Shqiperia

Beteja e “humbur” me mjekët, emigrimi nuk ndalet

Shqipëri: Qeveria ka ende shumë hapësira për të përmirësuar në sistemin shëndetësor, pa shkuar te kontratat me studentët e mjekësisë, të tilla si pagat për stafet në shëndetësi, përmirësimi i kushteve të punës, meritokracia në karrierë, mbrojtja ligjore, investimet në teknologji, pajisje etj., këshillojnë ekspertë të sektorit shëndetësor, përcjell albinfo.ch.

Anketat tregojnë se 50% e mjekëve nuk emigrojnë për paga më të larta.

Për dekada, keqmenaxhimi i sistemit shëndetësor nga qeveritë me pa të drejtë iu faturua bluzave të bardha dhe sidomos mjekëve, si personat e parë të kontaktit me kërkuesit e këtij shërbimi, vlerëson Urdhri i Mjekut. “Kontrata e studentëve” rrezikon të kthehet në një instrument i forcës dhe në bumerang për ekselentët në fakultetin publik.

Barra e sëmundjeve po rritet me plakjen e popullsisë dhe stilin e pashëndetshëm të jetesës. Nga ana tjetër, trupa mjekësore në dispozicion po tkurret me shpejtësi, pasi gjithnjë e më shumë profesionistë që shkollohen në vend zgjedhin të ushtrojnë profesionin jashtë, kurse numri i atyre që dalin në pension po rritet.

Çdo vit, rreth 3% e mjekëve dalin në pension, afërsisht 140, ndërsa diplomohen 250 mjekë të përgjithshëm. Një pjesë e mjekëve të diplomuar ikin jashtë vendit dhe ngelen shumë pak për të mbushur hapësirat e krijuara ose për të përmirësuar raportin mjek për banor, thotë Gazmend Koduzi, ekspert i politikave shëndetësore.

Aktualisht, në Shqipëri, janë të punësuar në sektorin publik 1.9 mjekë për 1000 banorë, një standard shumë më i ulët se Rajoni i Ballkanit, ku ky tregues është 2.6 dhe në vendet e zhvilluara, 3.6.

Teksa situata po përkeqësohet, qeveria po synon të vërë në punë disa mekanizma “detyrues” për studentët në Fakultetin publik të Mjekësisë.

Një projektligj që po diskutohet në Kuvend synon të fusë instrumentin e kontratës për studentët në Fakultetin publik të Mjekësisë.

Projekti parasheh se studentët duhet të punojnë deri në pesë vjet pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, në të kundërt ata do duhet t’i paguajnë vetë studimet të cilat janë rreth 6300 euro në vit, ose rreth 38 mijë euro për të gjithë periudhën 6-vjeçare të studimeve. Ata që do të pranojnë kontratën, përjashtohen nga tarifat e studimeve.

Mirëpo, ekspertë të sektorit, vërejnë se qeveria ka ende shumë hapësira për të përmirësuar në sistemin shëndetësor, pa shkuar te kontratat, të tilla si pagat për stafet në shëndetësi, përmirësimi i kushteve të punës, meritokracia në karrierë dhe mbrojtja ligjore.

Në prag të zgjedhjeve lokale, qeveria shpalli nismën për dyfishimin e pagave në sektorin publik, por pas përfundimit të tyre, pagat u dyfishuan për ministrat dhe deputetët.

Për sektorin e shëndetësisë, rritja reale ishte vetëm 2%. Vetëm mjekët e specializuar, që janë shumë të pakët në numër, patën rritje deri në 80%.

Faktorët e largimit të mjekëve nga Shqipëria janë shumë kompleks, thotë Fatmir Ibrahimi, president i Urdhrit të Mjekut. Më shumë se sa paga, ikin nga kushtet më të mira të punës që krijojnë një mundësi për karrierë dhe mbrojtje ligjore më të mirë.

“Duhet të ndahet me ligj gabimi në mjekësi, nga neglizhenca në mjekësi dhe për mbrojtjen e mjekëve nga dhuna”, – thotë z. Ibrahimaj, i cili vë në dukje se ka ende shumë hapësira për të përmirësuar mjedisin e punës në vend.

Imponimi i kontratës te studentët në fakultetin publik rrezikon që të krijojë një efekt bumerang, pasi shumë prej studentëve po mendojnë të transferojnë studimet në sistemin privat.

Me aplikimin e kontratës, interesi i të rinjve për Fakultetin publik të Mjekësisë do të ulet, rrjedhimisht edhe mesatarja e studentëve që do të pranohen në fakultet vitin e ardhshëm, duke ulur kështu nivelin e ekselencës në mjekësi, tha Juri Taullau, student i mjekësisë.

“Në qoftë se një qytetar ka të drejtën të emigrojë, pse jo dhe ne? Në qoftë se një student i çdo dege tjetër ka të drejtën të emigrojë, pse jo dhe ne? Shqipërisë nuk i mungojnë veç mjekë, i mungojnë inxhinierë, arkitektë, hidraulikë, elektricistë e me radhë”, tha i riu.

Kontratat me studentët janë instrumente që i kanë përdorur edhe vende të tjera. Britania e Madhe po diskuton një opsion të tillë, madje anketat atje kanë treguar se 50% e studentëve në fakultetet e mjekësisë do të pranonin të punonin pas studimeve në vendin tyre.

Kudo në botë ka një hendek në trupën mjekësore, mjekë dhe infermierë, por fenomeni u thellua pas pandemisë. Në Europë humbën jetën rreth 50 mijë mjekë dhe infermierë, kurse mijëra të tjerë lanë profesionin.

Tani mijëra mjekë kërkohen nga vende të tilla si Gjermania, Britania, Italia, SHBA-ja etj., të cilat shërbejnë si magnet për tërheqjen e mjekëve nga vende si Shqipëria.