Muzikë

Dua Lipa emërohet kuratore e “London Literature Festival 2026” në Southbank Centre

Këngëtarja shqiptare me famë botërore do të udhëheqë edicionin e 19-të të festivalit, duke sjellë autorë, tema dhe aktivitete të zgjedhura nga vet ajo

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të marrë një rol të ri të rëndësishëm në botën e kulturës, pasi është emëruar kuratore e Festivalit të Literaturës “London Literature Festival” 2026, i cili organizohet në Southbank Centre në Londër, përcjell albinfo.ch.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, festivali do të mbahet nga 21 tetori deri më 1 nëntor 2026, dhe do të jetë pjesë e aktiviteteve që shënojnë 75-vjetorin e Southbank Centre, një nga institucionet më të njohura kulturore në Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë rol, Dua Lipa do të ketë mundësinë të zgjedhë shkrimtarët e preferuar, temat që e interesojnë dhe mënyrën se si do të prezantohen aktivitetet, duke i dhënë festivalit një frymë dhe stil personal.

Mediumi britanik London Evening Standard ka raportuar se Lipa do të organizojë një seri aktivitetesh gjatë fundjavës së hapjes, më 24-25 tetor, si dhe përgjatë gjithë festivalit, përmes klubit të saj të leximit “Service95 Book Club”.

Duke folur për këtë angazhim, këngëtarja është shprehur se leximi ka qenë një mbështetje e vazhdueshme në jetën e saj:

“Leximi më ka mbajtur të qëndrueshme në çdo fazë të jetës sime, nga momenti kur isha nxënësja e re në një vend të ri, deri te gjetja e qetësisë gjatë turneve. Të jem kuratore e këtij festivali është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë e emocionuar të thellohem në librat dhe mendjet brilante të autorëve të mi të preferuar”.

Klubi i saj i leximit, i themeluar në vitin 2023, është shndërruar në një platformë kulturore me ndikim, ku çdo muaj ajo rekomandon një libër dhe zhvillon biseda me autorët në formë podcasti. Dua Lipa njihet gjithashtu si një zë i fuqishëm në promovimin e leximit, veçanërisht për grupet që kanë më pak qasje në libra.

Ndër librat e fundit të rekomanduar nga “Service95 Book Club” është romani “She Who Remains” i autores bullgare Rene Karabash, i cili është përfshirë në listën e gjatë të çmimit prestigjioz International Booker Prize për këtë vit.

Ky roman zhvillohet në Bjeshkët e Nemuna, në një fshat ku jeta udhëhiqet nga rregullat e vjetra të Kanunit. Historia ndjek Bekijen, një vajzë e cila, për t’i shpëtuar një martese të detyruar, merr një vendim drastik duke u bërë burrneshë, duke hequr dorë nga identiteti i saj si grua dhe duke jetuar si burrë. Një zgjedhje që sjell pasoja të rënda për jetën dhe familjen e saj.

Në këtë kontekst, romani trajton edhe fenomenin real historik të burrneshave në shoqërinë shqiptare, gra që betoheshin të jetonin si burra dhe fitonin liri e të drejta të veçanta, por me kushtin e jetës në beqari.

Autorja është frymëzuar nga fotografitë e Pepa Hristova, e cila ka dokumentuar jetën e këtyre grave. Ajo ka theksuar se vendimi i tyre kërkonte forcë të jashtëzakonshme:

“E gjithë prania dhe sjellja e tyre ndryshon… dhe sa të forta dhe të sigurta në vetvete duhet të jenë këto gra për të marrë një vendim që ndryshon jetën kaq shumë”.

Ndërkohë, drejtori artistik i Southbank Centre, Mark Ball, e ka quajtur Dua Lipën një “forcë globale kulturore”, duke vlerësuar ndikimin e saj në promovimin e leximit tek të rinjtë:

“Dua Lipa është një forcë globale kulturore dhe pasioni i saj për librat ka frymëzuar një brez të ri lexuesish. Jemi shumë të lumtur që ajo do të udhëheqë festivalin tonë më të rëndësishëm letrar”.

Ky edicion do të jetë i 19-ti i festivalit, dhe përkon edhe me një vit të dedikuar leximit në Britani. Organizatorët synojnë të afrojnë më shumë të rinj me librin përmes aktiviteteve kreative, bashkëpunimeve me industrinë e lojërave dhe organizimit të ngjarjeve falas.

Sipas statistikave të National Literacy Trust, vetëm 1 në 3 fëmijë të moshës 8-18 vjeç lexojnë në kohën e lirë, duke shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara.

Për këtë arsye, “London Literature Festival 2026” pritet të fokusohet fuqishëm në rikthimin e dashurisë për librin dhe tregimin, duke synuar një ndikim të gjerë kulturor dhe edukativ./Albinfo.ch