Lajme

Shpërthime të fuqishme tronditin Cyrihun, digjet depoja e fishekzjarrëve

Shpërthime të njëpasnjëshme zgjojnë banorët në Cyrih, digjet depoja e fishekzjarrëve në komunën Uitikon.

Një seri shpërthimesh të fuqishme kanë tronditur natën e së premtes kantonin e Cyrihut, pasi një depo profesionale e fishekzjarrëve u përfshi nga flakët në komunën Uitikon. Shumë banorë u zgjuan nga zhurmat e forta, ndërsa vala e shpërthimit u ndje edhe disa kilometra larg vendit të ngjarjes, përcjell albinfo.ch.

Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, zjarri shpërtheu pak para mesnatës në një depo të licencuar për ruajtjen e fishekzjarrëve, e vendosur në një zonë pyjore. Kur ekipet e zjarrfikësve mbërritën në vendngjarje, objekti ishte përfshirë plotësisht nga flakët dhe një pjesë e tij ishte shembur.

Banorët e zonës raportuan se shpërthimi i parë ishte jashtëzakonisht i fuqishëm, ndërsa më pas pasuan shpërthime të tjera për shkak të fishekzjarrëve që ndodheshin në depo. Disa qytetarë thanë se tronditjet u ndjenë edhe në zona si Altstetten, Albisrieden dhe Regensdorf.

Autoritetet bënë të ditur se depoja ishte një ish-depo municionesh, e përshtatur më vonë për ruajtjen e fishekzjarrëve. Për shkak të rrezikut nga shpërthimet, operacioni i shuarjes së zjarrit zgjati më shumë se zakonisht.

Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët nuk u përhapën në pyllin përreth. Sipas informacioneve të deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar.

Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë. Hetuesit kanë nisur ekzaminimin e vendit të ngjarjes për të përcaktuar nëse zjarri ka lidhje me motin e keq dhe stuhinë që goditi rajonin pak para incidentit. /Albinfo.ch