Lajme

Çfarë përkushtimi ndaj diasporës në kontekstet e largimeve masive nga vendi?

Opinion nga Lirim Begzati, ekspert ligjor

Politika ndaj diasporës nuk ka qenë gjithmonë në agjendën e ditës të akterëve tonë të ndryshëm shoqëror dhe politik; shumë vonë kanë filluar të shfaqen në skenë disa angazhime dhe reflektime më serioze në këtë drejtim.

Një tendencë e cila ka dominuar, sidomos në të kaluarën, tregon se, për dikë, kjo çështje shpeshherë i ka takuar fushës së një rentabiliteti të zbehur politik. Për shembull, prioritetet e disa akterëve janë fokusuar më tepër në interesimin për marrjen e votës nga diaspora, e jo domosdo në çështjet tjera që do t’i shkonin më tepër përshtati, jo vetëm interesit të diasporës, por edhe interesit të gjithëmbarshëm.

Angazhimet më konkrete u intensifikuan që nga momenti kur u analizua sadopak më realisht roli dhe kontributi i diasporës, duke i tejkaluar sadopak interesat e ngushta posaçërisht dhe ekskluzivisht “fitimprurëse” të dikujt!

Edhe largimet masive nga vendi, ndikuan që protagonistët e ndryshëm shoqëror të zgjohen dhe të tregojnë një qasje më pragmatike ndaj çështjeve mbi diasporën, një qasje deri diku e adaptuar me rrethanat e krijuara.

Pra, një shtytje kjo edhe për “zgjimin” institucional; janë formuar ministri, apo janë hapur poste ministrore për diasporën, organizohen simpoziume e konferenca, mbahen debate e diskutime. Lëvizin pra gjërat!

Në këtë horizont reflektimi, nuk ka nevojë të idealizohen sendet tepër se sa duhet, bile as nevoja e shprehjes së ambicieve të tepruara.

Një personalitet politik thoshte para do kohësh “çfarë politike me bërë në këtë drejtim, kur dihet se të shumtë jemi edhe ne të politikës që na rinë mëndja për me u larguar nga vendi”.

Një politikë e mirëfilltë për diasporën, do të ishte akoma më e vyeshme, atëherë ku ajo do të shoqërohej me intensifikimin e punës për përmirësimin e gjendjes në trevat tona, sidomos në këto rrethana ku kërkohet një përkushtim për uljen e nevojës apo shijes për me u larguar nga vendi, e pse jo edhe për nxitjen e kureshtjes për kthim dhe për investime në vendet tona, për ata që vazhdojnë ende të hezitojnë!

Pikërisht në këtë drejtim, duket se dështimet janë fatkeqësisht të njëpasnjëshme, largimet nga vendi i përngjajnë dinamikës së eksodit, por edhe perspektivat nuk duken aspak inkurajuese për me shpresuar një përmirësim gjendjeje.

Në moment, një pjesë jo e vogël e popullatës është aq e dëshpëruar, sa që edhe nëse flitet për një program politik madhor mbi diasporën, nuk shprehet ndonjë interesim  i madh për me e kuptuar se për çfarë është fjala dhe sa rëndësi ka ai.

Ndërkaq, nëse flitet për një program punësimi jashtë vendit, janë të shumtë ata që tregojnë shpeshherë një interesim të madh dhe kurreshtje për me e kuptuar se për cilin shtet është fjala dhe kush janë mundësitë për me shkuar sa më shpejt atje!

Në kontekstet e tilla, kërkohet një angazhim më intensiv, një qasje më analitike ndaj çështjeve të lartëpërmendura, për me u munduar kështu me bërë diçka më tepër dhe më konkretisht. Nuk mjaftojnë vetëm programe dhe premtime.

“Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe të kesh aftësinë që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi”, thoshte para shumë dekadave Winson Çurçili.

Paralelisht me këtë që u cekë më lart, edhe diaspora, si e tillë, nuk ka nevojë të simbolizoi një faktor të vetëm dhe të pazëvendësueshëm për ecjet ekonomike në vendet tona.

Historia ekonomike tregon se asnjë shtet në botë nuk ka mundur të synojë një ekonomi të prosperuar, duke pritur që zhvillimet të shkojnë përpara vetëm falë kontributeve që vijnë nga popullata e saj që gjendet në diasporë.

Është kuptuar gjithashtu se zhvillimet nuk mund të përcjellin dinamikën e synuar, vetëm duke u mbështetur në nevojën e përkrahjes ekonomike nga shtetet e huaja.

Janë programet, politikat dhe resurset ekonomike të vendit, shfrytëzimi i potencialeve ekzistuese, ato të cilat duhet të mbajnë çdoherë rolin parësor në prosperitetin e kërkuar apo të pritur në zhvillimin e gjithmbarshëm të një vendi.

Jo, nuk duhet të pritet që diaspora të paraqesë “motorin” kryesorë dhe të pazëvendësueshëm për zhvillimin e trojeve tona. Megjithatë, ajo pa mëdyshje do të mbetet edhe më tutje një faktor, një pjesë përbërëse dhe shtytje e padiskutueshme, në kuadër të proceseve të shumëfishta zhvillimore të vendit të origjinës.