Muzikë

Faton Macula, evolucioni i një muzikanti: nga Mitrovica, në skenat e mëdha të xhazit, në Nju-Jork

Ditë më parë, kitaristi i njohur Faton Macula, bashkë me këngëtaren e njohur Mira Konçi, mbajti në Nju-Jork koncertin me titullin “Mallëngjimi”. Me këtë rast, Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të

Është një pasdite e bukur dimri në Nju-Jork, dhe ajri, për dhjetor, nuk është i ftohtë. Atmosferë festash, në dukje dhe në shpirt. Në njërin nga amfiteatrot e vjetra të qytetit, mes shumë teatrove të tjerë amerikanë të njohur të rrugicave të Broadway-it, ku gjithmonë paraqitet arti në muzikë dhe teatër me të gjitha format e tij gjendet një si shtëpi kulture dhe quhet “Producer Club”.

Salla filloi të mbushet me turmën e njerëzve, të cilët kishin ardhur gëzueshëm mes festave të dhjetorit për të ndjekur këtë koncert. Pas pak ambienti do të përmbushej me tingujt e kitarës, të njërit nga kitaristët ndoshta më të aftë teknikisht në kuptimin e avancuar të muzikës, teorisë, akordit dhe shkallëve të stilit Jazz, Faton Macula dhe me një duo këtë radhë. Bashkë me të është njëri nga zërat e bukur që sot i mungon festivaleve të Radio Televizionit Shqiptar këngëtarja Mira Konçi, me koncertin recital, të cilit i kishin vënë emrin “Mallëngjimi”.

Erdhi për këtë fund dhjetori me listën e këngëve që prekin mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari, veçanërisht të atyre që jetojnë larg. Këngë të ndjeshme njësoj si titulli i këtij koncerti.

Albinfo.ch mori një intervistë me artistin dhe kitaristin e njohur, Faton Macula. Donim të zbulojmë pak historinë e tij se nga vjen dhe çfarë bën në New York,  Amerikë. Faton Macula ka 22 vjet jetë artistike në ShBA.

Albinfo.ch: Mirë se vini në albinfo.ch Faton. Përpara se të flasim për koncertin recital të së dielës, që ju i falët publikut shqiptar bashkë me artisten e mirënjohur, 0Mira Konçi, në Producer Club New York, ne duam të dimë për ju, për jetën tuaj artistike për gjithë lexuesit dhe artdashësit e muzikës suaj këtu dhe atje.

E dimë se keni lindur në Mitrovicë, në një qytet që njihet për një traditë në muzikë, banda muzikore tinguj në shpirt, grupe të njohura tashmë të dëgjuara me origjinë nga ky qytet, prej nga vini edhe ju. Me një kitarë në dorë që ta bleu babai që në moshë të vogël, vetëm tetë vjeç. A do të na flisni pak për këtë, dhe si erdhi te fama juaj, a ishte një kohë e duhur dhe momenti i duhur që ju krijuat emër në melodi kitare, zhanër i bukur shumë special në llojin e vet, siç është ai i muzikës Jazz, dhe ku më vonë njiheni mes artistëve të njohur të Jazz dhe Rock në New York?

Faton Macula: Po, unë jam i lindur ne Mitrovicë, në një familje muzikantësh, babi im ka qene frymëzimi im i hershëm. Pikërisht është ai nga i cili unë dëgjova dhe mësova shumë.

Nuk ka qenë profesionist, por ka bëre muzikë, më shumë të stilit Jazz e jo vetëm, por me shokët e tij. Në atë kohë ata si shoqëri e kanë pasur më shumë si hobi muzikën, sepse sigurisht kanë pasur dhe një pune tjetër.

Tek ne në shtëpi kishte gjithmonë tinguj kitare, hanim mëngjes me melodi të kitarës dhe mbizotëronte muzika jazz, e krijuar nga babai im. Është dëgjuar kjo lloj muzike, por jo vetëm ajo, të gjithë si familje ne jemi marrë me muzikë, kemi zotëruar instrumente, motra me piano; domethënë secili nga ne merreshim me diçka që kishte lidhje me notat. Ndërsa unë e mora më seriozisht kitarën, dhe atë të parën, që ma bleu babi prej moshës tetë vjeçare ndërsa nga mosha 9 vjeçare akoma më me përkushtim. Kështu më pas, familja me regjistron ne shkollën e muzikës në Mitrovicë dhe më vonë tek profesori i njohur i kitarës, Peter Rakiç.

Mitrovica është e njohur për muzikante me talent te mire, historikisht njihet për këtë. Dhe shumë prej tyre qe ne i njohim nga ekranet televizive dhe radiot dikur dhe sot si bandat muzikore apo solo janë me origjinë nga Mitrovica.

Albinfo.ch: Çfarë do të thotë fama për ju, e keni menduar atë në fillimet tuaja? 

Faton Macula: Kam filluar shumë herët te bëj muzikë, që nga mosha 11 apo 12 vjeçare.

Në klubet e qytetit me pop dhe rock, por muzika Jazz ka qenë dashuria ime e parë. Nuk kam pasur asnjëherë problem për të bere muzike dhe me zhanre stile te tjera kur ka qenë fjala për  muzikë të mire. Skenat më kane prekur prej moshës më të re.

qëllimi im nuk ka qenë fama dhe as e kam menduar atë, por vetëm dashuria për muzikë dhe dashuria ndaj kitarës sigurisht ndaj Jazz-it më tepër.

Albinfo.ch: Si erdhët në New York, si artist apo njësoj si të gjithë shqiptarët e tjerë, klandestinë (me humor)?

Faton Macula: (qeshet). Jo, nuk kam ardhur klandestin dhe as si shumica e të tjerëve por me një vize pune artistike. Ka qene viti 2002.

Po plani ka qenë gjithmonë që të vija këtu, sepse këtu është vendi, skena më e madhe e xhazit në botë, ajo është New York City, me artistë, emra shumë te njohur që bëjnë këtë lloj muzike.

Në rrjedhën e ngjarjeve dhe rrugës artistike ne çdo herë kemi dikë si mentor ose që vjen si arsye e fortë që te jep mbështetjen e duhur, të tërheq dhe ai për mua ka qenë Mark Whitfield. Ai më ka parë dhe më ka dëgjuar në Austri me muzikën qe bëja atje si student dhe më vonë më ka bërë një ftesë për NY. Ishte ndihme e madhe për mua.

Albinfo.ch: Ç farë e bën një artist muzikant të suksesshëm?

Faton Macula: E bën disiplina, puna. Sigurisht dhe talenti por pa punë nuk bëhet asgjë.

Mentaliteti austriak si student i ri atje vetëm 15 vjeçar më mësoi disiplinën, ushtrimet me instrument, punën. Më ra të ushtroj dhe të punoj me njerëz të atij mentaliteti, kështu unë e mora këtë profesion shumë seriozisht dhe ata e shikonin këtë si një plus tek unë, e çmonin korrektësinë, seriozitetin, kohën.

Dhe më vone ata më kanë pritur mirë për arsye se edhe të ndihmës që më ka dhënë Mark Whitfield dhe të tjerët muzikantë të dëgjuar. Prej aty mua më janë hapur dyert.

Ai më vonë më ka besuar disa koncerte për ta bërë “cover”, me zëvendësues. Më ka besuar si një artist i ri dhe mi ka besuar disa koncerte te tij. Dhe kështu ngadalë me grupet muzikore të njohura, edhe njerëzit tjerë filluan të flasin për mua. Dhe të flasin këta artistë për një shqiptar të Mitrovicës është gjë e madhe. Kjo më dha mundësinë qe unë te filloj të bëj muzikë në klubet si “Blue Note”, “Zinc Bar” dhe pastaj fillova te mbaj koncerte me bendin tim, me Trion time, kudo në New York dhe Amerikë.

Albinfo.ch: Sa shpesh punoni me kitarë, performoni, me një fjalë, luani?

Faton Macula: Unë këtë pune bëj, performoj gjithmonë, e mbaj veten dhe familjen prej muzikës, kurrë nuk kam bërë një pune tjetër. Gjithmonë me koncerte, interpretoj në klube me artistë të tjerë apo solo. Mund te jete çdo javë apo çdo të dytën dite.

Albinfo.ch: A mendoni se interneti ka ndikuar për biznesin në muzikë?

Faton Macula: Është një pyetje e miëe. Nëse di të përdorësh mirë internetin, kjo të ndihmon mjaft dhe ka shume përfitime. Por fatkeqësisht te rinjtë nuk kanë disipline pune dhe këtë e shikoj kur unë shkoj ne Work Shops të ndryshme, kudo ne Amerikë, këtu apo në Kaliforni Ose shikoj kur kam studentë dhe ata harxhojnë kohën me telefona gjatë orës… Për mua kjo është gjë e gabuar, dhe ndërpret fokusin në studim ose në instrumente dhe në detajet tjera. Ndërsa nëse dimë ta përdorim në mënyrë të zgjuar përfitojmë shumë, sepse ka kaq informata të mira sot në internet. Sikur ne ta kishim atëherë aplikimin You Tube do të ishte një plus i madh sepse ka kaq informata video me muzikantë kaq të mire që mund të dëgjosh, të mësosh prej tyre. Por te rinjtë sot nuk besoj se dinë ta shfrytëzojnë nga ana përfituese. Po, vetëm një numër i vogël fatkeqësisht e marrin seriozisht.

Ndërsa po të flasim se si ka qenë atëherë, ne na duhej të porosisnim materiale me kaseta apo pllaka CD nga jashtë, si Austria, Beogradi e vende të tjera sepse nuk kemi pasur.

Albinfo.ch: Cilat janë këngët dhe artistët tuaj të preferuar që do t`i këndoje në mënyrë të përsëritur dhe me kënaqësi, ato shqiptare dhe amerikane?

Faton Macula: Se cila është muzika apo këngët qe bëj me shumë dashuri, është zor të përcaktohem. Unë jam adhurues i baladave, ka shume këngë qe i adhuroj. Dhe këngë te shpejta por baladat, soul, pop. Sa u  përket emrave te artisteve kam pasur dëshirë te punoj me Steve Wonder. Atë e kam pasur si idhull si fëmijë dhe jam rritur me muzikën e tij. Do të kisha pasur shume dëshirë te luaja me të në një koncert.

ndërsa sa i përket muzikës shqip mendoj që unë ato që kam zgjedhur, bëhet fjalë për koncertin e fundit i kam përpunuar në mënyrën time, ashtu siç është Mallëngjimi, Era; njëkohësisht dua të them që kënga ime e preferuar shqipe është “Mora Fjalë”. Ajo më prek në zemër dhe atë e këndoi Mira Konçi në koncertin e të dielës. Ka mënyrën time të interpretimit si instrumentale, dhe me shpresë e kam plan ta përpunoj edhe në një formë tjetër, timen.

Albinfo.ch: A ju pëlqejnë zhanre të tjera muzikore?  

Faton Macula: Po, dëgjoj dhe luaj R&B, Funk, them se me ato jam rritur, të gjitha ato rryma tinguj kanë hijen e muzikës jazz, flas për Amerikë. Po ashtu edhe zhanret si: Soul, balade, pop dhe country. më pëlqejnë, çdo muzike të mirë e adhuroj. e luaj dhe e dëgjoj.

Por jazz në fjalë është shume tabu për ta shpjeguar. Është improvizim por nuk është improvizim pa dijeni, është liri por jo liri pa dijeni të instrumentit. Nuk ka kufi.

Albinfo.ch: T`i kthehemi koncertit dhe lidhjes mes juve si artistë të njohur. Doja të them këtë që unë personalisht ju kam dëgjuar dhe njoh muzikën tuaj në kitarë prej viteve të hershme `2000, kur diku dikush organizonte ndeja shumë të mira në New York. Pra për ju të dy si u realizua bashkëpunimi me Mirën?

Faton Macula: Me Mirën jam takuar për herë të parë në koncertin për Kosovën, përvjetorin e saj, para katër viteve.

Është një koncert vjetor që mbahet me artistët e komunitetit tonë në NY dhe quhet “Vendi Im”. Ne na e dhanë këngën “Era” nga grupi “Gjurmët”, këngë shume e bukur dhe e dëgjuar. Mira Konçi ka një talent muzikor, një vesh te mirë për muzike dhe ne bashkëpunuam, kënduam “Erën”, e cila u pasua më vonë me një videoklip të kësaj kënge.

Ajo e pëlqeu këtë këngë dhe kështu bëmë edhe disa bashkëpunime te tjera si duo me këngët “Tumankuqe”, “Mallëngjimi”, “Kur e përcolla Ylberin” (këngë gurbeti), për koncertin që patëm këto dite në ambientin e Producer Club. Dhe meqë përmendëm vendin ku u mbajt koncerti, le të dihet se lokali është pronë e dy vëllezërve nga Shqipëria, të cilët i përshëndes shumë. Veçanërisht Alfredin Tolaj nje artist me shpirt të madh. Ai, një ditë vonë vjen dhe më thotë: “Faton, kur do që do të duhet ambienti i këtij teatri më e pakta që do të mund të bej për ty është që ta kesh sallën në PC (Producer Club). Kështu ne vendosem me Mirën, këngët i dinim, i punuam dhe caktuam datën 17 dhjetor për koncertin “Mallëngjimi”.

Albinfo.ch: Po në Zvicër, keni bërë muzikë? 

Faton Macula: Për fund nuk doja të harroj të them diçka edhe për Zvicrën. Kam jetuar një vit atje dhe kam performuar në klube te huaja, kam bëre po prapë jazz muzikë dhe si DJ me klube të ndryshme dhe diskoteka. Kam takuar shqiptarë dhe gjithmonë them që kam kaluar një kohë të mirë të jetës sime atje.

Albinfo.ch: Për festat e fundvitit, ku mund ta gjejnë simpatizantët e muzikës Jazz Fatonin, më saktë, si ata amerikanë edhe ne shqiptarët këtu në NY?

Faton Macula: Në fund të vitit për festat, zakonisht kam interpretuar te amerikanet si në “Time Square” për festën e vitit te Ri, apo Central Park, por dhe këtë vit si vitet e tjera unë bashkë me Trion time do të luaj në një ndejë me ambient amerikan, e cila është private, një publik, i cili i takon rrjetit të biznesit dhe artistëve.

Ju përshëndes ju, Albinfo.ch. Faleminderit për ftesën që më bëtë për këtë intervistë, me urimet më të mira për 2024.