Shqipëria

Cilat janë destinacionet kryesore nga Aeroporti i Tiranës

Italia mbetet destinacioni kryesor ku udhëtojnë shqiptarët, rritja e fortë e Gjermanisë

Sipas statistikave të Eurostat, në Itali jetojnë të paktën 570 mijë shtetas shqiptarë, çka përbën një bazë shumë të rëndësishme për tregun ajror, së bashku me familjarët e tyre.

Italia, e njohur për historinë, kuzhinën dhe kulturën e saj, ndodhet vetëm rreth 1–1.5 orë fluturim nga Rinasi, në varësi të qytetit, duke mbetur një destinacion i preferuar edhe për turizëm. Edhe gjatë vitit 2025, shteti përtej Adriatikut vijoi të ketë trafikun më të madh ajror me Shqipërinë, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në 2025-n, sipas të dhënave nga “Tirana International Airport” (TIA), rreth 40% e pasagjerëve (ose 4.6 milionë) udhëtuan nga Rinasi drejt qyteteve italiane dhe anasjelltas. Në krahasim me vitin e mëparshëm, fluksi i udhëtarëve është rritur me 2.5%.

Ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm nga 43% që ishte zgjerimi vitin e mëparshëm, duke treguar për një maturim të këtij segmenti, të ndikuara nga Milano (+Bergamo).

Nga Rinasi u fluturua në 22 qytete italiane në vitin 2025, nga 24 në 2024 (Ankona, Bari, Bergamo, Bolonja, Brindizi, Katania, Comiso, Genova, Lamezia Terme, Milano, Napoli, Olbia, Peruxhia, Peskara, Piza, Rimini, Romë, Salerno, Treviso, Trieste, Torino, Verona). Dominojnë Milano, së bashku me Bergamon dhe Roma.

Krahas emigrantëve e shqiptarëve që vizitojnë Italinë për pushimet apo tek të afërmit e tyre, Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për turistët italianë. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, shtetasit nga Italia ishin grupi i dytë më i madh i turistëve në vend, pas Kosovës, me 1.3 milionë italianë që hynë në vend në 2025, ose 3.2% më shumë.

Ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm në raport me 2024, kur zgjerimi ishte 31%, duke qenë dhe një faktor kryesor që ka ndikuar në ecurinë më të dobët të fluturimeve me Italinë.

Në vend të dytë ka mbetur Gjermania, me 13.7% të lëvizjeve, nga 10.7% vitin e mëparshëm. Gjermania është shteti që ka shënuar rritjen më të lartë të trafikut ajror nga Shqipëria në vitin 2025.

Nga dhe drejt qyteteve të ekonomisë më të madhe evropiane, që vitet e fundit është kthyer në destinacion punësimi për shqiptarët, kanë udhëtuar 1.55 milionë pasagjerë, ose 33% më shumë se viti i mëparshëm. Një shtysë këtij destinacioni i ka dhënë dhe rritja e interesit të gjermanëve për të vizituar vendin.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, në vitin 2025 në vend hynë 425 mijë shtetas gjermanë, me rritje prej 17% me bazë vjetore. Nga Rinasi fluturohet në 13 destinacione në Gjermani. Qyteti me fluksin më të madh të udhëtimeve ka kaluar Dortmundi, ndërsa në 2024-n udhëhiqte Frankfurti. Më pas vijojnë Memmingen, Berlini, Hamburgu.

Mbretëria e Bashkuar (MB), sidomos Londra, është destinacioni i tretë për trafikun nga Shqipëria, me 8.7% të totalit. Hyrja e operatorëve me kosto të ulët, fillimisht “Wizz Air”, çoi në rritje të shpejtë të fluturimeve, duke shënuar zgjerim prej 62%, në 2024-n, kur nisi dhe “Ryanair”.

Por, në 2025-n drejt dhe nga shteti ishullor udhëtuan 1 milion pasagjerë, me një rritje prej 5.3% me bazë vjetore. Londra tërhoqi 92% të udhëtarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Turqia ka vijuar të ruajë vendin e katërt, me 5% të udhëtimeve dhe rritje me 4.4% me bazë vjetore (nga 35% vitin e mëparshëm), me Stambollin që zë peshën kryesore (72%). Destinacioni tjetër i preferuar për pushime është Antalia, me rreth 110 mijë pasagjerë, i ndjekur nga Bodrumi me 13 mijë.

Polonia vijon të renditet në vendin e pestë, pavarësisht se interesi i polakëve për udhëtimet turistike në Shqipëri po vjen në rënie. Nga dhe drejt qyteteve të Polonisë kanë udhëtuar 485 mijë shtetas, me rënie prej 6.5% në raport me vitin 2024.

Kjo tendencë vjen pas rritjes me 57% vitin e mëparshëm. Sipas operatorëve turistikë, rënia ka ardhur kryesisht nga udhëtarët individualë, ndërsa udhëtimet e organizuara përmes agjencive vijojnë të jenë të qëndrueshme.

Nga Rinasi është fluturuar në nëntë destinacione polake, Varshavë, Krakov, Katovicë, Vroclavw, Poznan, Gdañsk, Zheshov, Shiman, Zjelona, Lodz. Varshava mbetet destinacioni kryesor me 40.7% të totalit, e ndjekur nga Krakovi, me 20%.

Franca është një tjetër destinacion që ka parë rënie të udhëtimeve, pas dyfishimit në vitin 2024, që u ndikua dhe nga hyrja e “Ryanair” në këtë linjë. Në vitin 2025 fluturuan nga dhe drejt Francës rreth 465 mijë pasagjerë, me tkurrje prej 5% në raport me vitin e mëparshëm, me 490 mijë pasagjerë, më se dyfishim në krahasim me vitin 2023. Parisi mban rekordin me 62% të trafikut me Francën.

Austria është nga të paktat destinacione me rritje dyshifrore në vitin 2025. Trafiku drejt këtij shteti u rrit me 12%, në 444 mijë pasagjerë, vetëm në Aeroportin e Vjenës. Ky i fundit shërben si linjë e rëndësishme tranziti për gjithë botën, teksa hyrja e operatorëve me kosto të ulët vitet e fundit ka shtuar dhe udhëtimet turistike.