Kosova

Numërohen 78 % e votave të diasporës

Procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më tani janë numëruar 174 nga 223 kuti votimi, që përbëjnë 78.02 për qind të procesit.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës”, ka deklaruar Elezi.

Sipas tij, zarfet me fletëvotime, pas vlerësimit paraprak, janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar, ndërsa procesi po zhvillohet në 20 tavolina numërimi.

“Zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar”, ka thënë ai. Votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për këtë formë votimi.

Procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.