Gruaja

“Cascadeuses*”, një film që ngre pyetje mbi pozitën e grave në kinema

Virginie, Petra dhe Estelle janë kaskadore. Kur e kërkon skenari, ato luajnë role grash që rrihen, përdhunohen apo vriten. Përmes tri personazheve, filmi i Elena Avdijajt, regjisore me prejardhje shqiptare nga kantoni i Jura, vë në diskutim marrëdhënien tonë me shpërfaqjen e dhunës seksiste në kinema. Një dokumentar për të mos u humbur, që do ta zbuloni në nëntor.

Ato janë gruaja e goditur me flakaresh, gruaja e përdhunuar, e poshtëruar, e rrahur për vdekje; janë gruaja e varur, e hedhur nga dritarja, ajo që digjet në turrë të druve, që hidhet nga vetura në lëvizje, që hiqet zvarrë nëpër shkallë, asaj së cilës ia përplasin turinjtë për kapakun e BMW-së. Ato kanë vdekur tashmë nja dhjetë, njëqind a njëmijë herë. Në krejt mënyrat e mundshme. I sheh tek u shkon buza në gaz, një buzëqeshje gati idhnake, ato që dikur ëndërronin të luftonin si luanesha e të dublonin heroinat e betejave antologjike.

Janë poashtu gra të cilave nuk ua shohim kurrë fytyrat në ekran. Gra që i lënë të rreshken në diell me orë të tëra gjatë xhirimeve. Ato që i lënë të hidhen në këmishë nate nga kati i tretë, pa masa mbrojtëse, ngaqë është më seksi – punë e madhe për rreziqet e për mavijosjet. Ato të cilave harrojnë t’ua vënë emrin në gjenerikun e filmit. Ato që të vrasin syrin në një mjedis të ndarë sall për burrat për një kohë të gjatë tashmë. Ato nuk i japin pesë pare, deri diku, ato e duan aksionin, sfidat, adrenalinën. Edhe kinemanë.

Ato janë kaskadore dhe, për herë të parë, atyre u kushtohet një film. Ai i regjisores nga Jura, Elena Avdijaj e cila, për tri vite rresht, ka shoqëruar tri nga ato në përditshmërinë e tyre: Virginie, kaskadore franceze në zë që prej 25 vitesh, Petra, me prejardhje zvicerane që jeton në Hollywood, dhe Estelle, ende studente, që i ka hyrë këtij zanati me shumë entuziazëm. Tre personazhe, të xhiruar me zell e thjeshtësi, në këtë film të parë të metrazhit të gjatë realizuar me finesë dhe imtësi. “Ka qenë shumë e rëndësishme për mua që të mos ua ndryshoj imazhin dhe të respektoj fjalën e tyre, thotë Elena Avdija. Kam dashur t’u ofroj një gjuhë kinematografike e cila, qoftë edhe një herë të vetme, i vë në pah sikur aktore të vërteta.”

 "Estelle, cascadeuse en formation dans le Nord de la France pendant une séance d'entraînement"

Sindromi i Shtrumfetës

Një film ku të gjitha goditjet janë të shtirura et megjithatë kaq të dhunshme saqë skenat e dubluara nga kaskadoret shpërfaqin imazhin e dhunshëm të një kinemaje së cilës shpesh i pëlqen t’i skajojë gratë në rolin e viktimës. Ndonëse Virginie, Petra dhe Estelle nuk e ndajnë të njëjtin mendim. “Ato nuk janë aktiviste feministe, janë pjesë e punës. Është dashur të gjendet një baraspeshë mes këndvështrimit tim, shumë të dokumentuar dhe teorik, dhe realitetit të tyre”, shpjegon Elena Avdija. Megjithatë nuk bëhet fjalë për dublime si të Uma Thurman në Kill Bill apo të Angelina Jolie në Wanted. Sepse heroinat janë të rralla në kinema dhe rolet femërore janë të nën-përfaqësuara. Ky ndryshe njihet edhe si “sindromi i Shtrumfetës”.

“ Kur gratë janë të përfshira në skena të dhunës, kjo ndodh sepse ato rrihen, përdhunohen, rrëmbehen. Ka kushedisesa mënyra për ta bërë një produkt audiovizual të jetë më seksi e kjo bëhet gjithmonë në kurriz të grave, thekson Elena Avdija. Flitet shumë për atë se sa ndihet zëri i grave në kinema, me mënyrën si shpërfaqet. Por nuk jemi mësuar të dëgjojmë të flitet për mënyrën se si shpërfaqet e shpërndahet dhuna. Filmi merret pikërisht me këtë.”

Interesi për çështjet gjinore tek Elena Avdija, nga Jura por me origjinë kosovare, lidhet deri diku me të kaluarën e saj. Një e kaluar imigracioni, që ajo pabujshëm e quan “kompleks”, por që sot i ofron asaj një “ lexim më të nuancuar të shoqërisë dhe një kureshtje që, tek [ajo], ndërlidhet me raportin e forcës”, shpjegon ajo. Ç’është e vërteta, ajo është marrë me këto tematika fillimisht gjatë studimeve të saj në École des Hautes Études en Sciences Sociales de Paris (Shën. përkth. Shkolla e studimeve të larta në shkenca shoqërore e Parisit) , para se të vazhdonte studimet master në regji dokumentari në INA, Institut national français de l’audiovisuel (shën. përkth. Instituti kombëtar francez i fushave audiovizuale). Pas dy filmave të metrazhit të shkurtër – D’ici ou de là-bas?, në vitin 2013, dhe Option: théatre!, në 2017 – Cascadeuses është filmi i saj i parë dokumentar i metrazhit të gjatë. Një film i angazhuar, që shtron pyetje të domosdoshme mbi të bërit e zakonshme të dhunës seksiste në ekran si dhe mbi mënyrën sesi ajo vihet në skenë. Pyetje sa estetike aq edhe politike.


Cascadeuses, filmi nga Elena Avdija, që mund të shihet që nga 3 nëntori në CityClub në Pully, si dhe në të gjithë Zvicrën frëngjishtfolëse.
Filmi do të shfaqetgjithashtu në Zvicrën gjermanishtfolëse nga 17 nëntori.

*Cascadeuse: Specialiste që xhiron në vend të aktores skenat e rrezikshme, akrobatike dhe të dhunshme të një filmi.