Lajme
Xhamia e madhe në St. Gallen: Skepticizëm, por edhe shpresë për dialog
Edhe para dorëzimit të kërkesës për leje ndërtimi, projekti për ndërtimin e një xhamie të madhe në St. Gallen ka nxitur debat dhe shqetësime. Përfaqësues të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) kanë ngritur pikëpyetje, veçanërisht lidhur me financimin e saj.
Një projekt i madh për komunitetin
Komuniteti shqiptaro-islam në St. Gallen planifikon ndërtimin e një xhamie me kapacitet deri në 400 persona në pjesën perëndimore të qytetit. Nëse realizohet, ajo do të jetë ndër xhamitë më të mëdha në Zvicrën gjermanishtfolëse, shkruan mediumi zvicrran srf transmeton albinfo.ch.
Vlera e tokës parashikohet rreth 5 milionë franga zvicerane, ndërsa ndërtimi pritet të kushtojë rreth 10 milionë franga. Kërkesat fillestare janë dorëzuar që në vitin 2024, por në atë kohë projekti u konsiderua i paqartë. Që atëherë, ka pasur pak zhvillime publike lidhur me të.
Pse nevojitet një xhami e re?
Sipas imam Mehas Alija, xhamia aktuale në St. Gallen është shumë e vogël për nevojat e komunitetit.
“Madje detyrohemi të përdorim edhe mensën për faljen e xhumasë,” shprehet ai.
Komuniteti “El-Hidaje”, i themeluar në vitin 1992, përfshin edhe anëtarë të gjeneratës së tretë dhe të katërt që jetojnë në Zvicër.
Dyshime për financimin
Përfaqësuesit kantonalë të SVP-së, të informuar për projektin përmes gazetës “Sonntagsblick”, shprehin shqetësime për krijimin e shoqërive paralele.
Ata kërkojnë sqarime nga qeveria e St. Gallen-it se si do të financohet projekti prej rreth 15 milionë frangash. Frika e tyre lidhet me mundësinë e financimit nga shtete apo organizata të huaja, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin e xhamisë.
Reagimi i komunitetit
Komuniteti i hedh poshtë këto pretendime. Sipas tyre, projekti do të financohet përmes kredive bankare, mjeteve vetanake, donacioneve të komunitetit dhe fushatave online.
Në një deklaratë, ata theksojnë: “Pretendimet për financim të huaj duhet të bazohen në fakte. Çdo gjë tjetër është një insinuatë e pabazë dhe jo produktive.”
Sa të besueshme janë këto pretendime?
Sipas Nicole Freudiger, redaktore për çështje fetare në SRF, është e zakonshme që projekte të tilla të mbështeten kryesisht nga vetë komuniteti.
“Ajo është pjesë e traditës islame që financimi për objekte të tilla të vijë nga vetë besimtarët,” shpjegon ajo. Përveç kontributeve financiare, shumë anëtarë ndihmojnë edhe me punë vullnetare.
Megjithatë, ajo shton se nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia e donacioneve nga jashtë.
Përvoja të mëparshme dhe shembuj të dialogut
Në raste të tjera në Zvicër, projekte të ngjashme janë përballur me kundërshtim të fortë. Në Siebnen, në kantonin Schwyz, komuniteti shqiptar u detyrua të tërhiqej nga planet për ndërtimin e një xhamie për shkak të rezistencës së banorëve.
Nga ana tjetër, Freudiger thekson se projekte të mëdha shpesh synojnë të nxisin dialogun ndërkulturor. Si shembull përmendet xhamia në Wil, e cila organizon vizita për shkolla dhe institucione, duke shërbyer si model bashkëjetese dhe komunikimi.
Shenja pozitive për bashkëpunim
Së fundmi, peshkopi i St. Gallen-it ka vizituar xhaminë ekzistuese gjatë iftarit, ndërsa imami ka ndjekur trajnime të vlerësuara pozitivisht. Këto zhvillime shihen si sinjale inkurajuese për dialog dhe bashkëpunim ndërfetar në të ardhmen.
E-Diaspora
-
Berlin
Petrit Halilaj në panel diskutimi në Berlin në kuadër të Javës Italiane në Gjermani Në Ambasadën e Italisë u diskutua mbi artin bashkëkohor dhe premierën e veprës “Syrigana” në Hamburger... -
Lorian Hajdini, mesfushori që po projekton të ardhmen në elitën e futbollit evropian -
Granit Xhaka hyn edhe në botën e filmit -
Zvicër
Punëtorë pa të drejta – ky është qëllimi i «Iniciativës për qëndrueshmëri» -
Shqiptari dyshohet si autori kryesor i vrasjes mafioze të berberit 26-vjeçar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Zvicra nuk është më vendi më i shtrenjtë në botë, ja kush ia zuri vendin e parë Islanda është bërë zyrtarisht vendi më i shtrenjtë në botë, duke tejkaluar Zvicrën, me çmime mesatarisht... -
Ushtria zvicerane nuk duhet të mbetet pa ushtarë, debati për shërbimin civil ndez përplasje politike -
Kompani zvicerane akuzohen nga SHBA për pastrim të parave nga nafta iraniane -
Dyshime për vdekjen e një foshnjeje në Zvicër nga qumështi i kontaminuar -
Xhaka e Shaqiri në mesin e milionerëve të rinj në Zvicër












