Integrimi

Dr. Cuculi tregon se si u shpëtua jeta një të godituri “të pashpresë” nga sulmi në zemër

"Rasti i tij më prek shumë mua personalisht”, thotë dr. Cuculi. Sepse shembulli i tij tregon se ka shpresë edhe në rast të një ataku shumë të rëndë në zemër

Gazeta Luzerner Zeitung ka publikuar ditë me parë një artikull interesant mbi shpëtimin e jetës së një personi që kishte pësuar atak të rëndë kardiak (sulm në zemër). Shpëtimi nga një sulm kaq i rëndë zemre mund të konsiderohet si sensacion në mjekësi, shkruan gazeta. Ajo, me këtë rast citon Dr. Florim Cuculin, kardiologun e njohur shqiptar, nën udhëheqjen e të cilit është bërë mjekimi dhe rehabilitimi i të goditurit, transmeton albinfo.ch.

Oskar Heini, 56 vjeç, nga Rothenburg, pësoi një atak të rëndë në zemër në prill të këtij viti. Zemra e tij pushoi së rrahuri për 70 minuta. Por, megjithatë, ai mbijetoi, falë shtypjeve, gjegjësisht ngjeshjeve të gjata dhe intensive të bëra në gjoksin e tij.

Ishin 70 minuta dramatike në jetën e Oskar Heinit. Më 24 prill 2023 ai u rrëzua në mëngjes ndërsa punonte si kujdestar në ndërtesën e shkollës Wartegg në Lucern. “Para kësaj, deri sa isha ende në shtëpi, ndihesha disi jo mirë. Kështu që caktova një takim me mjekun tim para drekës dhe shkova në punë. Nuk e kisha menduar kurrë një sulm në zemër”, thotë 56-vjeçari Ruswiler, i cili jeton në Rothenburg.

Pas kolapsit, ai nuk ishte më plotësisht i vetëdijshëm. Drejtoresha e shkollës e futi menjëherë në veturë dhe u nisën drejt spitalit. Në një moment, tek ai tashmë nuk po funksiononte asgjë. Iu var koka.

Zemra e Oskar Heinit kishte pushuar së rrahuri dhe për 70 minutat e ardhshme nuk rifilloi aktivitetin e pompimit – fibrilacionit ventrikular. Muskuli i zemrës dridhet në lëvizje të vogla dhe të shpejta. Funksioni i tij i rëndësishëm i pompimit të gjakut përmes arterieve në tru dhe në të gjithë trupin humbet plotësisht.

Drejtoresha nuk e dinte këtë. Por ajo reagoi në mënyrë perfekte: “Ajo më tërhoqi menjëherë nga makina, thirri për ndihmë, filloi të më bënte ngjeshje në gjoks dhe nuk ndaloi derisa shërbimet e urgjencës arritën në vend. Mjekët më pas vazhduan me ringjalljen”, transmeton albinfo.ch. Oskar Heini i mësoi të gjitha këto më pas. Ai nuk do të mund ta kthente vetëdijen deri shumë ditë më vonë në Spitalin Kantonal të Lucernit (Luks).

Mjekimet urgjente përmes venave dhe goditjet elektrike me defibrilator nga shërbimet e urgjencës ishin të pasuksesshme. Zemra e Oskar Heinit nuk pranonte të pompohej më. Për këtë arsye ekipet e shpëtimit kanë vazhduar me ngjeshje intensive në gjoks derisa pacienti ka mbërritur në qendrën kardiake Luks. Nga “shok dhoma” shkuam drejt e në laboratorin e kateterizimit të zemrës. Ndërkohë, masazhin kardiak e kishte marrë përsipër një i ashtuquajtur autopuls, një makinë me bateri.

Ndërsa ringjallja ishte duke vazhduar, Florim Cuculi, kryekardiolog, futi një tullumbace (balonë) në arterien kryesore – me një tel mbi ijë deri në zonën e zemrës. Punë shumë precize. Balona hapi arterien e bllokuar, aty u vendos një stent dhe zemra mundi të rifillonte funksionin. Megjithatë, në tre ditët në vijim, një pompë zemre e futur përkohësisht bëri punën kryesore për organin e dëmtuar në mënyrë që të mund të shërohej.

Oskar Heini ishte në njësinë e kujdesit intensiv për rreth 14 ditë. Ai mori kujdes akut mjekësor për 23 ditë. Kjo u pasua nga një qëndrim në neurorehabilitim për disa javë, ku ai iu nënshtrua një sërë terapish, duke përfshirë vrapimin dhe stërvitjen e forcës.

“Rasti i mbijetesës së tij është një sensacion mjekësor.” Këtë e thotë prerazi Florim Cuculi. 70 minuta fibrilacion ventrikular dhe pa puls. 70 minuta ngjeshje në gjoks. Më pas trajtimi me të gjitha makineritë në dispozicion, përcjell albinfo.ch. “Oskar Heini i ka mbijetuar tendosjes mirë dhe pa asnjë dëmtim në tru. Madje as muskuli i zemrës nuk i është dëmtuar. Kjo ka rifituar funksionin e saj të plotë”, thotë Cuculi.

Kjo ishte e mundur vetëm sepse të gjithë të përfshirët vepruan menjëherë dhe në mënyrë korrekte. “Puna multidisiplinare e ekipeve, duke filluar nga shërbimet e urgjencës, kardiologjia, anestezia dhe mjekësia e kujdesit intensiv u ndërthur jashtëzakonisht mirë”, thekson Cuculi. Gjatë kohës së qëndrimit të Oskar Heinit në spitalin Luks, gjithsej rreth 150 njerëz ishin përfshirë në shërimin e tij. “Rasti i tij më prek shumë mua personalisht”, thotë kryemjeku. Sepse shembulli i tij tregon se ka shpresë edhe në rast të një ataku shumë të rëndë në zemër, transmeton albinfo.ch. Dhe është jashtëzakonisht motivuese për punonjësit në Luks që të vazhdojnë të japin gjithçka nga vetja, edhe në raste që duken si të pashpresë.

Veprimi i menjëhershëm mund të shpëtojë jetë

Cuculi thekson rëndësinë e madhe të ndihmës së shpejtë të menjëhershme. Thirrja e tij urgjente është: “Nëse dikush rrëzohet dhe nuk ka më puls, mos hezitoni. Atëherë është koha për ta shtypur (në gjoks)! Gjëja kryesore është të shtypni!” Në një situatë emergjente, njerëzit shpesh kanë frikë se mos po bëjnë diçka të gabuar. “Harrojeni, këtë: vetëm shtypni!” Duke shtypur, gjaku pompohet mekanikisht nga zemra drejt trurit, gjë që ndihmon në reduktimin ose parandalimin e dëmtimit të trurit dhe organeve të tjera. “Nëse ne mund të sigurojmë shumë më tepër njerëz për ndihmë të menjëhershme, si në rastin e Heinit, edhe më shumë njerëz mund t’i mbijetojnë një ataku kardiak”.

Oskar Heini është jashtëzakonisht mirënjohës që iu shpëtua jeta falë ndihmës së kaq shumë njerëzve. Ai shkroi fjalë falënderimi për të gjithë shpëtimtarët.

Si pasojë e sulmit të rëndë në zemër dhe masave të ringjalljes, gjatë qëndrimit të Oskar Heinit në Luks ka pasur komplikime të ndryshme, ndër to, edhe të rënda, transmeton albinfo.ch. Disa brinjë i janë thyer, së bashku me pneumoninë dhe përfundimisht ka pësuar dëmtim të  veshkave, të shkaktuar nga shoku kardiogjen. “Për një muaj më duhej të shkoja në dializë tri herë në javë për të pastruar gjakun”, thotë ai. Sot veshkat po funksionojnë sërish mirë. “Unë kam ende probleme me këmbët për momentin, kam dhimbje të forta, kështu që përdor shkopinj kur eci, për siguri”.

Megjithatë, kjo nuk ndikon në besimin e Oskar Heinit. Ai tashmë po punon sërish si kujdestar me orarin 20 për qind. Synimi i tij është të punojë me të njëjtin ritëm deri në verën e ardhshme si përpara asaj dite fatale të prillit.

Oskar Heini (djathtas) ecën nëpër korridoret e qendrës së zemrës në Spitalin Kantonal të Lucernit së bashku me mjekun e tij Florim Cuculi

(Foto: Boris Bürgisser)