Tematike

Dr. Bakiu: Pandemia theu tabunë se te psikiatri nuk vizitohen vetëm “të çmendurit”

Rreth qasjes së shqiptarëve të Zvicrës lidhur me shëndetin mental dhe çështje tjera të kësaj natyre, për albinfo.ch flet specialisti i psikiatrisë, me ordinancë private në Trimmis, afër qytetit Chur (Graubünden), dr. Shemsi Bakiu

Shëndeti mental i njerëzve, sidomos ndër shqiptarët, vazhdon që, në masë të konsiderueshme të trajtohet si temë tabu. Po kjo vlen edhe për komunitetin shqiptar të Zvicrës. Nga ana tjetër, në shtetin helvetik ka një numër në rritje të psikiatërve shqiptarë, shumë nga të cilët kanë tashmë edhe ordinancat e tyre këtu. Nisur nga këto që u thanë dhe nga rëndësia që po merr gjithnjë më shumë shëndeti mental, sidomos në rrethanat e pandemisë, albinfo.ch ka planifikuar një numër special të revistës që i kushtohet kësaj teme.

Për albinfo.ch flet specialisti i psikiatrisë, me ordinancë private në Trimmis, afër qytetit Chur (Graubünden), dr. Shemsi Bakiu.

Albinfo.ch: Në Zvicër, viteve të fundit kemi një rritje të numrit të psikiatërve shqiptarë, tashmë jo vetëm të punësuar në klinika por edhe me ordinanca private. Çfarë mendoni se e ka mundësuar këtë rritje apo është thjesht, rrjedhojë logjike e rritjes dhe avancimit të komunitetit tonë këtu?

Dr. Shemsi Bakiu: Po është shumë e vërtetë se në Zvicër, viteve të fundit, numri i kolegëve psikiatër po rritet çdo ditë e më shumë. Kjo po ndodh për faktin e thjeshtë, se niveli i edukimit të shqiptarëve gjithnjë e më shumë po rritet, familjet shqiptare po investojnë më shumë në shkollimin e fëmijëve të tyre, pasi që shumë bashkatdhetarë tanë, emigrantë të viteve 80, 90, të cilët për shkaqe të ndryshme e të njohura emigruan ne Zvicër dhe gjithandej nëpër botë. Ata kishin diploma të ndryshme, por qasja e tyre në profesionet ku ata kishin diplomuar ishte thuajse e pamundur. Si duket, pas luftës kemi një lehtësim të qasjes në profesion, për faktin se ata që u inkuadruan më herët në profesion shumë shpejt u dëshmuan se ja dalin me sukses. Pastaj një faktor tjetër ishte dhe është në vazhdimësi faktori i lidhjeve martesore, mundësitë më të lehta të aplikimit, seminaret e ndryshme etj. d.m.th. “efekti  domino”.

Cilat procedura duhet t`i kalojë një mjek nga Kosova, Shqipëria ose Maqedonia, që të mund të punojë këtu si psikiatër?

Po, padyshim se Zvicra ndjek procedura mjaft strikte për t`i dhënë mundësinë një mjeku të ri të marrë përgjegjësinë për ta trajtuar të sëmurin. Këtë e bën vetëm atëherë kur mjeku është dëshmuar për punën e tij profesionale dhe aftësinë komunikuese përmes zotërimit të mjaftueshëm të gjuhës zyrtare në Zvicër, gjatë periudhës kohore të punës provuese që në Zvicër zgjat tre muaj. Diploma e aplikuesit  duhet paraprakisht të regjistrohet pranë komisionit mjekësor zviceran, në ministrinë e shëndetësisë, MEBEKO.

Po ata që kanë ardhur prej atje me specializim nga psikiatria?

Kolege dhe kolegë të ardhur nga viset shqiptare paraprakisht të specializuar në lëmin e psikiatrisë dhe psikoterapisë deri më tani nuk më është e njohur se ka migruar dikush.

Çfarë mund të na thoni për qasjen e shqiptarëve (edhe në Zvicër) ndaj trajtimit psikiatrik ose edhe psikologjik. A kanë ngurrim ata të drejtohen te psikiatri?

Shqiptarët hezitojnë në fazat fillestare të sëmundjes të kërkojnë ndihmë profesionale psikiatrike/ psikologjike nga frika e pasojave te stigmatizimit, frika nga përjashtimi, refuzimi, dhe paragjykimet e mbrapshta. Këtë frikë fillimisht e kanë nga vet pjesëtarët e familjes së ngushtë dhe rrethi më i gjerë se gjoja shkuarja te psikiatri nënkupton “çmendurinë”. Kjo frikë e ngarkon individin deri në atë masë sa ai  dëmtohet shumë nga mos kurimi ose kurimi i gabuar. Kjo bëhet herë duke përdorur barna qetësuese (sedative) herë të përshkruara nga mjeku familjar e herë duke ua marrë pjesëtarëve tjerë të familjes, po ashtu të përshkruara nga mjeku familjar, ose të importuara nga vendlindja. Poashtu duke përdorur edhe substanca tjera abuzive si narkotikët ose alkoholi që individit fillimisht mund t`i sjellë një qetësim afatshkurtër pa llogaritur në rrezikun e pasojave të varësisë nga këto substanca, me pasoja të rënda në vazhdimësi, pasoja këto që do ta shoqërojnë individin ndoshta tërë jetën.

Detyrë e profesionistëve është që krahas individit, të ftohen në konsultime edhe pjesëtarët tjerë të familjes me theks të veçantë, anëtarët “problematik” dhe t`ju shpjegohet atyre se krahas mjekut edhe anëtarët tjerë të familjes mund të kontribuojnë konsiderueshëm në aspektin e edukatës shëndetësore psikiatrike në ecurinë e sëmundjes dhe përmirësimin më të shpejtë të gjendjes së individit. Vuajtjet shpirtërore, sa më herët që zbulohen, aq më lehtë mjekohen. Por fatkeqësisht, individët e atakuar, fillimisht të vetëdijshëm se nuk ndihen mirë, se diçka u mungon atyre, ata drejtohen te specialistet e fushave tjera, duke kërkuar shkakun e  sëmundjes në organe trupore, vetëm nga mungesa e guximit për tu ballafaquar me paragjykimet e shoqërisë. Secili individ në shoqëri duhet ta kuptojë se të kesh probleme mendore/psikike është po aq e rëndë se të kesh probleme trupore. Prandaj është i domosdoshëm një vetëdijesim i gjithanshëm i shoqërisë me një qasje jo refuzuese, jo përjashtuese dhe jostigamtizuese ndaj individit të atakuar nga sëmundja.

Po kur psikiatri është shqiptar, a e bën kjo më të lehtë apo më të vështirë paraqitjen e pacientëve shqiptarë tek ai? Çfarë përvojash keni lidhur me këtë?

Përvojat e mia në këtë aspekt janë shumë të mira për vetë faktin se në ordinancën time frekuentojnë pacientë nga Graubündeni dhe kantonet përreth. Në vazhdimësi kërkesa për konsulta profesionale kam pasur edhe nga bashkatdhetarët tanë, shqiptarët, edhe ata jashtë Zvicrës, e po ashtu edhe nga Kosova. Këto konsulta janë zhvilluar edhe gjatë kohës së pandemisë, me telefonata ose në mënyrën virtuale online, konsulta kto që për këta pacientë ishte një lehtësim i konsideruar i barrës së tyre emocionale. Komunikimi shqip i terapeutit, në këtë aspekt është shumëfish më i suksesshëm sepse, duke qenë se ai e njeh kulturën dhe traditat e pacientit, arrihet një bashkëpunim shumë më i mirë terapeutik me pacientin dhe kjo ndikon pastaj edhe në rritjen e besueshmërisë së pacientit ndaj mjekut. Kjo besueshmëri e krijuar i ndihmon pacientit t`i heq dyshimet se mjeku nuk i merr seriozisht vuajtet e tij të shkaktuara nga sëmundja paraprake. Kjo pastaj ndikon pozitivisht në shërimin e tij ose përmirësimin e gjendjes së rënduar të shëndetit mendor, mundësisht me përdorimin sa më të pakët të barnave. Fatkeqësisht, një numër i pacientëve kanë një ecuri të gjatë të sëmundjes të ashtuquajturit të semurët kronikë. Ata kishin kaluar paraprakisht gjatë viteve nëpër duar të shumë terapeutëve tjerë dhe që deri tani u ishin shteruar mundësitë edhe terapeutëve për përmirësim të mëtutjeshëm dhe u kishin rekomanduar të sëmurëve, të mësohen të jetojnë me sëmundjen. Por ja që komunikimi në gjuhën amtare për pacient ishte si një dritare e hapur apo një dritë në fund të tunelit dhe një shpresë e fundit për ta. Për një përmirësim sado i moderuar që është, që në të vërtet në të shumtën e rasteve në vazhdimësi është arritur, për të cilën gjë pacientët ishin dhe janë gjithherë tepër mirënjohës.

Cilat janë problemet më të shpeshta dhe më tipike për të cilat ju drejtohen pacientët shqiptarë këtu?

Problemet e tyre më të shpeshta janë, depresioni, shizofrenia, ankthi dhe paniku, çrregullimet e personalitetit, stresi postraumatik, sëmundjet e varësisë nga konsumimi i drogës, alkoolit dhe substancave qetësuese, pastaj problemet ne familje, ato bashkëshortore etj.

Gjatë kohës së pandemisë ishte edhe vetë pandemia ajo qe ndikoi ne prishjen e balancit psikik krahas problemeve ekzistuese me të cilat ballafaqoheshin pacientët. Prandaj edhe detyra jonë primare ishte njoftimi me masat parandaluese të rekomanduara nga ministria e shëndetësisë  sepse këto masa mbesin edhe ma tutje sie masa të domosdoshme preventive deri në vaksinimin masiv të popullsisë sepse një individ i infektuar me covid-19 do të ndikoj në keqësimin e gjendjes edhe ashtu të rënduar të pacientit me probleme psikike.

A ndihmon shumë fakti se ata kanë mundësi të shprehen në gjuhën amtare me ju?

Nga përvoja e fituar në ordinancën time te shumica e pacientëve komunikimi në gjuhën e tyre amtare ka sjellë një përmirësim të dukshëm të gjendjes emocionale shpirtërore e rrjedhimisht edhe përmirësim të dukshëm të gjendjes së tyre të gjithmbarshme shëndetësore. Përjashtim bëjnë rastet e rënda dhe të kombinuara me sëmundjet të rënda trupore dhe me një ecuri kronike të sëmundjes ku përmirësimi ka qenë i moderuar. Por pacientët e tillë paraqiten kohë pas kohe për konsulta  në mënyrë të vazhdueshme, me të vetmin qëllim që është përmirësimi i kualitetit të tyre jetësor.

Po të tjerët, të huajt tjerë ose zviceranët? A keni më shumë pacientë zviceranë dhe të tjerë apo shqiptarë?

Ordinanca  ime në Trimmis afër qytetit Chur (Graubünden) frekuentohet edhe nga pacientë zviceranë, portugezë, spanjollë, italianë, kinezë, pacient që dërgohen nga mjekët familjarë ose kërkojnë vet shërim por të rekomanduar nga pacientë tjerë, të trajtuar paraprakisht.

Në ordinancën time dominon numri i pacientëve shqiptarë, të cilët përbëjnë gjysmën e numrit të gjithmbarshëm te tyre.

Pandemia e Covid-19 është bërë tashmë mbi një vit temë kryesore që po na ndjek në çdo fushë të jetës. Krahas rrezikut që ajo paraqet për shëndetin fizik, kjo pandemi po dëmton seriozisht edhe shëndetin mental të njerëzve. Cilat janë përvojat tuaja në këtë drejtim?

Jemi dëshmitarë të një kohë pandemie me një izolim të kohëpaskohshëm  e të sforcuar social nganjëherë edhe total. Pasojat e tij, janë, krahas dëmtimit të shëndetit trupor e në veçanti të mushkërive, të trurit dhe fibrave muskulore të zemrës edhe në shëndetin mendor. Këtu konstatojmë një rritje të konsiderueshme të çrregullimeve të shëndetit mental që për pasojë ka gjendjet depresive, ankthin me gjendje paniku, komplikimet neurologjike sie rritje e temperaturës, dhembje koke e muskujsh, mundim e vjellje, marramendje. Në kohen e pandemisë janë evidente dhe shumë të shpeshta prishja e raporteve në mesin e anëtarëve të familjes, që për pasojë kanë edhe përdorimin e dhunës fizike, ndarjen e bashkëshortëve e deri te rrezikimi i jetës se individit, qoftë përmes vrasjeve ose vetëvrasjeve. Prandaj ky armik i padukshëm ndoshta do të zhduket atëherë kur të bëhet vaksinimi masiv i popullsisë. Ai vetëm sa ka filluar dhe pritet të mbarojë për disa muaj. Studimet e bëra nëpër qendra studimore flasin për shifra të larta të çrregullimeve psikike edhe të personave qe kurrë më parë nuk ishin ankuar për probleme të shëndetit mendor e sidomos çrregullimet depresive, anksioze dhe të panikut. Për këtë flasin shifrat e rritura madje edhe deri në 25%.

Çfarë do t`i këshillonit ata që janë prekur nga pasojat e pandemisë, në rrafshin mental? 

Respektimi i masave parandaluese pa dallim, është tepër i rëndësishëm. Edhe ata persona që e kanë kaluar suksesshëm Covid-19, përsëri mundtë infektohen. Një zgjidhje fatlume mbetet të shihet vetëm pas vaksinimit të gjithmbarshëm të popullsisë gjë e cila ka filluar. Prandaj masat parandaluese të njohura gjer më tani sie bartja e maskës në ambiente të mbyllura dhe ato të hapura me një frekuentim të shtuar të njerzëve, respektimi i distancës fizike, dhe dezinfektimi i duarve vlen për të gjithë njësoj, pa dallim moshe e gjinie.

Problemet tipike psikike të shqiptarëve në Zvicër

Problemet e tyre më të shpeshta janë, depresioni, shizofrenia, ankthi dhe paniku, çrregullimet e personalitetit, stresi posttraumatik, sëmundjet e varësisë nga konsumimi i drogës, alkoolit dhe substancave qetësuese, pastaj problemet ne familje, ato bashkëshortore etj. Gjatë kohës së pandemisë ishte edhe vetë pandemia ajo qe ndikoi ne prishjen e balancit psikik krahas problemeve ekzistuese me të cilat ballafaqoheshin pacientët.

Pandemia ka shtuar shumë çrregullimet psikike të popullatës

Studimet e bëra nëpër qendra studimore flasin për shifra të larta të çrregullimeve psikike gjat pandemisë edhe të personave qe kurrë më parë nuk ishin ankuar për probleme të shëndetit mendor e sidomos çrregullimet depresive dhe të anthit me panik. Për këtë flasin shifrat e rritura madje edhe deri në 25%.

 

Arztpraxis Dr. Shemsi Bakiu
Cholplatzweg 22A
7203 Trimmis

Tel. 081 353 41 50
[email protected]

 * Intervista është realizuar gjatë muajit prill, për numrin aktual të magazinës albinfo.ch