Lajme

Diaspora hap kapitull të ri bashkëpunimi për “Shqipërinë 2030”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës në vigjilje të Samitit të Katërt të Diasporës, duke sinjalizuar fillimin e një faze të re bashkëpunimi me diasporën shqiptare.

Gjatë bisedës, Hoxha vlerësoi angazhimin e anëtarëve të Këshillit dhe theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënieje të veçantë, e cila bazohet në një vizion të përbashkët për zhvillimin e vendit. Ai bëri të ditur se palët janë dakorduar për riorganizimin e këtij mekanizmi, me synim rritjen e koordinimit të aktiviteteve dhe hartimin e një agjende konkrete vjetore në funksion të prioriteteve kryesore.

Në qendër të diskutimeve ishte nisma “Shqipëria 2030” dhe roli i diasporës si partner i rëndësishëm në promovimin e gjuhës shqipe, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, forcimin e bashkëpunimit me biznesin si dhe përhapjen e vlerave kulturore shqiptare në botë.

Sipas ministrit, përfaqësuesit e diasporës nga fusha dhe vende të ndryshme përbëjnë një potencial të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve me atdheun dhe shndërrimin e këtij potenciali në vlera konkrete për vendin.

“Së bashku ramë dakord për të çelur një fazë të re në riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objektiva të qartë për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe një agjendë vjetore konkrete në funksion të prioriteteve madhore. Në fokus: Shqipëria 2030 dhe fuqizimi i diasporës si partner i pazëvendësueshëm, në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, përfshirjen në zhvillimin ekonomik e shoqëror, partneritetin me biznesin dhe promovimin e vlerave tona kulturore në botë.

Me përfaqësues të spikatur dhe profesionistë dinjitozë nga e gjithë bota, kemi një mundësi reale për të forcuar lidhjet me rrënjët dhe për ta kthyer potencialin e diasporës në vlerë konkrete për Shqipërinë.

Së bashku, për më shumë koordinim, më shumë veprim dhe rezultate të prekshme. “Përmes Rrënjëve Lartësohemi, Të Bashkuar, Forcohemi”, shkruan ministri Hoxha.