Lajme

Del para gjyqit në Zvicër Imami shqiptar

Nis gjyqi në Zvicër ndaj një imami kosovar, dyshohet për mashtrim dhe pastrim parash në miliona franga

Në Dietikon të Zvicrës ka nisur një proces i gjerë gjyqësor ndaj një imami dhe biznesmeni kosovar 57-vjeçar nga kantoni Aargau, i dyshuar për një sërë veprash të rënda ekonomike, transmeton albinfo.ch.

Referuar mediave zvicerane, aktakuza përbëhet nga mbi 200 faqe dhe përfshin gjithsej 20 pika, përfshirë mashtrim, shpërdorim detyre, pastrim parash, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Prokuroria vlerëson se dëmi financiar i shkaktuar arrin në disa milionë franga zvicerane.

I akuzuari kryesor nuk u paraqit në seancën gjyqësore, duke pretenduar se ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe është i paaftë për t’u marrë në pyetje. Për këtë arsye, gjykata ka urdhëruar një ekzaminim mjekësor zyrtar.

Tetë persona të përfshirë në çështje

Në këtë rast janë të pandehur gjithsej tetë persona: imami 57-vjeçar, ish-bashkëshortja e tij 51-vjeçare, vajza 27-vjeçare, tre djemtë e tij të moshës 27 dhe 35 vjeç, si dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, transmeton tutje albinfo.ch.

Sipas mediave zvicerane, i akuzuari në rrjetin social Facebook paraqitet si një imam i përkushtuar për rreth 4.500 ndjekësit e tij, ndërsa Prokuroria Publike e cilëson atë si “kriminel ekonomik”.

Dyshime për keqpërdorim të kompanive dhe lejeve të qëndrimit

Prokuroria pretendon se përmes kompanive ndërtimore dhe firmave fiktive janë siguruar kredi bankare, të cilat janë përdorur për shpenzime personale, ndërsa disa kompani janë futur qëllimisht në falimentim.

Po ashtu, ai dyshohet se ka deklaruar paga fiktive për anëtarë të familjes, me qëllim sigurimin e lejeve të qëndrimit në Zvicër.

Kërkesa e prokurorisë

Prokuroria ka kërkuar për të akuzuarin kryesor një dënim prej 7.5 vitesh burg, si dhe dëbim nga Zvicra për një periudhë 15-vjeçare. Për të pandehurit e tjerë janë paraparë dënime më të lehta.

Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet në fund të muajit janar./Albinfo.ch