Kosova
Edicioni i dytë i “Marshit për drejtësi”: Gjeneva në qendër të angazhimit ndërkombëtar për personat e zhdukur
Më 30 gusht në Gjenevë, edicioni i dytë i “Marshit për drejtësi” bashkon mërgatën shqiptare, institucionet dhe shoqërinë civile në një thirrje të përbashkët për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për drejtësi
Shoqata Kulturore “Dora d’Istria” në Gjenevë do të organizojë për herë të dytë manifestimin paqësor dhe përkujtimor “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, më 30 gusht 2026, me një Marsh për drejtësi nga ora 14:00 deri në 17:00.
Ky aktivitet do të realizohet në bashkëpunim me institucione vendore dhe shqiptare, si dhe me aktorë të shoqërisë civile, duke krijuar një moment të rëndësishëm reflektimi dhe ndërgjegjësimi për fatin e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë. Manifestimi synon t’i përkujtojë ata me dinjitet të lartë dhe të mbështesë familjet e tyre në kërkimin për të vërtetën dhe drejtësinë.
Marshi për drejtësi do të zhvillohet në përputhje të plotë me rendin publik dhe dispozitat ligjore në fuqi, duke garantuar se zëri i mërgatës sonë të mbetet një zë i fuqishëm në mbështetje të familjeve që ende kërkojnë të dinë fatin e më të dashurve të tyre, si pasojë e luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë.
Një theks i veçantë i këtij manifestimi i kushtohet respektimit të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke nënvizuar domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, identifikimin e varrezave masive dhe kthimin e eshtrave tek familjet e tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Sipas organizatorëve, edicioni i dytë vjen si një vazhdimësi e angazhimit qytetar dhe institucional, duke synuar të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të forcojë dialogun mbi drejtësinë tranzicionale dhe kujtesën kolektive.
Ndërkohë, organizatorët bëjnë të ditur se ky nuk është i vetmi dimension i këtij përkujtimi. Në një fazë të dytë, Shoqata “Dora d’Istria” do të prezantojë për publikun projektin e detajuar edhe të mbrëmjes së 30 gushtit, e cila pritet të jetë një moment kulmor institucional, artistik dhe përkujtimor. Kjo mbrëmje do të ndërthurë rolin e institucioneve politike dhe ndërkombëtare, artin, kujtesën dhe reflektimin në një formë të veçantë, duke u shndërruar në një përjetim të thellë dhe një zë i plotë i ndërgjegjjes sonë kolektive e të paharruar për të gjithë pjesëmarrësit.
Në një qytet me peshë ndërkombëtare si Gjeneva, ky organizim përbën një thirrje të fuqishme për drejtësi, kujtesë dhe përgjegjësi kolektive, duke rikujtuar se çështja e personave të zhdukur mbetet ende një plagë e hapur për shumë familje. Në këtë kuadër, një notë zyrtare, në emër të mërgatës shqiptare dhe institucioneve mbështetëse, do t’i drejtohet edhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe strukturave përkatëse për personat e zhdukur në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Shoqata “Dora d’Istria” fton qytetarët, institucionet dhe mediat që të bëhen pjesë e këtij angazhimi, në emër të kujtesës dhe të kërkesës për drejtësi.
Për më shumë informata : 079 607 46 74
Mirishahe Limani Hiler, koordinatore dhe përgjegjëse e projektit
(Fotografitë nga Marshi për drejtësi, 30 gusht 2025)
E-Diaspora
-
Cyrih: Promovohen librat e Dr. Salih Krasniqit Prezantohen disa botime që trajtojnë periudhën e luftës në Kosovë, me fokus në dokumentimin e krimeve... -
Kanadë
Shqiptari nga diaspora që po ndërthur teknologjinë me drejtësinë përmes inteligjencës artificiale -
Nju-Jork
Ermonela Jaho rikthehet në Metropolitan Opera me rolin e Violetës në “La Traviata” -
Gjermani
Hapet shkolla shqipe në Friedberg, pranë Frankfurtit -
Sot u hap në Shkodër ekspozita me fotografitë e rralla të Eugène Pittard
Jeta në Zvicër
-
Pa emigracion, popullsia e Zvicrës do të plakej ndjeshëm Përveç rritjes së numrit të banorëve, emigracioni luan rol kyç në ngadalësimin e plakjes së popullsisë.... -
Pse vetëm Aargau shpall gjendje emergjente për azilin në Zvicër? -
Debat në Zvicrën frankofone për deportimet e detyruara të azilkërkuesve drejt Burundit -
Doktorët që shfrytëzojnë boshllëqet në sistemin zviceran të licencimit -
Turizmi në rrezik: konflikti në Lindjen e Mesme kërcënon sezonin veror në Zvicër

















