Tematike

Bavaria nuk e njeh Republikën e Kosovës?!

"T`i drejtohesh me lutje armikut të luftës!" shkruan SZ rreth detyrimit që Bavaria u bën kosovarëve t`i drejtohen Ambasadës Serbe

“T`i drejtohesh me lutje armikut të luftës! Republika (landi) e Bavarisë është krahas asaj të Saksonisë, e vetmja që “nuk e njeh” Kosovën si shtet të pavarur. Kjo ndodh në kushtet kur Gjermania si shtet ka kohë që e ka njohur dhe bën pjesë në grupin e shteteve më të angazhuara, edhe ushtarakisht, për Kosovën.

Kjo situatë paradoksale po gjen shprehje sidomos në procedurën e dhënies së shtetësisë gjermane të shtetasve kosovarë nga kjo republikë. Për të realizuar këtë synim, ata duhet të marrin një vërtetim nga përfaqësia serbe në Gjermani për heqjen dorë nga shtetësia e mëparshme serbe. Dhe pikërisht detyrimi për të marrë këtë vërtetim, konsiderohet absurd dhe është kritikuar ashpër nga opozita në Parlamentin e Bavarisë.

Siç shkruan “Süddeutsche Zeitung”, partitë opozitare në Parlamentin Bavarian kritikuan njëzëri të enjten praktikën për dhënien e shtetësisë që ndiqet në këtë republikë gjermane. Bavaria, krahas Saksonisë është republika e vetme në Federatën Gjermane , që, përkundër njohjes së Kosovës si shtet nga ana e Republikës Federale të Gjermanisë, këmbëngul që kosovarët, krahas heqjes dorë nga shtetësia kosovare duhet të heqin dorë edhe nga ajo serbe, si kusht për marrjen e shtetësisë gjermane.

Ka qenë i rreptë kundërshtimi i deputetëve të opozitës bavariane lidhur me këtë pikë. Kështu, Florian Streibl nga fraksioni “Freie Wählern” (zgjedhësit e lirë) këtë absurd e ka përshkruar me fjalët përkatëse: “Njerëzit që duan të bëhen shtetas gjermanë, nuk mund të detyrohen që t`u bëjnë lutje ish armiqve të tyre të luftës. Ky nuk mund të jetë stili i autoriteteve bavareze”.

Ndërkaq ekspertja e fushës së migracionit, Isabell Zacharias ka theksuar: “Bavaria vazhdon të mos e njohë ende Kosovën si shtet të mëvetësishëm, edhe përkundër faktit se Qeveria Federale ka kohë që e ka bërë këtë”.

Ndërkohë, sipas Ambasadës së Serbisë në Berlin, “kosovarët vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të Republikës së Serbisë”. Së këndejmi, një heqje dorë nga shtetësia serbe bëhet për të gjithë qytetarët sipas kritereve të njëjta – edhe për kosovarët po ashtu. Kur dokumentet janë të kompletuara, procedura zgjat rreh një vit”, ka thënë ambasadorja Lidija Ivanovic.

Mirëpo, kosovarë që jetojnë në Bavari ankohen për malverzime nga ana e Beogradit gjatë kësaj procedure, si stërzgjatje disavjeçare ose injorim kërkesash për heqje dorë nga shtetësia serbe. Këshilli bavarian për refugjatë ka madje edhe indikacione të deponuara se ka ndodhur shpesh që të kërkohet edhe mito për të rregulluar këtë punë.

Por ambasadorja serbe thotë se ambasada nuk ka njohuri që nëpunësit serbë të kenë keqpërdorur shërbimin e tyre. Ajo thotë se do të ishte mirënjohëse po t`i silleshin ato, që pastaj të mund të hetoheshin.

Edhe përkundër gjithë këtyre ankesave dhe mospajtimeve, Ministria e Brendshme e Bavarisë këmbëngul se qëndrimi juridik i Bavarisë është ai korrekti. 

Kjo ministri thirret në një vendim gjyqësor të Gjykatës Administrative të Bavarisë të 3 majit 2010, i cili kishte hedhur poshtë ankesën e një numri kosovarësh lidhur me këtë çështje.

Në një studim mbi natyralizimin që ka bërë fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung është kritikuar kjo praktikë juridike: “Është absurde për faktin se Republika Federale e Gjermanisë në të njëjtën kohë, me përpjekje të mëdha ushtarake është duke e mbrojtur Kosovën nga Serbia”, përfundon Süddeutsche Zeitung”. (B.SH.)