Lajme
BE-ja kritikon Serbinë për mohimin e gjenocidit
Ditëve të fundit ka pasur reagime nga institucionet e Bashkimit Evropian lidhur me debatin në Serbi mbi përgjegjësinë për krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Disa reagime kanë qenë direkte dhe janë lidhur me aktivitetin e Policisë së Serbisë për të parandaluar fshirjen e një murali kushtuar liderit ushtarak të serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Bosnjë. Por, disa reagime kanë qenë më shumë të përgjithësuara, pa iu referuar rasteve të caktuara.
Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian, përmes një letre drejtuar udhëheqësve në Serbi, tha se “një shtet që aspiron anëtarësimin në BE, nuk mund të angazhojë policinë për të ruajtur një mural të një krimineli të luftës”.
“Mbrojtja e muralit është edhe një shembull se çfarë mendon Qeveria e Serbisë dhe presidenti (serb, Aleksandar) Vuçiq për pajtimin, sundimin e ligjit, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal. Edhe një herë, në mënyrë eklatante, autoritetet e Serbisë dhe zyrtarët politikë kanë dëshmuar se nuk respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe vendimet e saja, sikurse edhe viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e nënshkruar nga disa deputetë të PE-së, në mesin e të cilëve edhe Tonino Picula nga Kroacia dhe Viola von Cramon nga Gjermania.
Burimet në Parlamentin Evropian kanë thënë se letra i është ofruar për nënshkrim edhe raportuesit për Serbinë, Vladimir Bilçik, por ai nuk e ka nënshkruar. Më vonë, Bilçik përmes rrjeteve sociale ka thënë se në raportin e tij për Serbinë është thënë qartë se dënohet çdo glorifikim i kriminelëve të luftës dhe mohimi apo relativizimi i krimeve.
Thirrje për pajtim dhe tejkalim të trashëgimisë nga e kaluara dhe përmbajtje nga glorifikimi i kriminelëve të luftës, ka bërë edhe Komisioni Evropian.
Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian për fqinjësi, zgjerim dhe partneritet ndërkombëtar, ka thënë se “BE-ja ka një qëndrim të qartë dhe të prerë për nevojën që në mënyrë efektive të tejkalohet trashëgimia nga e kaluara, përmbajtja nga çfarëdo glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimit të krimeve të luftës dhe për forcimin e pajtimit”.
“Secili shtet që aspiron për t’u anëtarësuar në BE pritet të zbatojë dhe të promovojë vlerat bazë të BE-së, siç është sundimi i ligjit, demokracia dhe drejtësia. Siç kemi thënë edhe në paketën e fundit të zgjerimit, Serbia duhet të vazhdojë të thellojë reformat edhe në lirinë e shprehjes dhe në procedimin e rasteve të krimeve të luftës. Kjo është esenciale për vendim për të lëvizur në rrugëtimin drejt BE-së”, ka thënë Pisonero.
Ajo ka thënë se BE-ja refuzon dhe dënon çfarëdo mohim, relativizimi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë.
“Zbatimi i vendimeve të tribunaleve ndërkombëtare dhe promovimi i një ambienti të përshtatshëm për pajtim dhe tejkalim të së kaluarës nga lufta, janë kyçe për të gjitha vendet e rajonit, për të avancuar në procesin e integrimit në BE”, ka thënë Pisonero.
Në Serbi, nga niveli më i lartë shtetëror vazhdojnë të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, ndonëse në disa raste e përmendin si “krim të tmerrshëm”, por duke refuzuar që ta përdorin termin gjenocid.
Gjatë luftës në Bosnjë, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Ndërkaq, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë, Valentin Inzko, ka marrë vendim që mohimi i gjenocidit të dënohet. Ky vendim ka nxitur tensione të reja në Bosnjë e Hercegovinë.
Edhe në Mal të Zi, kur në Parlament u miratua rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, pati tensione politike, me ç’rast nga detyra u shkarkua edhe një ministër, i cili tha se nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë./rel
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Një badhkatdhetar që po shkonte në Kosovë u arrestua në Serbi e më pas u lirua Një bashkatdhetar, i cili ishte arrestuar sot nga autoritetet serbe gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi, është... -
Mërgimtarët në Kosovë për festa, këto janë pikat më të ngarkuara kufitare -
Bazel - Zvicer
Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi drejt studimeve doktorale në Zvicër -
Vjenë
Kosti Deti mahnit me performancën e tij në Ambasadën Italiane në Vjenë -
Shefi i Ushtrisë Zvicerane, së bashku me Ylfete Fanaj, vizituan trupat në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Akuza serioze ndaj Aare Seeland Mobil: Shoferët e trenave në kufijtë e durimit Shoferët e trenave të kompanisë zvicerane të transportit publik Aare Seeland Mobil (ASM) kanë ngritur akuza... -
Migros: Punëtorët e larguar nga puna mbeten pa dhurata të Krishtlindjeve -
Këshilli Federal heziton për masa më të forta në mbrojtjen e të rinjve në rrjetet sociale -
Përhapja e qirave Airbnb po rrit pakënaqësinë në Zvicrën frëngjishtfolëse -
Pritet rritje e çmimeve të ilaçeve në Zvicër












