Sport

Drejtori i Federatës Zvicerane të Futbollit: “Kemi votuar me vetëdije pro Kosovës”

Laurent Prince: “Sa i përket votimit në Budapest në të mirë të kosovarëve, Federata nuk ka shkelur në asnjë mënyrë në dërrasë të kalbur"

Edhe një funksionar i Federatës Zvicerane të Futbollit ka dalë me një deklaratë sipas të cilës delegacioni zviceran në Kongresin e UEFA-s në Budapest ka votuar për Kosovën.

Drejtori sportiv i Federatës Zvicerane të Futbollit (SFV) Laurent Prince ka përforcuar edhe njëherë pohimin se delegacioni i Zvicrës në Kongresin e UEFA-s të mbajtur në Budapest ka votuar në favor të pranimit të Kosovës, shkruan albinfo.ch.

“Sa i përket votimit në Budapest në të mirë të kosovarëve, Federata nuk ka shkelur në asnjë mënyrë në dërrasë të kalbur. Fakti se tash një vend më tepër bëhet pjesë e UEFA-s, nuk ndryshon kushedi çfarë për ne”, ka theksuar Prince në një deklarim të publikuar në portalin e SFV. “Ne tashmë jemi të gatshëm në debatin për secondot (gjenerata e dytë e të huajve). Dhe ne duhet të jemi të gatshëm pasi që në Zvicër luajnë futboll njerëz nga më shumë se 180 vende.

Para dy ditëve, përgjegjësi për komunikim me media i SFV Marco von Ah, në një prononcim për albinfp.ch ka deklaruar se votimi i Zvicrës në favor të Kosovës në UEFA ka qenë i nënkuptueshëm, kur dihet se Zvicra ka qenë ndër vendet e para në botë që  e ka njohur Kosovën. Von Ah ashtu si dhe Prince, ndërkaq kanë shfaqur dilemat e federatës së tyre lidhur me disa paqartësi që sipas tyre ka statuti in UEFA-s. Për këtë arsye delegacioni para votimit kishte kërkuar ndryshimet përkatëse, të cilat nuk janë miratuar.

Ndërsa në opinionin shqiptar (në Kosovë dhe Shqipëri) mbizotëron qëndrimi se Zvicra ka votuar kundër pranimit të Kosovës në UEFA.