Tematike
Është koha!
Dilni, votoni! Sepse vetëm nëse e shfrytëzojmë shansin, ne më 20 tetor mund t`i brohorasim deputetes ose deputetit të parë shqiptar në Parlamentin e Zvicrës. Dhe më besoni kur ju them: Është koha!
„Es ist Zeit“ (Është koha) – me këtë slogan pata kandiduar unë para katër vjetësh bashkë me asamblistin e qytetit të Wil-it (SG), Arbër Bullakaj, për Parlamentin e Zvicrës. Mesazhi ynë ishte i qartë: Edhe pse ne shqiptarët përbëjmë njërin ndër komunitetet më të mëdha në Zvicër, edhe pse po angazhohemi dhe përpiqemi politikisht, nuk jemi të përfaqësuar në Parlament. Kjo duhet përfundimisht të marrë fund.
Katër vjet më vonë, vetëm diçka ka ndryshuar – unë nuk kandidoj për Parlamentin Nacional. Numri i deputetëve me prejardhje shqiptare është edhe më tutje: një zero e madhe, e dhjamosur, deprimuese. Kështu nuk mund të shkojë më.
Natyrisht ka të tillë që thonë se kjo tregon se, thjesht, ne ende nuk jemi të gatshëm. Se ne nuk jemi integruar sa duhet. Por kjo është marri. Ideja e një demokracie mbëshetet në atë që njerëzit që jetojnë në një lokalitet, në një shtet, duhet të kenë edhe fjalën e tyre në politikë. Ne, shqiptarët jemi këtu – disa prej nesh prej dyzet ose më shumë vjetësh. Dhe pavarësisht nëse me prejardhje jemi nga Gjakova ose nga Ferizaj, nga Shkupi ose nga Tirana, ne i përkasim Zvicrës. Dhe, për këtë arsye ne duam të na dëgjohet fjala.
Shenjat nuk janë të këqija: Janë disa shqiptarë për t`u zgjedhur – disa prej tyre në me gjasa të mira, si për shembull Ylfete Fanaj në Lucern, Islam Alijaj në Cyrih ose shoqëruesi im i vjetër, Arbër Bullakaj në St.Gallen. Fakti se të tre këta kandidojnë për SP, nuk përbën rastësi: ka qenë socialdemokracia (Partia Socialdemokrate SP) ajo e cila angazhohej për të drejtat e shqiptarëve, edhe atëherë kur ne nuk ishim ende qytetarë të Zvicrës. Gjë që nuk do të thotë se ne automatikisht të gjithë duhet të votojmë vetëm SP-në. Po ashtu kjo nuk guxon të kuptohet sikur ne me automatizëm do ta votojmë dikë vetëm pse në bazë të emrit supozojmë se ky person “na takon ne” – çfarëdo që të kuptohet me këtë cilësim. Të zgjedhësh dikë në Parlamentin Nacional do të thotë pra që që të mbështetesh në besimin se me të vërtetë ky person në katër vitet në vijim do të angazhohet për gjërat që janë të rëndësishme për ne.
Kjo është ajo çfarë u them secilën herë njerëzve kur më pyesin se kë duhet ta votojnë. Informohuni! Drejtohuni te “smartvote”. Shikoni në faqet e internetit të njerëzve. Drejtohuni atyre, nëse do t`i shihni në ndonjërin nga qindra aksionet zgjedhore në rrugë. Pyetini për gjërat që janë me rëndësi për ju. Mos u verbëroni nga ata, të cilët vetëm bëjnë sikur do të angazhohen për interesat tuaja – sikur deputeti nacional nga SVP Alfred Heer në Cyrih, i cili befas e inskenon veten si “mik i popullit shqiptar”, sepse ka pikasur se ndoshta mund të fitoijë para atje ku jetojnë kushërinjtë ose gjyshërit tanë.
Por pavarësisht çfarë bëni: Dilni, votoni! Nëse nuk dini se si plotësohen dokumentet e votimit, pyeteni dikë. Mos e lëshoni shansin. Sepse vetëm nëse e shfrytëzojmë shansin, ne më 20 tetor mund t`i brohorasim deputetes ose deputetit të parë shqiptar në Parlamentin e Zvicrës. Dhe më besoni kur ju them: Është koha!
I përkasim Zvicrës
Ideja e një demokracie mbëshetet në atë që njerëzit që jetojnë në një lokalitet, në një shtet, duhet të kenë edhe fjalën e tyre në politikë. Ne, shqiptarët jemi këtu – disa prej nesh prej dyzet ose më shumë vjetësh. Dhe pavarësisht nëse me prejardhje jemi nga Gjakova ose nga Ferizaj, nga Shkupi ose nga Tirana, ne i përkasim Zvicrës. Dhe për këtë arsye ne duam të na dëgjohet fjala.
- Editoriali është shkruar enkas për albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria











