Lajme
Botohet në gjuhën shqipe libri “Urgjencat psikiatrike” i autorëve Marc Walter dhe Undine Lang
Tashmë është botuar libri në shqip «Urgjencat psikiatrike» i autorëve Prof. Dr. med. Marc Walter dhe Prof. Dr. med. Undine Lang, profesorë eminentë të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Zvicër, shkruan albinfo.ch.
Ky libër, i cili shtjellon urgjencat psikiatrike me akribi të thellë dhe bazuar në gjendjen më të fundit të njohurive shkencore, pa dyshim që na pëlqeu shumë kur për herë të parë na ra në dorë vitin e kaluar. Për këtë arsye gjëja e parë që na erdhi në mendje, vullneti për ta pasur në shqip këtë libër, na u bë qëllim tundues. Ndonëse të ndërgjegjshëm që përkthimi kërkon përpjekje, ekspertizë dhe aftësi të shkëlqyera gjuhësore, interesi për begatimin e literaturës së fushës së psikiatrisë në shqip, dobia për profesionistët e mjekësisë në Kosovë e gjetiu, na i mundi të tëra pengesat e mundshme.
Urgjencat psikiatrike si p.sh. suicidaliteti akut, gjendjet e konfuzionit, gjendjet akute anksioze, agjitimi, intoksikimet me substancat psikotrope etj., kërkojnë vlerësim të mirëfilltë dhe trajtim të menjëhershëm profesional që në kontaktin e parë me mjekun e emergjencës, mjekun e qendrës familjare, internistin etj. Për fat të keq këto gjendje shpesh nuk merren seriozisht dhe, madje, neglizhohen fare, duke aktivizuar makinerinë «rast për psikiatri». Stigma e cila vazhdon të jetë akoma evidente, bën që pacientët me çrregullime të tilla të refuzojnë pastaj ndihmën adekuate profesionale, gjë që mund të shpjerë në fatalitet. Empatia ndaj pacientit pa marrë parasysh se nga cila sëmundje vuan ai duhet të jetë, megjithatë, një kompetencë thelbësore për të gjithë ata që punojnë në profesionet e kujdesit shëndetësor dhe se ajo mund të përcillet edhe brenda pak minutash dhe atë në secilën situatë akute.
Andaj jo vetëm gjetjet e thukëta e praktike, duke përfshirë tabelat përmbledhëse dhe vinjetat ilustruese të rasteve, diagnozat diferenciale, njohuritë psikofarmakologjike, strategjitë e vendimmarrjes, por mbi të gjitha qasja terapeutike empatike ndaj këtyre pacientëve e bën këtë libër të domosdoshëm për profesionistët e lëmenjve të ndryshëm të mjekësisë, e jo vetëm për profesionistët e fushës.
Këtu e do rendi që falënderimit tonë t’i japim adresën e duhur për autorët e librit, profesorët M. Walter dhe U. Lang si dhe për shtëpinë botuese «Ecomed Medizin» nga Landsberg i Gjermanisë, të cilët na e dhanë të drejtën për përkthimin dhe botimin e librit në gjuhën shqipe. Besimi dhe bashkëpunimi i tyre meritojnë vlerësimin tonë të plotë. Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë për Dr. med. Fatime Berisha Imeri, Dr. med. Uke Berisha, Dr. med. Agron Abrashi, z. Visar Muriqi (pronar i restorant L’Ulivo Brugg/ AG) për mbështetjen e tyre financiare rreth botimit të librit si dhe z. Adem Gashi për kontrollin final gjuhësor. Për fund falënderojmë familjet tona për mbështetjen edhe inkurajimin e thellë, qoftë gjatë përkthimit të këtij libri, qoftë gjatë karrierës sonë akademike në përgjithësi.
Kështu dalëngadalë dhe me një vullnet e pasion të madh ne ia dolëm.
Shpresojmë që libri të zgjojë interesin e lexuesit.
Me respekt,
Valbona Hysenaj Miftari dhe Arbnor Berisha
P.S. Për shtëpinë botuese «Ecomed Medizin» ky libër ishte përkthimi i parë në gjuhën shqipe dhe për këtë arsye llogaritet si «Botim i veçantë» («Sonderauflage»).
Libri do të promovohet dhe do të shitet në libraritë e Kosovës. Autorët kanë shprehur dëshirën e tyre që të marrin pjesë në promovimin e librit, i cili do të mbahet në Prishtinë në fillim të vitit 2024.
Lidhur me detajet e tjera rreth promovimit dhe shitjes do t’ju informojmë me kohë.
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord Numri i foshnjave të lindura në kantonin Jura, në veriperëndim të Zvicrës, ka qenë në rënie... -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë -
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026 -
A keni nevojë për një certifikatë mjekësore në ditën tuaj të parë të pushimit në Zvicër?













