Kosova

Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025

Gjatë vitit 2025, të ardhurat nga diaspora në Kosovë u rritën me 4 për qind krahasuar me vitin 2024

Remitencat nga mërgimtarët shënuan rritje gjatë vitit 2025, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë dhe bizneset vendore, shkruan albinfo.ch.

Diaspora shqiptare vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të financave në Kosovë, duke luajtur rol vendimtar në stabilitetin ekonomik të vendit.

Numri i madh i qytetarëve kosovarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, si dhe kontributi i tyre financiar, janë faktorë kyç në rritjen e vazhdueshme të remitencave.

Gjatë vitit 2025, të ardhurat nga diaspora kanë shënuar rritje të ndjeshme, veçanërisht gjatë muajve të verës dhe festave të fundvitit, kur mërgimtarët vizitojnë Kosovën dhe rrisin konsumin në ekonomi. Sipas statistikave, diaspora shqiptare ka dërguar mbi 1.28 miliardë euro gjatë vitit 2025, që paraqet një rritje prej më shumë se 4 për qind krahasuar me vitin 2024.

Këto të ardhura kanë ndikuar drejtpërdrejt në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, veçanërisht në tregti, gastronomi, shërbime dhe ndërtimtari. Për shumë biznese në Kosovë, ardhja e mërgimtarëve përfaqëson periudhën më fitimprurëse të vitit, duke i konsideruar ata si një nga burimet kryesore të qarkullimit financiar, shkruan tutje albinfo.ch. 

Përveç ndikimit ekonomik, remitencat nga diaspora kontribuojnë edhe në mirëqenien sociale të familjeve kosovare, duke ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve bazë, investimeve në arsim, shëndetësi dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Rritja e vazhdueshme e remitencave dëshmon se diaspora mbetet një faktor i pazëvendësueshëm për ekonominë e Kosovës, duke reflektuar lidhjen e fortë ekonomike dhe emocionale të mërgimtarëve me vendlindjen./Albinfo.ch.