Lajme

Deputetja zvicerane kërkon që mjekët të raportojnë pacientët e rrezikshëm te policia

Kundërshtarët e propozimit paralajmërojnë se dobësimi i konfidencialitetit mund të dëmtojë besimin mes pacientëve dhe mjekëve, duke bërë që disa persona të hezitojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore ose psikologjike

Pas sulmit me thikë në Winterthur javën e kaluar, ku tre persona mbetën të plagosur, është rihapur debati në Zvicër mbi kufijtë e konfidencialitetit mjekësor dhe sigurinë publike.

Sulmuesi, i cili kishte qenë më parë në trajtim për probleme të shëndetit mendor, ka nxitur disa deputetë të kërkojnë ndryshime ligjore që do t’u mundësonin psikiatërve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë të raportojnë persona potencialisht të rrezikshëm tek autoritetet, transmeton albinfo.ch.

Nisma është paraqitur nga deputetja Jacqueline de Quattro, e cila argumenton se profesionistët e shëndetësisë duhet të kenë detyrimin të raportojnë individë që paraqesin rrezik për sigurinë publike, veçanërisht nëse kanë lidhje me ideologji ekstremiste.

“Ky është një problem sigurie për vendin tonë, prandaj duhet të veprojmë”, deklaroi ajo.

Megjithatë, një masë e tillë do të kërkonte ndryshime të rëndësishme në legjislacionin zviceran, pasi sekreti mjek-pacient është i mbrojtur me ligj dhe konsiderohet një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor.

Kundërshtarët e propozimit paralajmërojnë se dobësimi i konfidencialitetit mund të dëmtojë besimin mes pacientëve dhe mjekëve, duke bërë që disa persona të hezitojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore ose psikologjike.

Çështja pritet të diskutohet këtë javë në Parlamentin zviceran, ku debati mes sigurisë publike dhe mbrojtjes së privatësisë pritet të jetë i ashpër.