Kosova
Çka është dialogu strategjik për të cilin angazhohet SHBA-ja?
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara së shpejti do të finalizojnë një marrëveshje për “dialogun strategjik”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se me kërkesën e saj në vitin 2021, SHBA-ja ka konfirmuar se së shpejti do ta finalizojë këtë dialog me Kosovën.
Lajmin ia ka sjellë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, i cili po viziton Kosovën.
Çfarë nënkupton kjo?
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.
Dialog strategjik edhe me Kosovën, edhe me Serbinë
Dialogu strategjik me Kosovën dhe Serbinë është përmendur gjithashtu në një deklaratë për shtyp të senatores amerikane, Jeanne Shaheen, në prill të vitit 2024.
Në atë kohë, Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit të SHBA-së miratoi një projektligj të propozuar nga senatorja demokrate Shaheen dhe senatori republikan, Roger Wicker, që synonte rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe u dërgua në Senat për shqyrtim.
Projektligji përmend gjithashtu nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë nismat për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet.
“Këta hapa të propozuar përfshijnë nisjen e dialogut strategjik dypalësh me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështetjen e nismave konkrete në fushën e tregtisë dhe investimeve”, thuhet në deklaratën për shtyp të senatores Jeanne Shaheen.
Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC, dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried.
Në atë kohë, të dyja vendet theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe riafirmuan angazhimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes nismave politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Në takim ata nënvizuan gjithashtu rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive të avancuara të mbrojtjes, zhvillimit të stërvitjeve dhe aktiviteteve të trajnimit dypalësh për të përmirësuar ndërveprimin dhe gatishmërinë.
Për më tepër, ata riafirmuan angazhimin për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe ndanë angazhimin për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dypalësh./ REL
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria











