, që të mbante një fjalë, ku do të denonconte pritjen në fjalë, shkruan albinfo.ch.
Në vazhdim, fjala e z. Luzhnica para Asamblesë së Cyrihut.
I nderuar zoti Kryetar i Këshillit,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar të pranishëm
Në momentin që ne po takohemi, në Dolder Grand Hotel po zhvillohet një ngjarje ku do të shfaqet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai ishte i ftuar nga Roger Köppel dhe Weltwoche. E konsideroj detyrën time të shprehem kundër kësaj ftese.
Aleksandar Vuçiq nuk është një figurë e zakonshme politike. Në vitet 1990 ai ishte ministër i propagandës dhe i besuar i ngushtë i kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq. Ai ishte pjesë e një regjimi përgjegjës për krimet e luftës, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e shoqërive të tëra në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë. Vetëm disa ditë pas masakrës së Srebrenicës, gjenocidit më të madh në Evropë pas Holokaustit, në të cilin u vranë mbi 8000 myslimanë boshnjakë, Vuçiç pati deklaruar në parlamentin serb: “Për çdo serb të vrarë, ne do të vrasim 100 myslimanë”.
Afërsia e tij me kriminelët e luftës nuk mbaroi me Luftërat Ballkanike. Që në vitin 2007, Vuçiq bëri thirrje që një rrugë në Beograd të emërtohej sipas Ratko Mlladiqit – njeriu që u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës.
Por e gjitha nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën. Si president, Vuçiq e ka kthyer Serbinë në një autokraci që shtyp mediat e pavarura dhe kundërshtarët politikë dhe destabilizon shtetet fqinje. Një vit më parë, një grup terrorist i lidhur me qeverinë e tij kreu një sulm vdekjeprurës ndaj policisë në Kosovë. Në të njëjtën kohë, ai mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën, duke dëmtuar kështu stabilitetin e të gjithë rajonit.
Këto metoda të stilit të Putinit nuk ndalen as në Zvicër. RTS nga Zvicra frëngjisht-folëse raportoi në vitin 2022 se shërbimi sekret serb donte të kryente një atentat ndaj ish-deputetit të FDP të Ticino, Dick Marty, në tokën zvicerane, në mënyrë që t’ua ngarkonte vrasjen kosovarëve. Prandaj Dick Marty u mbrojt nga autoritetet zvicerane deri në vdekjen e tij.
Kjo qasje jo vetëm që tregon një instrumentalizim perfid të dhunës, por edhe një destabilizim të synuar të marrëdhënieve ndërkombëtare – të ngjashme me atë që Rusia ka bërë për një kohë të gjatë.
Fakti që një figure të tillë sot i jepet platformë në qytetin tonë është një sinjal fatal. Ai bie ndesh me vlerat e Cyrihut – një qytet që qëndron për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe paqen. Kjo ftesë jo vetëm që legjitimon regjimin autokratik të Vuçiqit, por edhe tallet me viktimat e krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
U bëj thirrje të gjithëve që ta bëjmë të qartë: Cyrihu nuk ofron vend për autokratë, nuk ofron vend për mohuesit e krimeve të luftës. Të mos lejojmë që vlerat që ne mbrojmë të cenohen nga shfaqje të tilla.
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit Tri Net Film Fest nis edicionin 2025. Salla e Neues Kino mirëpriti mbrëmë natën e parë... -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil -
Shtëpitë e të moshuarve në kantonin Aargau po arrijnë kapacitetin maksimal. -
Trenat e natës: Sa të dobishëm janë dhe çfarë mund të ofrojnë? -
Kërkimet më të shpeshta në Google në Zvicër në vitin 2025











