Muzikë

Festë e Pavarësisë në Londër: Nxënësit e “Ardhmëria” sjellin jehonën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar

Mbi 100 nxënës nga rreth 30 shkolla shqipe performojnë në një manifestim kulturor në prani të ambasadorëve shqiptarë dhe autoriteteve vendore londineze

Në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shoqata e shkollave shqipe “Ardhmëria” në Londër organizoi një aktivitet të gjerë kulturor dhe artistik, duke mbledhur nxënës, prindër, mësimdhënës dhe përfaqësues institucionalë në një manifestim me karakter edukativ dhe patriotik, transmeton slbinfo.ch. 

Veprimtaria u nderua me praninë e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, si dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, Uran Ferizi. Në fjalët e tyre përshëndetëse, të dy diplomatët theksuan rëndësinë e shkollave shqipe në diasporë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke e cilësuar arsimin plotësues në gjuhën amtare si një shtyllë kyçe të lidhjes së brezave me atdheun.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë së Westminster-it, Paul Dimoldenberg, i cili vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në jetën sociale dhe kulturore të Londrës, si dhe rolin aktiv të tij në forcimin e diversitetit dhe bashkëjetesës në kryeqytetin britanik.

Në emër të organizatorëve, kryetari i shoqatës “Ardhmëria”, Lutfi Vata, dhe kryetari i bordit, Lavdrim Krashi, nënvizuan përkushtimin shumëvjeçar për ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm shkollash shqipe në Londër, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me prindërit dhe komunitetin.

Programi artistik përfshiu interpretime muzikore, recitime dhe valle tradicionale, të realizuara nga më shumë se 100 nxënës që përfaqësojnë rreth 30 shkolla shqipe të rrjetit “Ardhmëria” në Londër. Aktivitetit i dhanë ngjyrim të veçantë edhe performancat instrumentale nga dy artiste shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, Greta Papa në violinë dhe Amadea Topalli në saksofon, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë. /Albinfo.ch