Muzikë

Diellëza Turkaj, një shembull përkushtimi në drejtimin e SHKA “17 Shkurti”

Si udhëheqëse e SHKA “17 Shkurti” në Baden, Diellëza kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore shqiptare.

Në diasporë, ruajtja e identitetit kombëtar nuk është vetëm dëshirë, por mision. Një nga shembujt më domethënës të këtij misioni është Diellëza Turkaj, koreografe, valltare dhe drejtuesja artistike e Shoqërisë Kulturore Artistike “17 Shkurti” në Baden të Austrisë, një ansambël që prej vitesh është shndërruar në adresë të kulturës shqiptare në këtë vend.

Në fakt “17 Shkurti” shquhet për një traditë të gjatë të organizimeve që mbajnë gjallë këngën dhe vallen shqipe në mërgatë, kryesisht me aktivitete kulturore që kanë për qëllim ruajtjen e kulturës shqiptare.

 

 

Rrënjët e një pasioni të lindur në art dhe atdhedashuri

Diellëza u rrit në një ambient ku arti dhe atdhedashuria ishin pjesë e jetës së përditshme. “Që e vogël mbaj mend jetën tonë në Pfaffstätten. Rritesha me muzikë shqiptare, valle shqipe, lajme shqip, mbrëmje shqip me çaj dhe këngë folklorike. Kjo më bëri të dashuroj kulturën shqiptare që herët,” rrëfen ajo për revisten Albinfo.At.

Si bija e një ish-të burgosuri politik, ajo u rrit me rrëfime për sakrificën, qëndresën dhe ëndrrën e lirisë. Që në moshë të vogël njohu historinë dhe heronjtë kombëtarë përmes këngëve patriotike dhe edukimit në gjuhën shqipe. Para se të bëhej valltare, Diellëza ishte aktive në recitime, kor fëmijësh, shfaqje teatrore dhe aktivitete kulturore të organizuara nga komuniteti shqiptar në Baden.

Kontakti i saj i parë me vallen si valltare ndodhi në shtator të vitit 2003, gjatë përgatitjeve për festën e 28 Nëntorit në Baden. Pikërisht aty u hodhën themelet e një rrugëtimi që do të shndërrohej në mision jetësor.

 

 

Themelimi i shoqërisë, një mision për brezat e rinj

Themelimi i SHKA “17 Shkurti” lindi nga nevoja për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë. Diellëza tregon: “Qëllimi ynë kryesor ishte mbajtja gjallë e gjuhës shqipe, këngës, valleve dhe traditave, veçanërisht për brezat e rinj. Ne duam të krijojmë ura lidhëse mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme dhe të promovojmë kulturën shqiptare përpara publikut austriak.”

Në vitet e para, aktivitetet kulturore ishin një formë rezistence dhe afirmimi identitar. Vallëzimi, muzika dhe veshjet tradicionale nuk ishin vetëm argëtim, por një mënyrë për të mos humbur rrënjët. “Fillimi për shqiptarët në Austri nuk ishte i lehtë,” thotë Diellëza. “Por çdo mbrëmje kulturore dhe festë kombëtare ishte pika kyçe e takimit dhe bashkimit me atdheun.”

 

 

“17 Shkurti”, emër që bart histori dhe krenari

Emri i shoqërisë nuk është i rastësishëm. “17 Shkurti” përfaqëson njëkohësisht Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe misionin e shoqërisë për ta ruajtur këtë ideal përmes artit. “Ne jemi ambasadorët më të mirë të kombit, duke i mësuar fëmijëve tanë vallet, këngët dhe gjuhën shqipe,” thotë Diellëza. Momenti kur ansambli u prezantua për herë të parë me emrin SHKA “17 Shkurti” në Heldenplatz në Vjenë, duke hapur manifestimin me vallen e Pavarësisë, mbetet një nga emocionet më të mëdha për të gjithë anëtarët.

Sot, ansambli funksionon si një trup i kompletuar artistik me grupe vallëzimi për fëmijë dhe të rinj, orkestër me instrumentalistë, këngëtarë e këngëtare, grupin e tupangjive, dhe pjesëmarrje në dasma, kanagjegje dhe aktivitete të tjera kulturore.

 

 

Nga valltare në udhëheqëse

Në prill të vitit 2007, pas më shumë se katër vitesh si valltare, Diellëzës iu besua roli i koreografes. “Fillimi ishte shumë i vështirë, por kishim ëndrra dhe energji,” thotë ajo. Parqitja e saj e parë si koreografe u realizua më 25 maj 2007 në Vjenë. Krahas ruajtjes së valleve tradicionale, ajo ka krijuar edhe koreografi origjinale: “Dridhe Shkup e Shkodër”, “Çika e Uskanës”, “Nuse moj”, “Gocat e Tiranës”, “Moj e lindur e rritur në Kosovë”, si dhe tablo koreografike si kanagjegji dhe dasma shqiptare.

Edhe sot, Diellëza vazhdon të jetë njëkohësisht valltare dhe koreografe, duke udhëhequr artin me shembull personal.

Ansambli ka shënuar dhjetëra momente të rëndësishme, pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare në Austri, koncerte në Gjermani dhe Shqipëri, përfshirë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe akademi përkujtimore për presidentin Ibrahim Rugova. “Çdo koncert dhe festival ku marrim pjesë është një mundësi për të përfaqësuar komunitetin shqiptar me dinjitet dhe krenari”, kujton Diellëza.

 

 

Trashëgimi familjare dhe vizion për të ardhmen

Për Diellëzën, ky angazhim është edhe trashëgimi familjare. “Babi im sigurisht krenohet me të arriturat tona si shoqëri, por më shumë ndihet krenar kur shikon tre breza në skenë, fëmijët e tij, nipërit dhe mbesat,” thotë ajo. Planet për të ardhmen përfshijnë koreografi të reja, mundësi për talentet në këndim dhe instrumente tradicionale, si dhe pjesëmarrje në festivale dhe gara ndërkombëtare.

Mesazhi i saj për të rinjtë shqiptarë në diasporë është i qartë: “Ejani me ne dhe bëhuni pjesë e SHKA ‘17 Shkurtit’ në Baden. Ruani traditat, mos humbni lidhjen me rrënjët dhe shprehni talentin tuaj.” /Albinfo.At