Muzikë

Shqiptarët e Zvicrës për Horën e Arbëreshëve: “Skënderbeu na Bashkon”

Koncertit me këtë moto i janë bashkuar rreth 16 shoqëri kulturore dhe artistike shqiptare që veprojnë në Zvicër si dhe artistë të tjerë, të pavarur

“Skënderbeu na bashkon” ishte motoja e koncertit që u mbajt mbrëmë në Krienz të Lucernit, organizuar nga shoqata “Hora e Skënderbeut”. Nga ajo që u pa në sallë dhe në skenën e koncertit, “Skënderbeu” ja kishte dalë t`i bashkojë qindra bashkatdhetarë nga e gjithë Zvicra, drejt realizimit të një qëllimi: ngritjes së shtatores së kryetrimit shqiptar në Horën e Arbëreshëve, në Sicili, dhuratë nga mërgata shqiptare e Zvicrës.

Misionit fisnik të shoqatës në fjalë i janë bashkuar edhe rreth 15 shoqëri të tjera kulturore dhe artistike shqiptare që veprojnë në Zvicër si dhe artistë të tjerë, të pavarur.

Për rreth pesë orë sa ka zgjatur programi, në skenën e sallës së madhe në Krienz kanë parakaluar dhjetëra artistë të të gjitha moshave, të cilët kanë shpalosur në ngjyrat më të bukura dhe me entuziazëm të madh, artin e tyre të kultivuar me kaq dashuri për kombin dhe traditën, shkruan albinfo.ch. Numri i tyre ishte aq i madh sa që ky koncert mori përmasat e një festivali të vërtetë, maratonik, të folklorit dhe të muzikës shqiptare, në përgjithësi.

Dy moderatorët simpatikë, Yllka Zuzaku dhe Ramadan Morina kanë pasur një barrë jo të lehtë për të drejtuar këtë aktivitet, kur dihet misioni të cilit i kushtohej dhe shumësia e vlerave artistike të shpalosura para publikut, të cilat ata duhej t`i mbarështonin.

Siç e tha në fjalën e tij të përshëndetjes nënkryetari i shoqatës “Hora e Skënderbeut”, aktivisti dhe artisti i njohur nga Cyrihu, Adnan Asllani, qëllimi i këtij koncerti ishte sensibilizimi i mërgatës sonë për të qenë pjesë e projektit për shtatoren e Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve. Duke qenë se jetësimi i projektit ka edhe koston e vet financiare, Asllani ka folur edhe për këtë aspekt të rëndësishëm. Në këtë kuptim ai ka bërë transparente gjendjen e financave duke vënë theksin në kontributin e madh, fillestar, të iniciatorit të projektit, Veli Genc Berisha, i cili ka dhënë 20 mijë franga, duke i vënë bazën e shëndoshë këtij aksioni fisnik. Deri në realizimin e plotë të projektit, që planifikohet të kurorëzohet më 30 gusht të këtij viti, ka ende mjaft për t`u bërë por gatishmëria e komunitetit tonë për të ndihmuar është shumë e lartë, çfarë shihet edhe nga prania e madhe në këtë aktivitet solemn.

Duke përshëndetur publikun, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Shkëlqesia e tij Mustafa Nano ka vënë theksin në atë që ai e ka quajtur “organizim shembullor” i komunitetit shqiptar në Zvicër. Ai ka thënë se një vetëdije e tillë kombëtare e këtij komuniteti është model për mërgatat tjera dhe burim frymëzimi për të gjithë ata që kanë të bëjnë me komunitetin. Z. Nano ka përgëzuar nismën, duke evokuar kujtimet nga vizitat e tij në ngulimet arbëreshe në Itali, të cilat lënë mbresa të thella pikërisht për kujtesën e fuqishme historike të arbëreshëve dhe lidhjen e tyre të pashkëputshme shpirtërore me atdheun e të parëve, Shqipërinë. Dhurata që mërgata shqiptare e Zvicrës i bën asaj arbëreshe të Italisë, prandaj, ka rëndësinë e një simboli për mbajtjen gjallë të kësaj lidhjeje.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe udhëheqësi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih z. Vigan Berisha.

Krijuesi, përkthyesi dhe veprimtari i njohur shqiptar nga Lucerni, Bardhec Berisha ka lexuar një biografi të shkurtër të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe një histori të përmbledhur të arbëreshëve të Italisë, shkruan albinfo.ch. Ai ka ndaluar në pikat kryesore të këtyre dy historive dhe në atë që i bën bashkë ato, duke ditur se vendosja e arbëreshëve në trojet ku jetojnë sot, ka ndodhur pas vdekjes së kryezotit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Prandaj lidhja në mes të Skënderbeut dhe botës arbëreshe është e pashkëputshme, ka thënë veç tjerash z. Berisha.

Pas fjalimeve në ekranin e madh është treguar një kolazh me fotografi të autorit Rexhep Rifati, të realizuara gjatë vizitave të tij të shumta në vendbanimet arbëreshe. Gazetari veteran Rexhep Rifati njihet për përkushtimin e tij të madh në eksplorimin dhe regjistrimin e vlerave të kulturës arbëreshe, në të gjitha pikat e saj, në Kalabri dhe Sicili. Veçohen sidomos fotografitë e shesheve dhe shkollave apo kishave në të cilat nuk mungon asnjëherë një bust ose mural me portretin e Skënderbeut.

Një bashkëbisedim simpatik ka realizuar në vazhdim moderatori i mbrëmjes, Dan Morina me autorin e skulpturës kushtuar Sküenderbeut, Gëzim Muriqin. Ky i fundit ka vlerësuar lart gjestin simbolik që komuniteti shqiptar i Zvicrës po bën duke ua dhuruar arbëreshëve shtatoren e kryetrimit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Programi artistik që ka pasuar, ka qenë një kolonë e gjatë shumëngjyrëshe e artit të kultivuar me dashuri të madhe nga shoqëritë kulturore dhe artistike shqiptare, shkollës shqipe dhe artistëve individualë shqiptarë nga e gjithë Zvicra por edhe nga Gjermania.

Grupi i fëmijëve, i kombinuar nga disa shoqata ka hapur programin me këngë patriotike. Pastaj moderatorja dhe këngëtarja Yllka Zuzaku është paraqitur me këngën e Skënderbeut, një këngë përkushtim, që është bërë e njohur nga filmi “Skënderbeu”, shkruan albinfo.ch.

Programi ka vazhduar me një pikë shumë të bukur baleti nga një nxënëse e mësueses Ida Jashari, të Shkollës Shqipe në Ostermündigen të Bernës. Kori i grave “Lyra” nga Cyrihu, mjaft aktiv në organizimet e komunitetit tonë, ka interpretuar tri këngë, mes të cilave edhe këngën “Himni arbëresh”. Dy nxënës të shkollës shqipe të Zvicrës, gjegjësisht të mësuesit Vaxhid Sejdiu kanë recituar vargje kushtuar heronjve të kombit.

Ansambli “Arbëresha” nga Sirnachu i Kantonit Thurgau ka defiluar në skenë me një lumë ngjyrash të kostumeve të valltarëve të vegjël e të rritur, të cilët kanë interpretuar për bukuri vallen arbëreshe dhe valle të tjera nga repertori i pasur i folklorit shqiptar.

Një pikë e veçantë e programit ka qenë prezantimi gruas mbase të vetme lahutare shqiptare, Ajshe Muriqi. Ajo ka interpretuar një këngë kushtuar Skënderbeut, shoqëruar nga tingujt e instrumentit të vjetër, lahutës.

Grupi “Hareja” nga Gjeneva është prezantuar me një profil ndryshe, me këngë të përpunuara nga tradita arbëreshe dhe shqiptare. Solistja e njohur e këtij grupi, Afërdita Krasniqi ka kënduar këngën e njohur “Moj e bukura Arbëri”, shoqëruar nga grupi. Kanë kënduar me përkushtim dhe cilësi edhe Ejona Bytyqi, Elion Krasniqi dhe Bardh Ramadani.

SHKA “Ilirët” nga Lozana është paraqitur me disa këngë folklorike me çifteli dhe këngë popullore si “Moj Evropë…” etj., gjithnjë me temë atdhetare, siç e kërkonte fryma e këtij manifestimi. Kanë kënduar: Flamur Shala (me grupin), Asman Hoti dhe Mirlinda Berisha.

Në vazhdim ansambli “Vatra” nga Bylahu është paraqitur me një kolazh vallesh dhe me një inskenim të dasmës kosovare. Shoqata “Bashkimi”, grupi “Shqiponjat”  nga Usteri ka sjellë në skenë një potpuri vallesh nga krahinat shqiptare.

Grupi orkestral i SHKA “Dardania” nga Winterthuri ka interpretuar një valle instrumentale ndërsa solisti i grupit, këngëtari veteran i këtij grupi, Hamit Shillova ka kënduar një këngë kushtuar Skënderbeut ndërsa solisti tjetër Ekrem Beqiri është prezantuar me një këngë kushtuar Adem Jasharit.

Programi ka vazhduar me dy këngë të kënduara nga Xhemal Murtishi dhe dy të tjera nga vëllezërit Kuqi. Këta të fundit janë dy djem të rinj, entuziastë, që ndihen mirë si në interpretimin e folklorit (këngë me çifteli dhe sharki) ashtu dhe në interpretim me violinë.

albinfo.ch 

Kënga e njohur “Baresha” e Nexhmije Pagarushës, e pranishme në disa versione gjatë mbrëmjes, është kënduar me përkushtim dhe fuqi zëri nga i këngëtares së re … të ansamblit “Trojet” nga Winterthuri. Pikë tjetër e prezantuar nga ansambli në fjalë ka qenë “Zani i Shqiponjës” nga Agron Pllumaj.

Shoqata “Sharri” është prezantuar me një valle popullore ndërsa ajo “Kërçova” me “Putpuri vallesh nga trojet shqiptare.

Kënga epike “Ej ju male” nga Çesk Zadeja me saksofon, Koreodrama e veprës së Gjergj Fishtës “I dëbuemi” dhe Vallja “Mozaik Drenica” kanë qenë pikat artistike të realizuara nga ansambli “Shqiponja”.

Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota”, e themeluar nga artisti i ndjerë Agron Bajrami, tani e drejtuar nga Lirie Bajrami ka dëshmuar vazhdimësinë e saj, duke u paraqitur me një putpuri vallesh.

Gjatë kohës sa mbahej koncerti, artisti i njohur pamor dhe koreografi nga Cyrihu, Arsim Berisha ka realizuar një pikturë, portret të Skënderbeut, e cila ishte caktuar të shitej, për të mbledhur fonde për realizimin e misionit, vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Horën e Abëreshëve.