Kosova

Këngëtarja A R B Ë R E S H Ë, një qasje intuitive ndaj këngës dhe riinterpretimit të traditës muzikore shqiptare

Në këtë intervistë për albinfo.ch, këngëtarja ARBËRESHË ndalet te procesi i saj krijues, te mënyra si ndërton interpretimin dhe te raporti i saj me trashëgiminë muzikore shqiptare

Këngëtarja A R B Ë R E S H Ë zhvillon një qasje krijuese që buron nga përvoja të lidhura me Zvicrën, Kosovën dhe Shqipërinë, pa i trajtuar ato si referenca të drejtpërdrejta artistike. Krijimtaria e saj mbështetet në intuitë, në vëmendjen ndaj elementeve të vogla muzikore dhe në një raport të natyrshëm me materialin tradicional. Në këtë intervistë për albinfo.ch, Arbëreshë ndalet te procesi i saj krijues, te mënyra si ndërton interpretimin dhe te raporti i saj me trashëgiminë muzikore shqiptare. Një bisedë mbi krijimin, traditën dhe një zë që ndërton identitetin e vet përmes përvojës.

albinfo.ch: Projekti A R B Ë R E S H Ë  lëviz mes Zvicrës, Kosovës dhe Shqipërisë. Si përkthehen këto hapësira në tingullin tuaj?


Arbëreshë: Nuk mendoj shumë në terma të “hapësirave” kur krijoj muzikë. Ajo që më intereson është frymëzimi që një këngë zgjon në mua. Shpesh më tërheqin detaje të vogla, një melodi, një ritëm, një fragment teksti apo një tingull. Ndoshta këto vende jetojnë diku brenda muzikës, por jo në një mënyrë që mundohem ta përkthej apo ta përfaqësoj drejtpërdrejt. Është rastësi që kitara është i vetmi instrument “jo tradicional” që përdor. Me këtë instrument kam filluar të mësoj kur isha në Zvicër.

albinfo.ch: Emri që keni zgjedhur mbart një kujtesë historike. Çfarë kuptimi ka për ju në nivel personal dhe artistik?
Arbëreshë: Në fakt, emrin ma ka zgjedhur babai kur kam lindur, unë thjesht e kam “zbukuruar” me shkronjën time të preferuar, “ë”. Meqë për mua mbetet para së gjithash emri im, për një kohë të gjatë nuk kam menduar shumë për aspektin historik. Megjithatë, historia e arbëreshëve më duket shumë mbresëlënëse, sidomos mënyra si kanë arritur ta ruajnë gjallë një trashëgimi të rëndësishme kulturore deri më sot. Paralelizmi qëndron në faktin që përpiqem ta bëj këtë përmes muzikës.

albinfo.ch: Zëri juaj ka një timbër të veçantë dhe të ndjeshëm. A e përjetoni atë si dhunti natyrore apo si proces të ndërtuar?
Arbëreshë: Faleminderit për komplimentin. Mendoj që është një përzierje e të dyjave. Së fundmi kam parë disa video të vjetra të miat, ku këndoj, dhe e kuptova që timbri ka qenë gjithmonë aty. Por zëri ndryshon me kohën. Ndoshta është një dhunti natyrore që me kohën është zhvilluar dhe ka marrë forma të reja.

albinfo.ch: Interpretimet tuaja të këngëve popullore sjellin një intimitet të veçantë. Si e gjeni balancën mes traditës dhe ndjeshmërisë suaj personale?
Arbëreshë: Për mua kjo nuk fillon si një ide balancimi mes traditës dhe vetes. I gjithë procesi ndodh shumë natyrshëm. Disa këngë zgjojnë diçka në mua që dua ta eksploroj përmes muzikës. Nuk mundohem ta ndryshoj këngën me zor, por as ta ruaj thjesht siç është. Ajo ndryshon vetvetiu, në mënyrën si e ndjej dhe si e perceptoj.

albinfo.ch: Duke qenë autodidakte në instrumente dhe stile, sa rol luan intuita në krijimtarinë tuaj?
Arbëreshë: Kitara është i vetmi instrument që e kam mësuar në mënyrë më të strukturuar, në shkollë muzike. Një instrument mund të mësohet në mënyra të ndryshme. Qasja ime shpesh është intuitive, mundohem ta njoh instrumentin me të gjitha shqisat. Shpesh intuitat tona janë të ngjashme: kur shohim tela, i prekim; kur shohim diçka të mbuluar me lëkurë, e godasim. Më pëlqen kjo mënyrë sepse ka diçka të sinqertë, pothuajse fëmijërore. Por në një moment e kuptova që vetëm intuita nuk mjafton gjithmonë. Me dafin, për shembull, e gjeta veten duke luajtur vazhdimisht të njëjtat gjëra. Doja ta zgjeroja horizontin tim dhe ta zotëroja instrumentin më mirë. Së fundmi kam filluar të marr mësime dhe kjo më ndihmon ta përdor instrumentin në mënyra më të pasura dhe më të vetëdijshme.

albinfo.ch: A mund të thuhet se muzika juaj është një formë dialogu me paraardhësit?
Arbëreshë: Ndoshta tingëllon pak e çuditshme, por ndonjëherë vërtet ndihem kështu. Ka momente kur ndjej një thellësi të madhe në këto këngë, sa që afrohet me një lloj transhendence. Ndonjëherë ndjenja bëhet aq e fortë, sa më duket sikur jam në dialog me protagonistët e këngës, sikur ata po ma tregojnë historinë e tyre. Këtë ndjesi e kam përjetuar për herë të parë me këngën “Oj Lulija Jonë”, dhe në një farë mënyre, prej aty lindi A R B Ë R E S H Ë.

albinfo.ch: Si do ta përkufizonit estetikën tuaj muzikore?
Arbëreshë: Mundohem të jem sa më e sinqertë në muzikën që bëj. Si rezultat, estetika ime është e thjeshtë dhe minimaliste.

albinfo.ch: Muzika juaj shpesh i shmang kategorizimet. Si e përkufizoni zhanrin tuaj artistik?
Arbëreshë: Është një pyetje e vështirë. Edhe pse e di që në disa raste kategorizimi mund të ndihmojë, nuk është diçka që më vjen natyrshëm. Deri tani, nuk kam gjetur një përkufizim më të saktë se “contemporary folk”, edhe pse nuk e ndjej si plotësisht përfaqësues.

albinfo.ch: Ku performoni zakonisht dhe ku mund t’ju ndjekë publiku përtej Instagramit?
Arbëreshë: Shumicën e koncerteve i kam pasur në Shqipëri dhe në Kosovë, por kam performuar edhe në Kroaci, Zvicër, Francë dhe Gjermani. Në përgjithësi performoj në koncerte më të vogla dhe në festivale, në hapësira që lejojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun. Muzika ime nuk i përshtatet çdo konteksti. Sa i përket ndjekjes, kryesisht në Instagram.

albinfo.ch: Vërehet mungesa e një kanali aktiv në YouTube. Është kjo zgjedhje apo fazë zhvillimi?
Arbëreshë: Arsyeja e vetme është që deri tani nuk kam pasur çfarë të publikoj. Që kur kam filluar të merrem me muzikë, kam dashur thjesht të luaj. Ajo që është publikuar deri tani përfshin një videoklip të “Oj Lulija Jonë” dhe një live session nga “Llukar Live Sessions”. Aktualisht jam duke punuar në albumin tim të parë në bashkëpunim me producentin Dritëro Nikqi. Albumi do të përmbajë dhjetë riinterpretime të këngëve popullore shqiptare dhe pritet të dalë rreth fundit të vitit.

albinfo.ch: Keni bashkëpunuar me artistë të ndryshëm. Çfarë kanë sjellë këto bashkëpunime në rrugëtimin tuaj?
Arbëreshë: Bashkëpunimi im i parë ishte me platformën “Marrja Zezë”, e themeluar nga Jehona Jahaj. Më pas pata mundësinë të kontribuoj në filmin “The Beauty of the Donkey” të Dea Gjinovci. Kam bashkëpunuar edhe me Agona Shporta dhe me Liburn Jupolli. Një bashkëpunim tjetër ishte me Kolë Laca. Së fundmi jam pjesë e projektit “Echoes of Origin” me Flaka Goranci, Tringa Sadiku dhe Hava Bekteshi.

Rrëfimi i Arbëreshës e vendos krijimtarinë e saj në një proces të hapur, ku përvoja, intuita dhe puna e vazhdueshme ndërthuren në mënyrë të qëndrueshme. Projektet në zhvillim, përfshirë albumin e parë me riinterpretime të këngëve popullore shqiptare, tregojnë një drejtim të qartë artistik dhe një angazhim të kujdesshëm ndaj materialit muzikor. Në këtë kuadër, A R B Ë R E S H Ë ndërton identitetin e vet përmes përvojës dhe kërkimit të vazhdueshëm.

Instagram

(3) A R B Ë R E S H Ë – Full Performance (Llukar Live Sessions) – YouTube