Lajme

Çfarë i duhet Cyrihut për të qenë një qytet gjithëpërfshirës?

Debat publik në Cyrih mbi barazinë, qasshmërinë dhe përfshirjen sociale

Me qëllim të nxitjes së një debati të strukturuar mbi politikat publike, barazinë, qasshmërinë dhe përfshirjen sociale në qytetin e Cyrihut, të martën, më 3 shkurt, në hapësirën Amboss Rampe (Zollstrasse 80), u mbajt një diskutim paneli me temën “Çfarë i duhet Cyrihut për një shoqëri gjithëpërfshirëse?” (Was braucht es für ein inklusives Zürich?).

Diskutimi mblodhi përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile, duke krijuar një platformë reflektimi dhe dialogu mbi sfidat konkrete me të cilat përballen sot banorët e Cyrihut. Në panel morën pjesë Céline Widmer dhe Tobias Langenegger, kandidatë për Këshillin e Qytetit; Kevin Rauch, kandidat për Këshillin Komunal dhe kandidati i parë me aftësi të kufizuara kognitive në Zvicër; Islam Alijaj, deputet në Parlamentin Zviceran (Nationalrat); si dhe Valdete Hoti, kryetare e Shoqatës PARANDALO.

Diskutimi u moderua nga Kafi Freitag, e cila e orientoi bisedën drejt domosdoshmërisë së veprimeve konkrete dhe të matshme, përtej deklaratave simbolike, në funksion të gjithëpërfshirjes së të gjithë banorëve të qytetit.

Kandidatët për Këshillin e Qytetit theksuan gatishmërinë për bashkëpunim ndërpartiak, duke vënë në pah se gjithëpërfshirja duhet të trajtohet si një e drejtë themelore qytetare. Sipas tyre, vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm me shoqërinë civile dhe ndërtimit të politikave të përbashkëta mund të sigurohen pjesëmarrje e barabartë dhe akses real për të gjithë.

Një kontribut thelbësor në debat dha Islam Alijaj, deputeti i parë me prejardhje migrimi dhe me aftësi të kufizuara në Parlamentin Zviceran, si dhe bashkë-iniciator i iniciativës për Inkluzion. Ai theksoi se përfshirja nuk mund të mbetet një koncept abstrakt politik, por duhet të materializohet në politika konkrete që garantojnë pjesëmarrje reale dhe të barabartë.

Nga ana tjetër, Kevin Rauch vuri theksin te rëndësia e përdorimit të gjuhës së thjeshtë dhe të kuptueshme, veçanërisht në komunikimin administrativ dhe politik, duke nënvizuar se gjuha e ndërlikuar krijon barriera të panevojshme dhe përjashtuese për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve.

Gjatë panelit u trajtuan gjithashtu mungesa e banesave të përballueshme dhe të qasshme, si dhe kufizimet në pjesëmarrjen politike, veçanërisht për personat pa të drejtë vote. Në sallë ishin të pranishëm qytetarë me dhe pa të drejtë vote, si dhe përfaqësues politikë nga parti të ndryshme.

Nga radhët e SP Stadt Zürich ishin të pranishëm Reis Luzhnica (Bisher), Qarku 3, vendi 3 në listë (1990), si dhe Shirete Limani, Qarku 11, vendi 17 në listë (1975). Nga FDP ishte i pranishëm Përparim Avdili, vendi 1 në listë, kandidat për Këshillin e Qytetit dhe për kryebashkiak Qytetit të Cyrihut. Në sallë dhe në diskutime morën pjesë gjithashtu Dafi Muharemi (aktualisht asamblist), Qarku 12, vendi 3 në listë (1985); Shkurte Sadiku, Qarqet 4 dhe 5, vendi 9 në listë; Valentina Fazlija, Qarku 9, vendi 4 në listë; Shemsi Aslani, Qarku 9, vendi 16 në listë; Enes Skenderi, Qarku 12, vendi 3 në listë; si dhe Bujar Bunjaku, Qarku 12, vendi 8 në listë.

Përvojat praktike të sjella nga puna e përditshme e qendrës PARANDALO i dhanë debatit një dimension të drejtpërdrejtë dhe realist. Shoqata, me seli në Cyrih, është politikisht neutrale dhe jofitimprurëse dhe angazhohet për mbështetjen e personave me histori migrimi, si dhe të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht atyre me prejardhje migrimi.

Sipas PARANDALO-s, përfshirja fillon me njohje dhe dukshmëri: me pranimin se këta persona janë pjesë aktive dhe të barabartë e shoqërisë, jo thjesht “grupe të synuara”, por bashkë-krijues të saj. Qasja në informacion, mbështetja e vazhdueshme dhe qasshmëria reale pa barriera mbeten elemente kyçe. Cyrihu ka nevojë për oferta të arritshme dhe shumëgjuhëshe, që u përgjigjen njerëzve aty ku ndodhen, fizikisht, gjuhësisht dhe shoqërisht.

Po aq thelbësore është vetëvendosja. Individët duhet të kenë mundësi reale për të vendosur mbi jetën, arsimin, punën dhe pjesëmarrjen e tyre shoqërore e politike. Një qasje interseksionale është e domosdoshme, pasi format e diskriminimit shpesh ndërthuren, siç janë prejardhja dhe aftësia e kufizuar. Strukturat politike dhe administrative duhet ta pasqyrojnë këtë realitet kompleks.

Të dhënat statistikore e konfirmojnë rëndësinë e temës: rreth 34 për qind e popullsisë së Cyrihut janë të huaj dhe rreth 9 për qind jetojnë me një formë aftësie të kufizuar. Kjo e bën përfshirjen një çështje qendrore shoqërore, jo një temë margjinale.

Një Cyrih vërtet gjithëpërfshirës kërkon ndryshime strukturore të qëndrueshme: ndarje të pushtetit, hapje të qasjeve, trajtim serioz të diskriminimeve dhe përfshirje aktive të vetë personave të prekur në proceset vendimmarrëse. Vetëm në këtë mënyrë, përfshirja mund të kalojë nga diskursi në praktikë.

Në përmbyllje, Valdete Hoti theksoi se baza e gjithëpërfshirjes së vërtetë qëndron në arsimin gjithëpërfshirës. Pa reforma të thella në sistemin arsimor selektiv, barazia e mundësive mbetet e paarritshme. Arsimi duhet të krijojë hapësirë për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë, pavarësisht prejardhjes, gjuhës apo aftësive, në mënyrë që përfshirja të mos mbetet vetëm parim normativ, por të shndërrohet në realitet të përditshëm.