Lajme
BE drejt uljes së kompensimeve për vonesat e fluturimeve
Pasagjerët që udhëtojnë me avion në hapësirën e Bashkimit Evropian mund të përballen së shpejti me kufizime të reja në të drejtën për kompensim financiar në rast vonese ose anulimi të fluturimeve. Këshilli i BE-së ka rënë dakord për një reformë të diskutueshme që pritet të ndikojë drejtpërdrejt udhëtarët, duke ndryshuar rregullat ekzistuese mbi kompensimet e linjave ajrore, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Aktualisht, pasagjerët kanë të drejtë për kompensim në vlerë prej 250 deri në 600 euro nëse një fluturim vonohet më shumë se tre orë, për aq kohë sa përgjegjësia është e linjës ajrore. Megjithatë, me ndryshimet e reja, kjo e drejtë do të kufizohet.
Sipas vendimit të miratuar në një samit të Këshillit Evropian, kompensimi për fluturimet e shkurtra dhe mesatare do të ofrohet vetëm nëse vonesa kalon katër orë, ndërsa për fluturimet mbi 3,500 kilometra, kompensimi do të jepet vetëm pas një vonese prej së paku gjashtë orësh.
Shumat e reja të kompensimit do të jenë 300 euro për vonesa mbi katër orë dhe 500 euro për vonesa mbi gjashtë orë. Rregullat aktuale mbeten në fuqi deri në një vendim përfundimtar të Parlamentit Evropian, i cili ka afat katër muaj për të paraqitur kundërshtime apo ndryshime, transmeton albinfo.ch.
Vendimi ka ngjallur reagime të përziera, veçanërisht për shkak se u mor përmes një procedure që shmang konsultimin e drejtpërdrejtë me Parlamentin. Gjermania dhe Spanja ishin ndër shtetet që shprehën rezerva ndaj këtij ndryshimi.
Industria e aviacionit, e cila ka lobuar fuqishëm për ndryshimet, argumenton se kompensimet e larta janë të papërballueshme, sidomos për linjat me kosto të ulët, ku ndonjëherë kompensimi i kalon vlerën e vetë biletës. Linjat ajrore gjithashtu kërkojnë një proces më të thjeshtë për kompensimet dhe më pak ambiguitet në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, nuk parashikohen ndryshime në të drejtat e pasagjerëve për sa i përket ofrimit të ushqimit, akomodimit apo udhëtimit alternativ në rast të vonesave apo anulimeve. Po ashtu, rregullat që përjashtojnë kompensimet në rast të motit ekstrem, paqëndrueshmërisë politike apo çështjeve të sigurisë mbeten të pandryshuara.
Nëse Parlamenti Evropian nuk kundërshton vendimin brenda katër muajve, rregullat e reja do të hyjnë në fuqi me një datë që do të përcaktohet më vonë, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nata e dytë e Tri Net Film Fest Mbrëmja ritheksoi nevojën për përgjegjësi kolektive ndaj kulturës dhe pjesëmarrjes aktive të publikut... -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit -
Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora -
Berlin
Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar -
Nju-Jork
Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes
Jeta në Zvicër
-
Radarët e motit po përdoren për të numëruar insektet fluturuese Studiues zviceranë dhe amerikanë kanë përdorur të dhëna nga radarët e motit për të vlerësuar numrin... -
Cyrih: Skela 80 metra e lartë në një ndërtesë të lartë rrezikon të shembet -
Industria zvicerane e hoteleve drejt niveleve të reja pas verës rekorde -
EES dhe ETA: Çfarë të prisni kur udhëtoni për në dhe nga Zvicra këtë Krishtlindje -
Më pak banorë zviceranë ndërruan shtëpinë në vitin 2024











