Kosova

Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore

Doktorantët e Diasporës po lënë gjurmë suksesi në universitetet më prestigjioze të botës me punime shkencore të nivelit ndërkombëtar, duke forcuar praninë shqiptare në botën e dijes.

Platforma mediale Albinfo.ch nuk ka reshtur së botuari gjatë gjithë vitit profilet e suksesshme të shqiptarëve nëpër botë, me theks të veçantë në Zvicër dhe jo vetëm. Andaj, në përmbyllje të numrit të fundit të revistës për vitin 2025, sjellim një përmbledhje të arritjeve më të spikatura akademike të shqiptarëve në diasporë, atyre që kanë shënuar kulmin e karrierës së tyre studimore me titullin “Doktor Shkence” në universitetet më prestigjioze të botës.

Këtë vit, doktorantët e diasporës kanë dëshmuar potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, duke kontribuar në zhvillimin e dijeve moderne, duke sjellë qasje inovative në inteligjencën artificiale mjekësore, atë të mjedisit global, kanë hulumtuar struktura të ndërlikuara të universit, e madje kanë dhënë kontribute të rëndësishme në ruajtjen e trashëgimisë juridike e kulturore shqiptare.

Në mesin e tyre, emra si Donikë Sejdiu, Hajriz Berisha, Nita Mulliqi, Vjosa Blakaj, Shqipdona Lahu, Bertila Bruka, Burim Ramaj, Endrit Smaili, Pranvera Hyseni, Besar Abdiu, Esma Fera, Kevin Mato, Kaltrina Kusari, Shpresim Sadiku dhe Qëndresa Morina ndriçuan panoramën akademike shqiptare në diasporë. Secili prej tyre është dëshmi e fuqisë së dijes dhe e vlerës që bartin ata. Andaj, viti 2025 do të mbetet si një simbol i krenarisë kolektive për diasporën shkencore shqiptare, një urë mes origjinës, ëndrrës dhe arritjes.

 

 

Donikë Sejdiu, një studente me prejardhje nga Kumanova, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e shkencës, duke mbrojtur me sukses temën e doktoratës pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Cyrihut.

Me këtë arritje, ajo fitoi titullin Doktore e Shkencave, duke bërë një hap të rëndësishëm përpara në karrierën e saj akademike.

Punimi i saj shkencor, i cili mori vlerësime të larta, kishte titullin “Evolucioni i sistemeve patogjen–bimë përmes genomikës së herbariumit: raste studimore të patogjenit të urisë irlandeze të patates, Phytophthora infestans, dhe të patogjenit të zjarrit të shenjtë, Claviceps purpurea”.

 

 

Hajriz Berisha, një emër i njohur në fushën e shkencave të mjedisit, ka arritur një sukses në karrierën e tij akademike, duke fituar titullin Doktor i Shkencave të Mjedisit në një nga universitetet më prestigjioze të Evropës, Eötvös Loránd University në Budapest, Hungari.

Ky universitet është i njohur për arritjet e tij të larta në fushën e shkencave natyrore dhe kërkimit shkencor, dhe titulli i doktoratës që Hajriz Berisha ka fituar atje është një dëshmi e mundësive që i ofrohen individëve të talentuar që synojnë të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve globale të mjedisit.

Me titullin Doktor i Shkencave të Mjedisit, Hajriz Berisha është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe angazhimit për të mbrojtur planetin tonë dhe për të kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme për brezat që vijnë.

 

 

Nita Mulliqi nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet e doktoraturës në Institutin Karolinska në Stokholm, një nga institucionet më prestigjioze në botë, në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor.

Tema e doktoratës së saj ishte e fokusuara në zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale për diagnostikimin dhe gradimin e kancerit të prostatës nga biopsitë digjitale, një qasje inovative që synon të përmirësojë saktësinë dhe efikasitetin e diagnozave mjekësore.

Ky model inteligjence artificiale që Nita zhvilloi pritet të ketë një ndikim të madh në praktikën klinike, pasi do të implementohet në disa spitale të vendeve nordike, ku do të asistojë patologët në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të prostatës.

 

 

Vjosa Blakaj, e lindur dhe e rritur në Kosovë, ka arritur suksese në fushën akademike dhe shkencore, duke u bërë një model për shumë të rinj që ndjekin një karrierë të ngjashme.

Pas një përvoje të pasur profesionale dhe studimesh të thelluara, ajo ka arritur të doktorojë në Universitetin Teknik të Mynihut në Gjermani, një nga institucionet më prestigjioze të teknologjisë dhe shkencave.

Gjatë karrierës së saj, Vjosa ka punuar në Max-Planck-Institut für Quantenoptik, një institut lider në fushën e fizikes dhe optikës ku ka qenë kandidate për doktoraturë dhe hulumtuese.

 

 

Burim Ramaj, është shpallur Doktor Shkence në Universitetin e Friburgut në Zvicër, një nga universitetet më prestigjioze të Europës.

Tema e tij e doktoratës, “Pluralizmi juridik sipas kanunit shqiptar”, është një kontribut i rëndësishëm në studimet mbi trashëgiminë juridike dhe kulturore shqiptare, dhe ka pasur një ndikim të madh në fushën e kërkimit shkencor lidhur me të drejtat dhe normat shoqërore të shqiptarëve.

Në mesin e shtatë kandidatëve që morën titullin Doktor Shkence, Burim Ramaj u dallua për vlerën akademike të punimit të tij dhe për rëndësinë që ka kjo temë në kuadrin e ruajtjes dhe zhvillimit të identitetit juridik dhe kulturor të shqiptarëve.

 

 

Esma Fera, një vajzë e re dhe e talentuar nga Kosova, ka arritur suksese në fushën e Biologjisë së Kancerit, me doktoratë në një nga universitetet më prestigjioze të botës, Universitetin e Wisconsin-Madison në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo është vetëm 23 vjeçe dhe ka pasur një rrugë shumë të shpejtë akademike. Një fakt interesant është se, nga niveli i studimeve Bachelor, ajo kaloi menjëherë në Doktoraturë, pa pasur nevojë të vazhdojë me studime master.

Ky është një përshkrim i qartë i talentit të jashtëzakonshëm dhe potencialit të lartë që Esma ka, duke u vlerësuar dhe mbështetur nga universiteti për kapacitetin e saj të jashtëzakonshëm kërkimor.

 

 

Shqipdona Lahu, është shpërblyer me Çmimin Ndërkombëtar për Doktoraturën më të Mirë në Universitetin Teknik të Mynihut (Technical University of Munich – TUM), një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Gjermani dhe në Bashkimin Evropian. Ky çmim është një njohje e veçantë për punën e saj të jashtëzakonshme shkencore dhe kërkimore.

Doktorata e Shqipdona Lahut u vlerësua si më e mira për periudhën akademike 2024–2025, duke e pozicionuar atë si një nga shkencëtaret më të spikatura të rinj në fushën e Shkencave të Jetës dhe Mjekësisë. Tema e saj e doktoratës, me titull “Novel aspects of antiplatelet drug therapy in patients undergoing percutaneous coronary interventions”, është një kontribut i rëndësishëm në kardiologjinë ndërhyrëse, duke trajtuar aspekte të reja të terapisë me ilaçe antiplatelet për pacientët që kalojnë intervenime koronare perkutane (PCI).

 

Endrit Smaili ka kaluar me sukses të gjitha provimet e doktoraturës në bashkëdrejtim me Sapienza Università di Roma, një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, nën udhëheqjen e François Lerouxel, Jean-Marie Salamito, dhe Gian Luca Gregori. Kjo periudhë kërkimore ka qenë një mundësi për Endritin të zhvillonte një projekt shkencor të rëndësishëm dhe të kontribuonte në avancimin e fushës së tij.

Për më tepër, ai ka kaluar një semestër si profesor ligjërues në Universitetin ‘Sorbonne’ në Paris, duke ofruar mësim dhe udhëzime për studentët e nivelit të lartë, një mundësi e shkëlqyer për të shpërndarë njohuritë e tij dhe për të kontribuar në zhvillimin akademik të brezit të ardhshëm.

Në vitet pas doktoratës, Endrit Smaili është emëruar profesor në Universitetin ‘Sorbonne’ në Paris, një pozicion që vjen si rezultat i aftësive të tij akademike dhe kërkimore.

 

 

Kaltrina Kusari ka arritur një tjetër përparim të madh në karrierën e saj akademike, duke përfunduar me sukses postdoktoraturën në Universitetin e Calgaryt, në Kanada, gjatë muajit qershor 2025. Ky sukses i hap mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm të kërkimeve dhe kontributeve të saj shkencore.

Gjatë kësaj periudhe akademike ndërkombëtare, Dr. Kusari ka qenë pjesë e një projekti shumë të rëndësishëm hulumtues, “Aging in the Right Place” (AIRP).

Ajo ka prezantuar gjetjet kryesore të studimit të saj në konferencën ndërkombëtare “Our Future is Aging”, e cila u mbajt në Halifax, Nova Scotia. Ky ishte një moment i rëndësishëm për të, pasi prezantimi i saj nuk vetëm që u mirëprit nga pjesëmarrësit, por gjithashtu nxiti diskutime të thella.

 

Bertila Bruka, është shpallur fituese e çmimit “Kërkues shkencor i shkëlqyer” nga Stevens Institute of Technology dhe duke u pranuar direkt në programin e Doktoraturës në Georgia Institute of Technology, pa pasur nevojë për diplomë master. Ky është një privilegj që u ofrohet vetëm studentëve me rezultate të jashtëzakonshme, duke e pozicionuar Bertilën si një nga talente më të shquara të rinj në fushën e inxhinierisë biomjekësore.

Bertila u diplomua këtë vit për Inxhinieri Biomjekësore, duke u nderuar me medaljonin “High Honors”. Disa nga arritjet e saj të mëdha përfshijnë prezantimin e studimeve të saj në konferenca prestigjioze në SHBA, ku ajo ka demonstruar aftësitë e saj të kërkimit dhe shpjegimit të ideve të avancuara shkencore.

Bertila ka zhvilluar gjithashtu kërkime në universitete të njohura dhe institucione kërkimore si Yale dhe National Institutes of Health (NIH).

Kevin Mato ka përfunduar me sukses doktoraturën në fushën e kompjuterikës kuantike në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në botë. Rrugëtimi i tij ka qenë i gjatë dhe i mbushur me punë, pasion dhe përkushtim.

Familja Mato, e cila u largua nga Shqipëria drejt Italisë, ka qenë mbështetja kryesore e tij, dhe sot sakrificat e tyre janë kurorëzuar me këtë sukses të rrallë.

Gjatë studimeve, Kevin ka prezantuar punime kërkimore në Japoni, Evropë dhe SHBA, duke kontribuar në zhvillimin e algoritmeve kuantike dhe aplikimeve kompjuterike të avancuara.

Ai është vlerësuar me çmime ndërkombëtare, përfshirë titullin e shkencëtarit më të mirë në botë në fushën e tij nga ORNL në SHBA, çmimin e Bashkimit Evropian për inovacion dhe një grant prestigjioz për shkencëtarët e rinj. Aktualisht, Kevin punon në NVIDIA.

 

 

Qëndresa Morina, është doktorantja në fushën e matematikës, ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në Fakultetin e Edukimit të Charles University në Pragë, Çeki, një nga universitetet më prestigjioze në Evropë.

Kjo arritje është një kulm i punës së palodhur dhe angazhimit të saj për të avancuar në fushën e matematikës dhe edukimit.

Gjatë studimeve të saj, Qëndresa ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe është vlerësuar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm nga profesorët çekë, duke e vendosur atë si një nga studentët më të shquar të këtij institucioni akademik. Mbrojtja e doktoratës është një dëshmi e aftësive të saj kërkimore dhe akademike, si dhe një pasqyrë e përkushtimit të saj për të përhapur njohuritë matematikore dhe për të kontribuar në zhvillimin e metodave të reja të mësimdhënies në këtë fushë.

 

 

Shpresim Sadiku ka fituar titullin Doktor i Shkencave në Universitetin Teknik të Berlinit (TU Berlin), duke arritur një nga sukseset më të larta akademike evropiane.

Tema e doktoraturës së tij, “Explaining Deep Neural Networks through Inverse Classification”, trajton shpjegueshmërinë e rrjeteve të thella neurale, një sfidë kritike në inteligjencën artificiale.

Metoda inovative e tij ofron qasje të reja për analizimin e proceseve të brendshme të modeleve komplekse dhe rrit besueshmërinë e tyre.

Rruga e tij akademike është shoqëruar me rezultate të spikatura që nga fëmijëria, duke përfshirë vendet e para në gara matematikore dhe konkurse shkencore, dhe sot konsiderohet një prej të rinjve më premtues në fushën e inteligjencës artificiale.

 

 

Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare në fushën e shkencave planetare, ka fituar çmimin vjetor për propozimin më të mirë të doktoraturës në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz. Ky çmim, i cili jepet vetëm një herë në vit, nderon projektin kërkimor më premtues dhe konsiderohet ndër nderimet më të rëndësishme akademike në fushën e astronomisë planetare.

Përveç çmimit prestigjioz, Pranvera ka marrë gjithashtu një grant prej 3,000 dollarësh, i cili do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit të saj. Ky vlerësim i lartë është një dëshmi e punës së saj të palodhur dhe të aftësive të saj të jashtëzakonshme shkencore në një fushë kaq konkurruese.

Ky çmim i jep mundësinë Pranverës të vazhdojë me kërkimet e saj në shkencat planetare, një fushë që ka gjithnjë e më shumë rëndësi për eksplorimin dhe kuptimin e universin.

 

Besar Abdiu, inxhinieri i ndërtimtarisë i është bashkuar sukseseve të shqiptarve në aspektin e kërkimeve shkencore gjatë vitit 2025, ku është shpërblyer me titullin “Doktor Shkence” në “Institute of Earthquake Engineering and Engineering Seismology (IZIIS)”.

Vlen të theksohet se ky institut është një nga qendrat më të mira për kërkime në fushën e tërmeteve dhe inxhinierisë sizmike.

Ai ka kryer doktoraturën në Inxhinierinë Ndërtimore, duke u fokusuar në zhvillimin e njohurive dhe teknologjive që kontribuojnë në ndërtimet e sigurta dhe rezistente ndaj tërmeteve.

Besar Abdiu është shqiptar nga Tetova, dhe ky sukses e vendos atë ndër profesionistët më të shquar në fushën e tij në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. /Albinfo.ch