Tematike

Deputetja zvicerane, zëri i kërkesave të pensionistëve kosovarë

Intervistë me deputeten zvicerane Barabra Gysi, e cila kohë më parë ka lancuar interpelancë ndaj Qeverisë zvicerane në lidhje me mospagesen e pensioneve të punëtorëve kosovarë në Kosovë.

Ajo i kërkon Qeverisë zvicerane ta zgjidhë sa më shpejt këtë problem, sepse janë pensionistët ata që po e pësojnë, thotë ajo.

Në lidhje me interpelancën albinfo.ch i ka marrë një intervistë deputetës Barbara Gysi.

Albinfo.ch: Çfarë ju ka shtyrë të kërkoni interpelancë. Çfarë marrëdhënie keni ju me diasporën shqiptare, gjegjësisht me Kosovën?

Gysi: Unë njoh shumë kosovare dhe kosovarë që jetojnë në Zvicër, por nuk njoh askënd atje poshtë që është në këtë situatë ku pensioni nuk i paguhet. Sidoqoftë kjo është e papranueshme për mua dhe më pengon jashtëzakonisht shumë që ne me Kosovën për momentin s’kemi marrëveshje për sigurimet sociale. Njerëzit kanë punuar këtu shumë shpesh me paga të këqija, kanë kontribuuar në mirëqenien tonë dhe tani nuk ju paguhet pensioni. Sipas meje kjo nuk guxon të ndodhë. Shumë prej tyre e kanë vë edhe shëndetin në lojë.

Për mendimin tim, kush punon në Zvicër dhe paguan sigurimin AHV, madje kjo është njëra ndër arritjet tona, duhet ti garantohet pleqëria, pavarësisht se ku e kalon atë. Ky rregull është thyer me Kosovën, prandaj unë mendoj se kjo nuk është në rregull.

Në anën tjetër unë si deputete njohë shumë njerëz këtu dhe vërej rëndësinë që ka diaspora në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Ata kanë ndihmuar me shuma të mëdha parash shtetin e ri të Kosovës. Është me rëndësi për njerëzit që jetojnë atje të kenë të ardhura dhe unë mendoj se ne si shtet zviceran kemi interes të përgjithshëm që të gjitha shtetet në Ballkan të funksionojnë mirë.

Prandaj ne tani bëjmë trysni që disa gjëra të rregullohen sikurse është rasti p.sh. me regjistrin civil, ligji për sigurime e që shteti atje të funksionojë dhe pagesat e mbetura të rrjedhin në mënyrë të sigurtë. Arsyeja kryesore megjithatë është se unë nuk pajtohem me atë se njerëzit që kanë punuar këtu, nuk mund të marrin pensionet, AHV-në e tyre. Fundja, ata nuk kanë faj që shteti nuk funksionon.

Albinfo.ch: Në faqen tuaj keni shkruar për mbështetjen e 23 deputetëve nga 200 sa ka Parlamenti zviceran, a ka mirëkuptim nga kolegët tuaj rreth kësaj iniciative?

Gysi: Unë nuk kam dalë të mbledhë gjerë e gjatë nënshkrime, sepse është një interpelancë që ka pyetje për Qeverinë e cila duhet të përgjigjet me shkrim. Nisur nga kjo unë nuk kam kërkuar mbështetje të gjerë, kam pyetur mbi gjitha ata nga radhët tona. Mbase mund t’ju tregoj një shembull; unë nga çdo sesion bëj gjithmonë gati një raport, ku marrë edhe reagime dhe kisha shkruar diçka në këtë ankesë, ndërkohë që pata ndërruar disa imejla me një anëtar të partisë FDP, i cili në fillim nuk e kishte të qartë pse unë bëra ankesën. Pastaj i kam sqaruar atij situatën dhe ai ka thënë: ky është një mashtrim, ata po mashtrohen me pensionet e tyre. Për të ishte pastaj apsolutisht e qartë që kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Unë mendoj se në Zvicër ka plotë njerëz që nuk e dinë se pensionet nuk paguhen.

Albinfo.ch: A e shihni edhe ju këtë si një mashtrim të Qeverisë zvicerane?

Gysi: Po, ata nuk i marrin pensionet. Është e qartë se posa të nënshkruhet marrëveshja për sigurime sociale, pensionet e mbetura do t’ju kthehen. Këtu nuk është puna ashtu që njerëzit mashtrohen në atë kuptim që pensionet e tyre nuk do ti marrin kurrë, mirëpo tani dhe më parë, janë natyrisht të mashtruar. Prandaj nuk është në rregull dhe unë mendoj se duhet ushtruar presion edhe nga pjesa parlamentare në Qeveri, që ata ta çojnë rastin përpara. Ne të SP-së kemi pasur vazhdimisht ankesa, para dy vitesh isha në Kosovë dhe në bisedë me ministrin e Punëve Sociale, i pata bërë me dije se ne do të bëjmë gjithçka që në Zvicër rasti të lëvizë përpara, por edhe të japim mesazhin se edhe nga pala kosovare pritet më tepër angazhim. Ne nuk mund të presim që vetëm Zvicra të angazhohet, ky problem duhet të shtyhet përpara edhe nga pala kosovare.

Albinfo.ch: Ju mendoni se Kosova po bënë pak apo si?

Gysi: Në fillim ndoshta është nënçmuar pak, nevojitet një shtet funksional që kjo marrëveshje të mund të zbatohet. Nevojiten ligje, sistem pensional e marrëveshje për sigurime sociale që thirren gjithmonë në marrëveshje të dyanshme. Natyrisht është e paimagjinueshme që një zvicerane apo një zviceran të punoj dhe jetoj në Kosovë dhe pastaj të shkoj në Zvicër dhe të dëshiroj t’i paguhet pensioni atje dhe teoritikisht kjo do duhej të ishte e mundur. Ne kemi interesim shumë të madh që Kosova si shtet të funksionojë mirë sepse sa më mirë që të funksionojë si shtet, aqë më mirë do të jenë kushtet ekonomike dhe shumë më i ulët do të jetë presioni për migrim në Europën Përendimore.

Albinfo.ch: Kur mund të llogarisin të prekurit me një përgjigje, sepse mbledhja e ardhshme ku shqyrtohen ankesat mbahet në shtator?

Gysi: Përgjigja do duhej të kthehej deri në shtator, interpelanca nuk do të diskutohet, por do të ketë një listë të ankesave që ndoshta ndonjëherë mund të diskutohen. Mirëpo është më rëndësi që shqetësimi është parashtruar dhe përgjigjen do ta marrim me shkrim. Nisur nga përgjigja do të shohim se deri ku ka arritur zgjidhja e këtij problemi. Kjo është e rëndësishme, sepse nga kjo pastaj mund të shohim hapat tjerë. Nëse ta zëmë përgjigja do të ishte; jo kjo tani nuk mund të zgjidhet, ne do të mund të ndërmerrnim hapin tjetër.

Albinfo.ch: Këtë doja t’ju pyesja, cili do të jetë hapi tjetër nëse, ta zëmë, përgjigja që do t’ju jap Qeveria, nuk mjafton?

Gysi: Do të bënim një ankesë që nxjerrë detyrime, do të mund të bënim një mocion i cili pastaj do të diskutohej, por as këtu nuk mund të lëvizim shpejt. Më rëndësi është që me interpelancën e tanishme, rasti është kthyer në tryezën e diskutimeve. Mund t’ju them se kam marrë informacione se janë duke punuar seriozisht në këtë drejtim.