Kosova
Banka Botërore: Kosova vendi më i varfër në rajon e Evropë
Kosova vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta për kokë banori, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Sipas Bankës Botërore shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet e lartë, 19.2 për qind.
Sipas këtij institucioni financiar ndërkombëtar, vendi mbetet prapa fqinjëve të saj me Bruto Produktin Vendor për kokë banori që arrin vetëm 5.889 euro.
Ndërsa, Luksemburgu (137,839 euro), Irlanda, Holanda, Danimarka dhe Austria janë pesë vendet e BE-së me të ardhurat më të larta për frymë.
Zëvendësmenaxherja e Bankës Botërore për Kosovë, Jane Sprouster në një intervistë për KosovaPress, thotë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë, sidomos për popullatën e re.
Sipas saj përmes këtyre masave, Kosova ka potencialin të kapërcejë hendekun e të ardhurave me vendet e BE-së dhe të krijojë një të ardhme më të ndritur për popullatën e saj.
Sprouster flet edhe për parashikimet Bankës Botërore lidhur me rritjen ekonomike të Kosovës gjatë vitit 2025. Përveç kësaj ajo tregon për projektet dhe shumënfinanciare në kredi dhe grante që pritet të ndahen për Kosovën, për vitin 2025.
“Të ardhurat për kokë banori mbeten të ulëta në krahasim me mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shkalla e varfërisë mbetet më e lartë, pak mbi 19 për qind. Ne konsiderojmë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë dhe rritjen e prosperitetit të përbashkët, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë për të gjithë popullin e Kosovës. Sigurimi i vendeve të mjaftueshme të punës me cilësi të lartë për popullatën e re të Kosovës do të ndihmojë për të kapërcyer hendekun në të ardhura me BE-në. Arritja e një modeli rritjeje ekonomike më konkurruese kërkon përshpejtimin e tranzicionit nga një ekonomi e bazuar në konsum në një ekonomi që është më e përqendruar në prodhim dhe inovacion, e mbështetur nga eksporte më të larta dhe një bazë prodhimi më e larmishme. Kjo do të thotë se përmirësimi i infrastrukturës së Kosovës dhe nxitja e një mjedisi të favorshëm për inovacion janë thelbësore”, thekson Sprouster.
Tutje, ajo shprehet se rritja ekonomike parashikohet të jetë në 3.8 për qind për vitin 2024 dhe deri 4 për qind në periudhën afatmesme.
Sipas saj me rritjen ekonomike që pritet të përshpejtohet, Banka Botërore parashikon që varfëria do të ulet, nga 19.2 për qind në 2024 në 17.1 për qind në 2025.
“Kosova ballafaqohet me nevojën për të ndërmarrë reforma që do të kërkojnë burime të konsiderueshme fiskale. Kjo përfshin zbatimin e një strategjie të re energjetike, përmirësimin e sigurisë së ujit dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për të forcuar kapitalin njerëzor dhe ndërlidhjen. Projeksionet tona të fundit, nga tetori 2024, tregojnë se rritja e BPV-së parashikohet të përshpejtohet në 3.8 për qind në vitin 2024 dhe gradualisht të shkojë drejt 4 për qind në periudhën afatmesme. Nga ana e prodhimit, shërbimet dhe ndërtimtaria do të japin kontributin më të lartë në rritje ekonomike. Ne presim që eksportet e mallrave të mbeten të ndrydhura këtë vit, përpara se të rikuperohen gradualisht deri në vitin 2026. Ne presim gjithashtu që stabilizimi ndërkombëtar i çmimeve të ngadalësojë inflacionin e çmimeve të konsumit vendas në rreth 2 për qind këtë vit. Me rritjen ekonomike që pritet të përshpejtohet, ne parashikojmë që varfëria do të ulet, nga 19.2 për qind këtë vit në 17.1 për qind në 2025”, potencon Sprouster.
Në vitin që lamë pas, Banka Botërore ka mbështetur projekte milionëshe në vendin tonë për forcimin e qeverisjes digjitale, investime në edukimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijëve dhe forcimin e sektorit shëndetësor.
Sprouster thekson se Banka Botërore pritet që në vitin 2025 ta mbështesë Kosovën me rreth 100 milionë dollarë kredi dhe grante për projekte zhvillimore të sektorit financiar dhe për lehtësimin e tregtisë dhe transportit.
“Këtë vit bordi ynë miratoi gjithashtu një operacion të Financimit të Politikave të Zhvillimit prej 100 milionë dollarësh, i cili mbështet veprime që forcojnë efektivitetin e politikës fiskale, klimën e investimeve dhe hedhin themelet për një rritje më të gjelbër ekonomike. Të tre këto operacione ende nuk janë ratifikuar nga parlamenti, por pasi të jenë ratifikuar, ne shpresojmë se do të fillojë zbatimi dhe disbursimi i tyre në vitin e ardhshëm. Duke shikuar sërish drejt së ardhmes, ne kemi punuar me autoritetet në Kosovë edhe në përgatitjen e një Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar dhe një Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit. Së bashku ky është një investim i kombinuar prej rreth 100 milionë dollarëve në kredi dhe grant, dhe ne shpresojmë t’ia paraqesim për miratim Bordit tonë në fillim të vitit 2025”, thekson Sprouster.
Po ashtu sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon. Sipas raportit të fundit vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.
Sipas BB-së, Kosova ballafaqohet me nevojën për të ndërmarrë reforma, duke përfshirë zbatimin e një strategjie të re energjetike dhe përmirësimin e sigurisë së ujit./ albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Përfundon numërimi i votave me postë, LVV dominon me gati 73 për qind të mbështetjes Votat e diasporës i shtojnë pesë mandate Vetëvendosjes, ndërsa procesi zgjedhor vazhdon me numërimin e votave... -
Gjithçka gati për edicionin jubilar të Alba Festival 2026 – Festivali më i madh shqiptar në Evropë -
KQZ numëron mbi 96 për qind të votave me postë -
Buna Latifi shkëlqen në festivalin ndërkombëtar të kitarës, rrëmben çmimin e parë me 98.3 pikë -
Itali
Shqiptari bëhet hero në plazhin italian, shpëton dy notarë nga mbytja
Jeta në Zvicër
-
Parlamenti zviceran miraton rritjen e TVSH-së për financimin e pensionit të 13-të të AVS Këshilli Kombëtar i Zvicrës ka refuzuar propozimin për financim të përzier të pensionit të 13-të të... -
Zbulohet rrjet trafiku ari mes Ticinos dhe Italisë, 230 kg ari të kontrabanduara në Zvicër -
Harta që llogarit hijen e çdo peme në Zvicër -
Kujdes nga gjobat e rreme të parkimit në Vaud, policia lëshon alarm -
Valë të nxehti në Zvicër: Si ta mbani shtëpinë dhe veten të freskët gjatë temperaturave të larta











